Të hënën formohet komisioni për Hamitin

Komisioni që do ta shqyrtojë rastin e diplomatit, Urtak Hamiti, do të formohet të hënën, ka konfirmuar për RTK-në, Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj. Ai tha se menjëherë, pasi ka marrë notë verbale nga Ministria e Jashtme kroate për incidentin, ka marrë veprimin e parë që është tërheqja ”kthimi” i Urtak Hamitit në Prishtinë.
Kryediplomati Hoxhaj tha se rasti i ndodhur nuk do të ketë ndikim në raportet e mira që Kosova ka me Kroacinë.
Ndërsa i pyetur se çfarë masash mund të merren ndaj diplomatit që shkaktoi skandalin, Hoxhaj tha se nuk dëshiron të paragjykojë asgjë pasi çdo vendim do të merret pas vlerësimit të rastit që do të bëhet nga një komision i posaçëm që do të formohet nga Ministria e Punëve të Jashtme.
Hamiti në Zagreb ishte arrestuar, e më pas është liruar, në gjendje të dehur. Skandalin diplomatik e ka pasqyruar gjerësisht televizioni kroat Nova, në versionin elektronik të saj, Dnevnik.
Sipas përshkrimit të saj, zyrtari kosovar ka çmendur njerëzit në rrugët e Zagrebit me sjellje të pakontrolluara me veturën e tij zyrtare.
Dëshmitarët kanë thënë se ai goditi disa vetura që ndodheshin në parking, dhe ata e ndaluan dhe e mbajtën derisa erdhi policia për ta arrestuar. Dëshmitarët i kanë deklaruar policisë se zyrtari kosovar ishte aq i dehur saqë nuk mund të qëndronte në këmbë.
Urtak Hamiti, ishte emëruar në shërbimin dipmolatik qysh në fillim të krijimit të MPJ-së, që udhëhiqej nga Skënder Hyseni. /Indeksonline/