E Diel, 1 Nëntor 2026

Palltot e dimrit 2009, ja cilat forma propozojnë stilistët



Stina e ftohtë e dimrit rikthen palltot në garderobën tuaj. Madje, sipas stilistëve, dimri 2009 do të sfilohet nga palltot. Për këtë arsye, stilistët më të njohur në botë kanë paraqitur modelet e reja të palltove për këtë sezon. Elegancë e projektuar për një grua të fortë. Jaka të përmasave të mëdha, mëngë të dukshme, ngjyra të ftohta dimërore. Kryesisht, gri, e zezë, blu, bezhë do të jenë nuancat që do të mbizotërojnë veshjet e krijuara për stinën e dimrit. Palltoja është një pjesë e rëndësishme e dimrit që nuk mungon në garderobën tonë dhe nuk është një ekspozim i shpejtë i modës. Këtë vit rikthehen në modë palltot ekstra të gjata, mbështjellëse, klasike ose elegante, në stilin skocez. Palltot jo vetëm që të mbrojnë nga i ftohti, por mbi të gjitha janë të përshtatshme për çdo rast, elegante dhe të plota. Ato mund të kombinohen me aksesorë, që çdo herë i japin një pamje ndryshe, me këpucë me qafa, skarpina, çanta dhe doreza. Të gjitha këto i japin femrës një pamje më ekstravagante. “Max Mara” u ka kushtuar një pjesë të rëndësishme të koleksionit për dimrin në vazhdim palltove treçerekëshe. Madje, ai ka çelur edhe një ekspozitë në Berlin të quajtur “COATS!”. Deri në fund të tetorit të vitit 2008, në një forum të “Staatliche Museen” janë regjistruar litografi, stampa dhe kapele rreth 1500 copë që nga mbarimi i luftës, të ardhura nga koleksioni “Lipperheideschen Kostumbibliothek” i Berlinit, përtej atyre skemave të panjohura të stilistëve, të cilët kanë bashkëpunuar me “Maison”, duke festuar këtë pjesë të rëndësishme të modës, nëpërmjet karrierës së saj të gjatë në trupin e grave, shumica prej të cilave janë shumë të bukura dhe të famshme.
Lidhja
Në fakt, mjaft interesante është lidhja e modës me kinemanë. Në vitin 1928, e prera “trench” u përdor nga e paharrueshmja Greta Garbo në vitet ‘20, në kultin e “Movie Destino”. Këtë lloj palltoje e rigjejmë sërish në vitin ‘45 te tërheqësja Lauren Bacall, në filmin “Agjente konfidenciale”. Madhështore dhe magjepsëse, si ato që janë edhe në këtë kohë. Më pas është radha e stilit mashkullor, shumë shkurt, që evidenton të gjitha format e veshjes, që nga Marilyn Monroe te Katherine Hepburn. Në vitin 1957, “Max Mara” e personalizon në jakën e një peliçeje. Në vitin 1966 ajo hyn në garderobën e “Deneuve”. Ndërsa vitet ‘80-‘90 e rigjejnë maksimalisht në trupin shumë tërheqës të Carla Bruni-t. Sot stilistët dhe këshilltarët e modës e ripropozojnë në të gjitha shijet. Por, mbi të gjitha, ato shfaqen me stilin shumë të gjata dhe me masa mjaft të mëdha. Nga Lagerfeld te Carolina Herrera dhe Alberta Ferretti, gjatësia e veshjeve të sipërme dhe centimetrat e takave janë në proporcion të drejtë. Nëse rritet njëri, duhet domosdoshmërisht që edhe tjetri të rritet, si pasojë e nevojshme për të mos u zhytur brenda. Marc Jacobs, Luella dhe Michael Kors, sjellin diçka të veçantë për sezonin që po kalojmë: pallto që anojnë në gri dhe lejla, e gjatë deri te gjunjët, me një rrip të trashë në mes, që e bën pamjen më klasike dhe tërheqëse. Gjithashtu palltot vijnë edhe në stilin ushtarak, të tipit të Luftës së Dytë Botërore, si për Michael Kors, që propozon një kapotë pak më të shkurtër, për një pamje sa më të re dhe të rastësishme. Shumë njerëz kërkojnë që të nënvijëzojnë vlerën e shtrenjtë të veshjeve dhe zgjedhin ngjyrat e ngrohta e të thella, si në të purpurt, flori dhe bronz. Bluja dhe jeshilja, për atmosfera përrallore. Roberto Cavalli është fiksuar më shumë pas luksit të shfrenuar dhe propozon një pallto të jashtëzakonshme brokadë me peliçe, kur pika kyçe e shikimit është te një rrip me fije ari. “Blugirl” propozon një kapotë të shkurtër damasku, shumë elegante, me ngjyra interesante, që anon më shumë tek e kuqja antike, e cila vishet me geta deri te gjunjët. Brokada nuk mungon edhe në koleksionin e propozuar nga Etro, që i ka dhënë jetë një kapote në ngjyrat rozë dhe “Bordeaux”. Dhe në fund, Antonio Marras propozon një kapotë të gjatë me reflekset e grisë, të cilat mbyllen me një rrip në ngjyrë argjendi.
Aksesorët
Në dhjetëvjeçarët e parë të viteve 1900, aksesorët ishin simbol i elegancës dhe i luksit femëror, ndërsa sot rikthehen sërish në modë për të zbukuruar palltot e këpucët dhe për t‘i dhënë më shumë gjallëri garderobës. Pas vitesh e vitesh të tëra, kur xhaketat e trasha, sportive, apo klasike me pellush, kishin fuqi të pakundërshtueshme në fushën e modës, këtë dimër, më shumë se kurrë më parë, kthehen fuqishëm veshjet dhe aksesorët sa femërore aq edhe shik, që në çdo detaj të tyre zbukurohen nga pendët. Në të vërtetë, këtë dimër nuk ka stilist që të mos i ketë përdorur, ndaj dhe në vitrinat e dyqaneve shikon nga më të ndryshmet, të çdo lloj forme dhe ngjyrash të vendosura në mënyrë elegante mbi këpucë, kapele, pallto dhe aksesorë të ndryshëm. Në butikët më prestigjiozë të Parisit, Londrës apo Milanos, këtë dimër duket se janë bërë të pazëvendësueshme. “Në një garderobë, ku ke respekt për veshjet e tua, nuk mund të hiqet kurrsesi dorë nga palltoja me pendë përreth qafës, këmisha e zezë atllasi dhe xhinset. Është një modë elegante, që mund t‘i rezistojë kohës gjithmonë”, - tha disa muaj para se të vdiste arkitekti i famshëm i pasarelave, Xhanfranko Ferre. Në fakt, më shumë se vendosja e tyre tek elementët e tjerë të veshjes, këtë dimër i gjen mjaft të përdorura te palltot, të shkurtra apo të gjata qofshin këto, me kuadrate, elegante, pak sportive apo jashtëzakonisht shik. Për shembull, një nga firmat më të mëdha për dizajnimin e palltove në botë, “Max Mara”, që këtë muaj “mbushi” 56 vjeç, e festoi ditëlindjen me një koleksion të jashtëzakonshëm të të gjitha palltove, ku janë përdorur elemente të tilla si pendët apo puplat që nga viti i parë i themelimit. Me një përzgjedhje të 100 palltove më të bukura të prodhuara nga kjo firmë, mes stilistëve të saj ka pasur emra të tillë si: Karl Lagerfeld, Jean Charls de Castebajac, Luciano Soprani, Dolçe dhe Gabana, e Anne-Marie Beretta. Por “Max Mara” nuk është i vetmi, dy muaj më parë, në tetor, radhën e kishin “Beneton”, “Bottega Venetta”, “Kenzo”, “Chanel”, “Prada” dhe “Jena Paul Gaultier”. “Beneton” për 41-vjetorin e tij, (firma më e famshme dhe më e adhuruar nga të gjithë), zhvilloi në Paris një festë madhështore dhe sfilata gjatë gjithë natës, ku pendët ishin të pranishme në çdo veshje të dizajnuar. Po ashtu, për të gjithë ata që duan të ndihen të mrekulluar “Bottega Veneta” ofron pallton e saj me marabu, sinonim i elegancës së paharrueshme, që të kthen edhe një herë në vitet e para të 1900-s. Meritë e stilistit që për “Kenzon” ofron fustanin e krijuar nga pendët ngjyra-ngjyra, që duket sikur sapo ka dalë nga garderoba e ndonjë vajze nga Havai. Sigurisht që nuk mund të vishet përditë dhe është i përshtatshëm për mbrëmjet e çmendura. Po ashtu, origjinale në kombinimin e stileve është gruaja që zgjedh pendët në versionin e “Pradas”. Xhaketa si prerje burrash, e zbukuruar me pendë të zeza në fund, shoqëruar me një fund prej pellushi portokalli, duken vërtet kombinim origjinal. Ndryshe nga këto, femra e “Chanel” këtë dimër me pendët e saj duket sikur është frymëzuar nga personazhet e përrallave, ndoshta Borëbardhës. Palltoja e gjatë deri në fund të këmbëve është simbol i pavdekshëm i elegancës së zonjave klasike të viteve 1900. Jean Paul Gaultier ka pasur një ide më origjinale se shokët e tij. Femrën sportive me çorape me kuadrate dhe xhaketë të shkurtër me dopio pulla ka vendosur ta kombinojë me një kapele të madhe me pendë të gjata. Mesa duket, ky do të jetë dimri që do të sfilohet nga palltot, çantat dhe aksesorët e tjerë me pendë. Ashtu siç thotë e madhja Donatela Versaçe, “për të qenë perfekte, duhet të ketë te shpatullat një linjë qepjeje gjeometrike”.

Modelet
Edhe Giorgio Armani këtë dimër është mbështetur te modelet shumë femërore për t‘u veshur në mbrëmje, me gurë të shndritshëm, pendë shumëngjyrëshe dhe perla në qafë. “Prada” ka menduar për të zezën e errët, shoqëruar me pendë të bardha të pëllumbave, ndërsa “Fendi” dhe “Valentino” kanë vendosur për kombinimin me gurë të çmuar. “Dolçe dhe Gabana” kanë ideuar më tepër për model të llojit “napoleonian”, me pulla të arta e rrip të shtrënguar fort në bel dhe pendë te krahët. Krizia ka zgjedhur një model mbështjellës, ndërsa “Guçi” dhe Frida Giannini kanë risjellë në modë pallton e bardhë, shoqëruar me pendë të zeza për më shumë kontrast. Më shumë se luksoze, modelet e Roberto Kavalit janë me jakë të qëndisura me ndërthurje materialesh dhe pendë në fund, ato të “Blumarinë” janë me ngjyra dhe seksi, ndërsa kush dashuron ngjyrat, lëkurën e provokimin, mund ta zgjedhë mes “Missoni”, “Moschino”, “Trussardi” dhe John Richmond. Kanë kaluar 60 vjet që kur në vitin 1947 Christian Dior themeloi shtëpinë e tij të modës. Ishin pikërisht modelet e tij, të menduara për divat, që krijuan femrën fatale të viteve ‘40. "Krijesat" e Diorit të asaj kohe sfilonin me flokët e ndërthurura me pendët që u mbulonin fytyrën, pikërisht njëlloj si ato që propozon për mbrëmjet shik edhe John Galliano. Nuk ka stilistë që nuk ka vendosur t‘i sjellë në pasarelë, jo thjesht për zbukurim, por edhe si “lëndë e parë” për fundet, xhaketat, këpucët, mbi të gjitha për palltot. Ide origjinale, pasi me të ftohtin e dimrit është e këndshme ideja për të qëndruar ngrohtë.

6 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›