Të indoktrinuarit pa zanat
Lektorët e së keqes
Është një fatkeqësi kombëtare që tani, në prag të hyrjes në komunitetin europian, të bëjmë propagandën e diktaturës. E shpreh në vetën e parë të shumësit, si të thuash, për eufemizëm. Jo ne, po ata, në të vërtetë. E quajnë veten intelektualë, Por nuk janë intelektualë si at Zef Pëllumbi. Koha e ashpër e mësoi atin e pëndritur të bëhej jo vetëm një letrar i talentuar i dhembjes, që tzë “rrnojë për me tregue”, por edhe një lulishtar me projekte artistike kopshtesh pariziane, duke qenë në burg, jo në Francë… E mësoi të shndërrohej edhe zdrukthëtar që, me mjetet e punës të sajuara nga shpirti i vet krijues, të bënte jo vetëm orendi të habitshme shtëpiake, por edhe skakiera shahu, që ishin jo vetëm për dashamirët e shahut, por edhe për personat që kishin një shije fine artistike. E kemi fjalën për një kategori të përkundërt njerëzish, të ashtuquajturit intelektualë, për t’u qarë hallin. Konkretisht, po shqyrtoj njërin prej tyre, për tipizimin e një morie njerëzish, që janë jashtë kohe. Jo nga pikëpamja e “vlerësimit”. Titujt nuk u mungojnë. Edhe sajdisjet. Por nuk meritojnë t’ia zëmë as emrin me gojë. Njërin prej tyre mund ta quajmë vetëm “prototipi”. Është edhe pedagog në universitet. Edhe shkrues (zhkarravitës ?) për të mbajtur gjallë mendësinë e diktaturës në mjerimin e saj, të c ilën duhej ta linim pas, prej 22 vitesh. Janë anakronikë. E quajnë fatkeqësi që një kriminel si Stalini u shfronësua nga kulti i rremë i personalitetit, aty pas mesit të viteve 50 të shekullit të kaluar. Si pasojë, dridhërohen po t’u preket Enveri, stalinisti i fundit në prag të Kongresit të 20-të BS, në Europë dhe më gjerë. Ishte stalinist jo se duam ne, por se e quante veten të tillë.
Pra, prototipi ynë, duke i bërë lavde të pamerituara Enverit, ia bën këto Stalinit! Nuk do të shkruhej fare ky shkrimi ynë, po të mos dilte në një të përditshme shkrimi apologjetik i këtij prototipit, më15 janar (ora 15:57’). Për të bërë kultin e idhullit të tij, e fillon me “çdo periudhë historike ka figurat e saj”. Sigurisht. Edhe Neroni, zjarrvënësi i Romës së lashtë, është një figurë historike, në atë kuptim të personit tonë të indoktrinuar. Ka libra për Neronin. Por nuk bëjnë idolatrinë e Neronit, si ai yni që bën ende kultin e Enver Hoxhës. Po ia bëre këtij prototipi, portretin historik të diktatorit në mënyrë të paanshme, ai të vërsulet: “hedh baltë mbi një personalitet historik”, “kthen kokën prapa e nuk shikon përpara”! Na jep edhe sentenca: “Historia është shkencë, është profesion”! “Jeta në demokraci është garë, jo luftë”... Vërehet se nuk është modest. E kush e thotë këtë? Ai që ka bërë jetën në diktaturë, në propagandën mashtruese të saj, në mallkimin e pluralizmit siç ulërinte Enveri kohë e pakohë! Edhe ai, si idhulli i tij, ishte i prirur në masakrimin e intelektualëve, kur ishin liberalë, në kohën e plenumeve me frymë konservatore dhe të paditur si sektarë në kohën kur ua donte puna të goditej konservatorizmi. Tashmë, si dava liberalësh! Fanatizmi i këtij personi që po thur panegjirizmin e diktaturës në një kohë të gabuar, arrin gjer aty sa të thotë se i duhet marrë leje mashtrueses historike Nexhmijes, për të shkruar për të fshehtat e Enverit në ditarët e tij intimë! A mos, vallë, i duhet marrë leje bashkëshortes së Dr. Gëbelsit, për të nxjerrë figurën e vërtetë historike të Hitlerit? Por kjo, veç së tjerash, nuk mund të jetësohet, se Gebëlsi e vrau të shoqen, kalamajtë dhe veten, kur kapitulloi Gjermania naziste dhe kur kuptoi se propaganda e tij nuk ishte vetëm politikë naziste, por helm! – Epo ai ishte nazizëm! – thonë këta të përkëdhelur. Pse humbi luftën? Po komunizmi nuk e humbi në prizmin ideologjik? 100 mln viktima të komunizmitz vrastar, përkundrejt 25 milionëve të Hitlerit, Pinoçetit dhe të tjerëve... Por, sipas prototipit tonë, nazizmi ishte kriminal kurse komunizmi stalinist i Enverit nuk ishte i tillë! Propagandisti pro Enverit nuk e kupton se në vitin 1957 e më tej, bëri sikur iu adaptua antistalinizmit të Krushovit, por vetëm sa për t’i hedhur hi syve. Në fakt, për të mos bërë destalinitimin në vendin tonë, si kudo në Europë dhe në Botë, me disa përjashtime si në Korenë e Veriut, në Kubë e në pak vende të rruzullit! Mos qé ky një akt kombëtar? Do të mund të diskutohej për këtë mendim, nëse do të ishte e mundur që E. Hoxha ta bënte destalinizimin dhe të mbetej prapë në krye të PPSh-së apo të P. Komuniste. Këtu nuk hyn dot arsyetimi diktatorial i personit tonë. Atëherë, mungesa e destalinizimit e ka rrënjën te karrigia vetjake, jo te dashuria për popullin. Ky le të hante bar! Vetëm kolltuku i sunduesit shëndosh! A është në gjendje prototipi ynë të bëjë krahasimin e vendeve ish-komuniste me vendin tonë të tallonave? Të disidentëve që u toleruan andej dhe të njerëzve që vriteshin për fjalën e pamenduar në një zijafet miqsh, këtej? Të shkëmbimeve të mallrave andej dhe të autarkisë në vendin tonë? Përse andej kishte disidentë të shquar si Vaclav Haveli, që të mos përmendim të tjerët, kurse këtu varej në litar Havzi Nela për një ditar? Këtu vriten edhe bamirës të Enverit, si Syrja Selfo. Edhe shoqe klase të Enverit, si Sabiha Kasimati, e cila nuk merrej me politikë, vetëm se kishte qejf të tallej paksa me huqet e Enver Hoxhës! Madje, pa gjyq fare! Ose më një gjyq-farsë me datë “vendim” pas vrasjes, sa për të mbuluar tiraninë e tij, të cilën ky prototipi ynë kërkon ta lajë e ta shpëlajë! Krahason edhe të vrarët nga zogistët dhe ballistët (Mit’hat Frashëri: Amani, more djem. Mos i vrisni kundërshtarët tanë. I kemi vëllezër!) me komunistët që frymëzohen në një mullar faqesh të përgjakshme të “Veprave” për të bërë kërdinë! Kanë lënë studimet universitare Besnik Çano, Qeramudin Sulo, Adi Kasimati, e të tjerë. I vrau Dushan Mugosha. Përse? Se duhet të luftonin pushtuesit në radhët partizane, jo nacionaliste! Zogu quhet antikombëtar, përmes faqeve të ditarit të donaiolos Galeaco Çiano dhe jo në faqet objektive të të parit autor të traktativave, Aleksandër Lesonës. Sa gjyqe politike ka bërë Ahmet Zogu I? Një dhe vetëm një. Me ç’dënime? 2-3 vjet! “Nëna” e Gorkit shitej, duke u reklamuar vitrinave të librarive! “Bota e Re” botonte shkrime ultra të majta!
Sa dënime politike ka bërë Enveri? Nga ajka e ushtrisë le të cilësohet një, me emër, se ka qenë komplotist kundër Enverit! Le ta bëjë këtë ai prototipi ynë, që u mësonte studentëve të pavërtetat që duan t’i veshin djallit pelerinën e engjëllit! Elita e gjeneralëve nacionalçlirimtarë janë ekzekutuar, duke u vënë në akuza thashethemesh njëri kundër tjetrit. Thashethemet e qenësishme janë këto. Nuk janë ato për të cilat ky pseudohistorian ngarkon në faj edhe të dy studiuesit që paraqesin pa komente punimet e Plenumit II të Beratit, ku Enveri thotë se ishte hija e Miladinit! Në këtë mbrojtje të diktaturës dhe të diktatorit, të 15 janarit, na flitet édhe për patriotizëm. Por nuk përmendet, amà, ajo oferta e postit të Sekretarit I të KQ të PP të Shqipërisë, shokut Tito! Këtë e ka bërë i zellshmi E.H., në servilizmin e tij të paanë ndaj vëllezërve jugosllavë! Një gjë të tillë nuk e ka bërë as Kuislingu i cili mbetet, për antonomazí, si simboli i kolaboracionizmit! Nëse ai prototipi do të kishte lexuar thellësisht Milovan Gjilasin dhe Eduard Kardeljin, nuk do të kishte guxuar ta nxirrte me ndjenja kombëtare idhtarin e tij, Enverin. Sepse në librat e të dyve, ata kanë nxjerrë prova sesi Stalini e kishte Shqipërinë për plaçkë tregu. Kuptimin e fjalës “gëlltitje” ata e dinë më mirë se ai prototipi se cilit vend i referohet Stalini. Të përgjërohesh për një antishqiptar të fuqishëm, që mund t’i bënte gjëmën Shqipërisë, ç’je në pikëpamje të dashurisë për atdheun? Na sugjerohet edhe bibliografia që na duhet për ta shqyrtuar paanësisht Enverin: “Nuk duhet të mbështetemi te kundërshtarët politikë”. Po ku t të mbështetemi? Te byroistët e tij të nivelit të Lenkës, të Palit, të Muhos? Se nuk besoj të na rekomandojë edhe Bedri Spahiun, që i pohon mëkastet e veta, por edhe ia tregon të zezat e sistemit të EH-s dhe e paraqet biografinë e Enverit me objektivitet, duke ia thënë trimërisht në sy! Apo të mbështetemi te fanatikët enveristë si vetë profesori i marksizmit, prototipi ynë, që do të donte ta jepte edhe në shkollat tona të larta? Na thotë edhe: Të lexojmë kolonelin anglez Palmer, që i fut EH-s ca lavde për kulturën, e cila është një grimcë ndaj një mali, e krahasuar me bashkënxënësin e tij të liceut francez të Korçës, Selman Rizën! Veçse Palmeri thotë edhe se: “...Por fatkeqësisht E.H.-a ishte komunist dhe ideologjia nga e cila udhëhiqet nuk kishte të ardhme”. Përse nuk na rekomandon dhe Simkoksin, që e bën fërtele Enverin?
Sa për kolaboracionistët: A mund të quhen të tillë nacionalçlirimtarët Gjergj Kokoshi, Edip Tërshana, Sejfulla Malëshova, Selfixhe Ciu, Xhemal Broja, Zef Mala e mijëra të tjerë, që mund të quakan edhe fashistë se “s’janë me ne”? Na flitet edhe për Francën! Peteni nuk u ekzekutua, se ishte plak, - thotë. Po Enveri a pyeste për moshë? Shkrimtari i talentuar Brazilak vërtet u ekzekutua, por De Goli u bë shpejt pishman që s’e fali në bazë të peticionit që bënë shkrimtarët më të mirë të kohës për falje. Veçse varri i tij nderohet me kurora lulesh dhe nuk është eshtrahumbur! Në Francë mund të jenë dënuar me vdekje, përpjesëtimisht me numrin e banorëve, së paku dhjetë herë më pak se në vendin tonë. Mos flisni për gjëra që s’i dini. Sepse dini vetëm të krihni bishtin e terroristëve! Për sjelljen e E. Hoxhës ndaj kosovarëve, mund të lexojë librin për kosovarin e ri patriot, Namik Lucin, që u arratis ngaqë po i vinte rrotull UDB-ja dhe ra nga shiu në breshër. Ishte një shkencëtar në zbulimet teknike shkencore. U arratis nga Kosova dhe doli nga burgu shqiptar i Enverit i gjymtuar. Janë më shumë se 30 njerëz të elitës së sotme intelektuale që kanë shkruar për këtë patriot të madh dhe intelektual shkencëtar që vdiq para kohe.
Përfundimisht mund të themi se në BE ky prototipi nuk i duhet askujt, se s’ka asnjë zanat, së paku. Le të lozë dominó!