Nishani: “21 janari, sulm ndaj Këshillit të Ministrave – Garda zbatoi ligjin”
Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, në një intervistë televizive thekson se me 21 janar u sulmua dhe bile pati pushtim të përkohshëm të institucionit të kryeministrisë, ndërkohë që konfirmon ofrimin prej Policisë së Shtetit të provave të mjaftueshme për sulmin e organizuar kundër selisë së Këshillit të Ministrave
“21 janari ishte sulm i organizuar kundër selisë së Këshillit të Ministrave”. Kështu u shpreh dje ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, në një intervistë për Abcnews, duke e cilësuar ngjarjen e një viti më parë si të dëmshme për Shqipërinë, pasi në sytë e opinionit publik po i vihej zjarri institucioneve. Sipas tij, hetimet e nisura nga organi i akuzës janë të vonuara, pasi provat për dhunën kanë qenë evidente që ditën e demonstratës së organizuara nga opozita. Ministri i Brendshëm kujtoi se Policia e Shtetit ka ofruar prova të mjaftueshme për organin e akuzës, por nga ana tjetër Prokuroria s’ndërmori asnjë hetim për organizatorët e sulmit ndaj Kryeministrisë. “Humbja e kohës ka kosto. Unë jam i bindur që edhe me provat të cilat janë të evidentuara që ditën e protestës së opozitës, organi i akuzës duhet të kishte kryer një hetim të plotë dhe gjithëpërfshirës. Policia e Shtetit është e gatshme për hetime me institucionin e akuzës. Para së gjithash, Policia e Shtetit ka ofruar prova të mjaftueshme për sulmin e organizuar kundër selisë së Këshillit të Ministrave më 21 janar 2011. Ajo ngjarje është shumë e rëndë për Shqipërinë, por fatmirësia qëndron që u zhvillua në sytë e opinionit publik, u pa qartë nga publiku, çka tregon se kemi patur një sulm të drejtpërdrejtë me mjete që varionin nga sendet e forta e deri me bomba molotov (shishet me benzinë që u hodhën drejt ndërtesës së Kryeministrisë) si dhe persona të armatosur. I gjithë ky sulm tentonte të thyente forcat e sigurisë dhe protestuesit të hynin brenda Këshillit të Ministrave ku ndodheshin Kryeministri i vendit apo dhe punonjës të tjerë të institucionit si dhe qindra e mijëra dokumente. Pra, sulmi ishte i drejtpërdrejtë dhe i planifikuar për rrëzimin e qeverisë. Në sytë e të gjithë shqiptarëve janë pamjet e 21 janarit gurët, drurët pllakat e bulevardit dhe shishet molotov që fluturonin mbi kokat e forcave të policisë shkaktuan dhjetëra efektivë të plagosur” - u shpreh Nishani.
Ministri i Brendshëm theksoi se qeveria është e interesuar për një hetim të drejtë, të thellë dhe gjithëpërfshirës. Sipas tij, qeveria ka ofruar të gjithë mbështetjen e duhur për zbardhjen e ngjarjes, ndërsa për asnjë moment shumica parlamentare s’ka tentuar të devijojë hetimet. “Para pak ditësh u lëshuan disa mandate arresti të konfirmuara nga gjykata. Asnjë prej atyre personave që akuzoheshin nga 21 janari i kaluar, nuk u largua nga vendi, por prokurorisë i janë vënë në dispozicion të hetimeve të gjithë pjesëtarët e gardës, të akuzuar. Ky është një proces që ecën dhe ne si Ministri e Brendshme do t’i vëmë në dispozicion të gjithë ekspertët që do të kërkohen për zbardhjen e kësaj ngjarje. Çdo material dhe ekspertizë qoftë nga Policia e Shtetit apo ashtu dhe nga Policia Gjyqësore do jetë në ndihmë të hetimeve” - tha ai. Për ministrin e Brendshëm ligji për Gardën e Republikës, i miratuar në vitin 2003, parashikon qartë veprimin e forcave të sigurisë në momentin e sulmit ndaj objektit në ruajtje. Këshilli i Ministrave është objekt në ruajtje nga Garda e Republikës dhe në momentin e sulmit ndaj objektit në ruajtje, Garda ka detyrimin ligjor të përdorë armët e zjarrit. “Neni 25 në ligjin për Gardën e Republikës i miratuar në vitin 2003, thotë se punonjësi i gardës përdor armën, në rastet e specifikuara nga ligji për përdorimin e armës së zjarrit si dhe në rastet; a) kur sulmohen personalitetet e larta shtetërore dhe të huaja dhe; b) rojet dhe objektet në ruajtje. Sipas ministrit Nishani, që në momentin që objekti është sulmuar, Garda ka bërë një betim për ruajtjen e objektit. “Ligji është shumë eksplicit dhe pamjet e dhunës së ushtruar më 21 janar janë shumë të qarta. Garda e Republikës ka një status të veçantë. Protestuesit kanë hyrë në perimetrin e Këshillit të Ministrave. Thyen portën e hekurit dhe pushtuan përkohësisht ndërtesën e Kryeministrisë. Këshilli i Ministrave është objekt në ruajtje nga Garda e Republikës. Në momentin e sulmit ndaj objektit në ruajtje, Garda ka detyrimin ligjor të përdorë armët e zjarrit”- tha ministri i Brendshëm, Bujar Nishani.
Ministri i Brendshëm foli dhe për analizën e dikasterit që drejton, duke u fokusuar në luftën ndaj kriminalitetit dhe trafikut të narkotikëve, si sfidat kryesore për vitin 2012-ë. Nëse vërehet një klimë tensionuese sa i takon qetësisë dhe rendit publik, Nishani i bëri thirrje klasës politike që të heqë dorë nga përdorimi i retorikës konfliktuale, që shpesh herë çojnë në cenim të sigurisë publike. “Në çdo rast kur ka përdorim të retorikës konfliktuale të gjuhës së politikës, mund të jetë emotive, por mund të ketë perceptime të ndryshme të grupeve kriminale. Mendoj se debatet e tilla duhet të mbeten brenda institucioneve. Të gjithë aktorët politik të japin kontribut në luftën kundër krimit” - tha më tej ministri i Brendshëm, Bujar Nishani.
L.Quku