E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të jetosh në ishull; Pro dhe kundër, Blushit



“Suksesi” i librit të Ben Blushit nuk ka ardhur nga mediat, por nga ata që e lexuan librin dhe vendosën të shkruajnë në media, pro dhe kundra. Në këtë përmbajtje dhe nxitje të mendjes së hapur, natyrës mirëfilli politike të Blushit, duket se mori nismën shtëpia botuese “Toena”, për ta paraqitur në ditët e panairit të librit “Tirana 2008”.

Nuk pati promovim të bujshëm, as ndonjë imponim mbi median që libri i Blushit të shitej. Këtë herë duket se libri i Blushit ka pritur realisht finalizimin - t’i takonte historisë së çmimit që ka ngritur Shoqata e Botuesve Shqiptarë, atë të bestsellerit në vend

“Asnjë roman apo vepër letrare e botuar pas vitit 1990 në Shqipëri nuk është shoqëruar me kaq debat, me kaq interes për median dhe për publikun sa romani “Të jetosh në ishull” i Ben Blushit”. Kjo ironi e mbërritur për median si përcjellëse e një “fame” si kjo e librit të Blushit duket se nuk i ngjet aspak realitetit dhe të vërtetës se çka ndodhur me këtë pjesë të debatit, për të cilën u ndërtua një libër prej 400 faqesh të marra nga artikuj të shtypit të përditshëm. Pra, bëhet fjalë për një libër, që përfshin gjysmë viti artikuj të shkruar në gazetat e përditshme, të përmbledhur në një tjetër libër për romanin “Të jetosh në ishull”. “Suksesi” i librit të Ben Blushit nuk ka ardhur nga mediat, por nga ata që e lexuan librin dhe vendosën të shkruajnë në media, pro dhe kundra. Në këtë përmbajtje dhe nxitje të mendjes së hapur, natyrës mirëfilli politike të Blushit, duket se mori nismën shtëpia botuese “Toena”, për ta paraqitur në ditët e panairit të librit “Tirana 2008”.

Nuk pati promovim të bujshëm, as ndonjë imponim mbi median që libri i Blushit të shitej. Këtë herë duket se libri i Blushit ka pritur realisht finalizimin - t’i takonte historisë së çmimit që ka ngritur Shoqata e Botuesve Shqiptarë, atë të bestsellerit në vend. “Nuk mbahet mend në historinë e letërsisë shqipe që të jenë shkruar në një kohë të shkurtër, jo më shumë se 6-mujore, një numër kaq i madh artikujsh e shkrimesh, sa për romanin e Ben Blushit “Të jetosh në ishull”; të jenë realizuar aq shumë emisione e debate televizive; të ketë pasur aq shumë takime me lexuesit në të gjithë vendin dhe jashtë kufijve; të ketë pasur aq shumë opinione e prononcime në internet. Por shprehja më domethënëse e interesit për këtë libër dhe autorin e saj është, pa dyshim, numri rekord i shitjeve: pothuaj 20.000 kopje libri në gjysmë viti”, - shkruan botuesi për botimin “Pro dhe kundra, Blushit”. Edhe vetë titulli duket sinjifikativ, duke të lënë sërish në debat se këtu nuk flitet të shitet një emër, por një libër që ka hyrë në interesin mediatik më tepër prej asaj pjese që quhen shkrimtarë, kritikë, gazetarë, studiues, historianë etj. Në këtë libër vlen të thuhet se janë përfshirë vetëm një pjesë e zgjedhur nga botuesi i artikujve, shkrimeve dhe prononcimeve që përfshijnë rreth 60 të tillë nga media e shkruar, pro dhe kundër Blushit, apo më saktë edhe librit njëkohësisht. Ndërsa për librin janë evidentuar nga botuesit mbi 200 artikuj të shkruar, dhjetëra emisione televizive e radiofonike. Më poshtë po shkëpusim disa fjali të disa autorëve, shkrimtarëve, kritikëve dhe studiuesve që janë shprehur në media pro dhe kundra Blushit, artikuj dhe mendime të përfshira në librin tjetër, dedikuar autorit të “Të jetosh në ishull”:

“Nuk jam as me ata që shajnë romanin e Blushit “Të jetosh në ishull”, as me ata që e mbrojnë. Në letërsi nuk hyhet me shpatë në dorë, por me asi pene të padukshme që ndikon te lexuesi dhe kritika letrare... Vepra artistikisht i ka dobësitë, të cilat po i rendis pa i analizuar: e para -gjuha. Është një gjuhë pa reliev, e dystë, e përgjithshme. Stili dëftor, informativ, pa dinamikë. Do të thosha një “stil anemik, vegjetarian”. Kam përshtypjen se në Shqipëri kanë harruar përfare ç’do të thotë tekst artistik, “kënaqësi e tekstit” sipas R. Barther. Është e vetmja dorëzani për ta klasifikuar një vepër “artistike” apo “jo artistike”. Për mua mbetet një vepër me të gjitha simptomat e narracionit masiv. Nëse vepra nuk qëndron në këtë pikë, atëherë vetvetiu bien të gjitha planet e tjera, ideore, kulturore, artikuluese. Mua nuk më intereson aspak se çfarë flet Blushi, për historinë, a ka vërtetësi historike apo jo. As kë provokon vepra. Zaten qëllimi i letërsisë masive është të provokojë! Mua më intereson shkrimtari B. Blushi. Dhe atë nuk e gjeta në asnjë faqe...”, - shkruan shkrimtari Agron Tufa në gazetën “Tirana Observer”, maj 2008. Mjafton të shkosh tek ky artikull për të kuptuar se çfarë kërkohet nga një shkrimtar, për të kuptuar teoritë kur një libër qëndron në nivelin artistik, e një shkrimtar quhet i tillë.

“Autori mund të nxitet, grishet, provokohet, nga një fakt real historik a bashkëkohor, por më tej, kur ai gjendet brenda asaj bote të komplikuar, me befasi dhe të papritura, kur lundron brenda hapësirës së pafund të një deti, shpesh të trazuar stuhish të brendshme të personazhit, nuk mund të parashohë saktësisht se ku do ta nxjerrin valët barkën e narratorit, përkatësisht autorit... Ai lundrim tani i rrëfen ngjarjet edhe për autorin...”, - shënon ndër të tjera kritiku Ali Aliu, në “Gazetën shqiptare”, tetor 2008, duke na bërë të qartësojmë se ç’ngjet me situatat letrare dhe jashtëletrare të narracionit në një roman.

“Debati, që në fakt u kthye në një publicitet të papaguar për autorin, rroku të gjitha fushat, duke filluar që nga tema e deri te forma. Po pakkush dhe sidomos kritikë të mirëfilltë të artit morën në sitë këtë roman, e kjo ndoshta, se fatkeqësisht Blushi fillimisht u pa si një politikan që ka shkruar një roman dhe jo si shkrimtar i lindur që ka bërë një vepër artistike. Ky ishte provokimi i parë ndaj publikut dhe kryesisht ndaj klasës politike, e cila me sa kam konstatuar dhe vetë e lexoi më shpejt se lexuesit e zellshëm romanin e parë të Blushit, për të parë nëse gjendej vetë në atë roman. Provokimi i dytë kishte të bënte me temën...”, - shkruan gazetari Andi Bejtja, më 3 maj 2008, në gazetën “Panorama”, duke bërë të ditur detyrën e medias kur në treg shfaqen libra të natyrës së Ben Blushit, pra i takon racionales së paraqitjes, thjesht të një provokimi për të ftuar vështrimin kritik në një situatë leximi të tekstit dhe gjurmës letrare.

“Zhurma mediatike dhe akademike e shkencave joletrare i zuri në befasi profesionistët e leximit të letërsisë si tekst dhe jo tjetërsoji. Madje, një pjesë e tyre ranë në grackën e leximit nacional-sociologjik të librit, një pjesë bëri përpjekje sizifiane, me artikuj të zgjatur të teorisë së teorisë letrare, se si u dashka lexuar letërsia dhe ky libër, një tip tjetër i lexuesve të letërsisë “ia hyri detit në këmbë”, duke kryer një lexim filozofik dhe historik të librit. Megjithatë “Të jetosh në ishull”, si i pari libër i autorit, është prurje në raport me thënien dhe art-thënien, me tentativën për ta dekoduar historiken dhe figurat qendrore të saj, në qasjen në problematikat e mprehta fetare të kohës dhe pa dyshim edhe të shqiptarëve që ndihen të paqëtuar në prani të tre besimeve”, - shkruan studiuesi Behar Gjoka, në gazetën “standard” të qershorit 2008, duke hedhur në argumentet e tij tezat mbi letraren dhe narracionin, si lexim teksti, mbi kronikën dhe antikronikën, dallimin personal të politikanit që shkruan dhe autorit të një libri të angazhuar, që rrek imunitetin në letërsi dhe raportin mes fetares dhe letrares etj.

“Nëse do të kërkojmë të gjejmë tiparet e “stilizimit” që i ka bërë Blushi historisë, atje do të vërejmë se historia është interpretuar sipas disa klisheve ideologjike të njohura nacional-romantike shqiptare të rimarra në kontekstin e zhvillimeve nacionaliste tona të periudhës së paskomuniste, kur kemi një proces ripërcaktimi të identitetit/eve shqiptar/e. Gabimi themelor që bën Blushi nën ndikimin e këtyre klisheve/miteve romantike dhe që, nga ç’kam ndjekur debatet, është gabim i thuajse të gjithë debatuesve që kam ndjekur, është qasja esencialiste ndaj identitetit kombëtar shqiptar...”, - shkruan analisti Fatos Lubonja, duke mbajtur në gazetën “Korrieri”, maj 2006, debatin në një fitil tjetër ndezës dhe delikat të kohëve të fundit, teza që na çojnë në trajtimin analitik të koncepteve nacionale mbi shqiptarinë, sidomos identitetin.

“Romani “Të jetosh në ishull” nëse trajton katër shekuj histori nuk është më roman, pasi tregimi letrar duhet të trajtojë një temë të përcaktuar në kohë dhe në hapësirë. Sigurisht, ai nuk është as një vepër historike, pasi ka që nga fillimi e deri në fund trill apo imagjinatë me veshje letrare. Pavarësisht nga kjo, “Të jetosh në ishull”, me autor Ben Blushin, është një vepër tërheqëse, me një stil tregimtar të këndshëm, e cila lexohet me kënaqësi dhe me kureshtje. Megjithatë, mbetet një vepër letrare, me një bosht ngjarjesh historike... Ne prisnim që “analistët” në vlerësimet që ata dhanë në faqet e shtypit, apo në tryezat televizive të përqendroheshin në vlerat letrare të veprës së Ben Blushit. Përkundrazi, pothuajse të gjithë u hallakatën në faktorët që përcaktuan përhapjen e islamizmit ndërshqiptar...”, - shkruan historiani Kristo Frashëri, në “Gazetën shqiptare”, maj 2008, duke kërkuar nga pjesa më e madhe e debatuesve, për të orientuar detyrat që ka një libër, një roman, si në sensin e linjës së logjikës historike, ashtu dhe asaj letrare.

“Përshtypja e parë që pata, pasi lexova romanin e ri të Ben Blushit, ishte, pa dyshim, befasia. Sepse, për mendimin tim, s’ka asnjë dyshim se me romanin e tij të parë Ben Blushi na ka sjellë një vepër që të befason, që kjo që lidhet së pari me vlerat e veprës dhe vetëm pastaj, me faktin se kjo vepër vjen nga dikush që deri më sot jemi mësuar ta shohim si një personazh të njohur të jetës sonë, publike dhe politike. Ishim të shumtë elementët që më bënë të ndihem i befasuar teksa lexoja romanin “Të jetosh në ishull””, - shkruan studiuesi, Piro Misha në gazetën “Tirana Observer”, në prill 2008, duke na përcjellë kështu befasinë emocionale, krejt personale, pse një lexues duhet të shkojë në leximin e librit të Blushit. Sentencat e mësipërme i takojnë vetëm një qelize mendimi, të autorëve që u janë shënuar emrat, të përfshirë në librin “Pro dhe kundra, Blushit”, duke na bërë të konkludojmë se libri ia vlente të botohej qoftë dhe për gjithë këtë debat të shkaktuar. Askush prej personazheve të mësipërm, apo dhe emra që janë përfshirë në shkrime artikujsh, pro dhe kundra, nuk do ta merrnin nismën për të hedhur as edhe një germe nëse nuk do të ngacmoheshin nga principe qoftë letrare, historike, mediatike, politike apo dhe thjesht për t’iu gjendur një miku si Ben Blushi, sa për t’i shprehur emocionin. Fakti që libri i botuar “Të jetosh në ishull” angazhoi në mënyrë serioze studiues, shkrimtarë, kritikë, politikanë, gazetarë, analistë për të shprehur më shumë idetë e tyre, na tregoi një shembull se si mund të ngacmohen elitat në ditët e sotme në Shqipëri: për xhelozi, për ideale, për pasione për parime, për servilizëm, thjesht për politikë - apo mbi të gjitha për të kuptuar nivelin letrar nga duhet njerëzit e mësipërm të nisin leximet.

Box gri

Ben Blushi “kërkon” çmim!

Jeta që ka bërë në treg libri i Ben Blushit “Të jetosh në ishull” është nga ato raste unikale të bestsellerit në vendin tonë. Jo vetëm tregu, por edhe libri i tij si fenomen – shtyu shumë lexues të shkonin nga teksti i “romanit” në rileximin e historisë. Na duhet të pohojmë situatën e një shkrimtari, poeti, që ka vizituar së fundi Shqipërinë, ku shprehet se “tjetër gjë është të jesh bestseller dhe të shesësh mijëra libra, kopje dhe tjetër gjë është të bësh artin përbrenda saj”. E gjithë atmosfera e botuesit të “Toenës”, që ka pasur ekskluzivitetin e librit të Blushit ka qenë entuziaste, përderisa fliste për shitjen e librit “Të jetosh në ishull”. Në një panair libri ku flitet për shitje librash dhe pak për autorët, anonçimi i çmimit të botuesve këtë hamendësonte, se kjo vlen për pjesën e lexuesve në masë. Por, në mbrëmjen e ndarjes së çmimeve ndodhi e kundërta. Papritur botuesit u bënë rigorozë në qëndrimin e tyre, duke i dhënë çmimin “politik” shkrimtarit Visar Zhiti, për një libër që nuk është promovuar, që pak e njohin, e për më tepër që nuk shënon shifra shitjeje në treg. Vlen të theksohet se pritshmëria nuk ka të bëjë me shkrimtarin, por me kontekstin e një kulture bestseller në Shqipëri, që siç duket na nis nga libri i Ben Blushit, si i pari libër, ashtu sikurse ka ndjekur librin “Kodi i Da Vinçit”, të Dan Brown. Ben Blushi arrin të krijojë këtë rreth marketingu jo për suksesin e botuesit, sikurse mund të pritej çmimi, por për një famë politike, për një “backgraund” kulturor, që solli me vete libri i tij. Debati në këtë mes “pro” dhe “kundra”, nuk i takon dhe as nuk i shkon një teksti letrar, do ishte arbitrar ky lloj diskutimi siç edhe janë shprehur kritikët. Në letërsi flitet për stil, për ide, për lëndën estetike, për narracionin, për figurshmërinë, për një lloj bote të brendshme të shkrimtarit, për arketipin.

Libri i Ben Blushit ka meritën finale se ka ngjallur debat. Për këtë, botuesit të “Toenës”, si shembull i parë, i është dashur të ndërtojë një libër të dytë, duke mbledhur të gjitha mendimet, për letraren, historiken, dhe jashtëletraren e librit të Blushit.

Në llojin e bestsellerit më mirë është që të shiteshin me mijëra kopje të “Të jetosh në ishull”, sesa të dëgjojmë nga shtëpi botuese se si shkruajnë histori telenovelash autore mediokre shqiptare. Diskutimi për Ben Blushin për fat nuk i takon këtij rangu. Të paktën interesi që ka ardhur për këtë libër i takon një hapësire debate më së tepërmi mbi historinë, duke rikthyer vëmendjen në një fenomen tronditës, se kush jemi. Që ky libër i takon jashtëletrares e kanë thënë kritikë e studiues seriozë. Por kjo nuk ka shqetësuar askënd, aq më pak palën që e ka shkruar dhe botuar librin, për faktin e një koshience të qartë; se libri është shkruar për t’u shitur. Përpjekja e Shoqatës së Botuesve për të instaluar një çmim që pak ka të bëjë me shkrimtarin, me debatin e ngjallur se kur shkruhet letërsi, këtë herë duket se u ka shkuar nga duart. Libri i Ben Blushit në listën e parë të marrjes së një çmimi si bestseller nuk dihet për ç’arsye u rrëzua, ashtu sikurse u rrëzua dhe dhënia e çmimeve të tjera, duke kujtuar se është e njëjta histori për t’u mos luajtur nga vendi: se çmimet botuesit i ndajnë sipas interesave, që edhe këtë herë ndryshe ishte atmosfera dhe krejt papritur shembet, duke e shndërruar atë në një çmim politik.

V.M

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›