PROBLEMATIKA POSTKUSHTETUESE
RREGULLIMET ZGJEDHORE
Sistemi zgjedhor
Kushtetuta përfshiu një grup rregullash lidhur me zgjedhjet që mund të ndahen në dy grupe, ato që përcaktojnë mënyrën e zgjedhjes së Kuvendit dhe dispozitat për KQZ. Sistemi zgjedhor është një element krucial kushtetues – le të kujtojmë se anglezët konsiderojnë si reforma të mëdha kushtetuese ndryshimin e përfaqësimit në tre reformat e viti 1832, 1867 dhe 1884, por që në përgjithësisht nuk gjen pasqyrim në kushtetuta; kjo ndodh sepse nevoja e ndryshimit të tij mund të diktohet herë pas here ndërsa ngrehina e kushtetutës nuk lëviz. Por një shembull i kundërt do të ishte kushtetuta amerikane, në të cilën përcaktohen mënyrat e zgjedhjes së Presidentit, Senatit dhe Dhomës së Përfaqësuesve dhe që, duke përjashtuar amendamentet për liritë e të drejtat, përfshi shfuqizimin e skllavërisë, është amendamentuar vetëm për mënyrën e zgjedhjes së Presidentit (1807), të senatorëve (1913) dhe rregullime të tjera lidhur me zgjedhjet e përfaqësimin. Vendosja e sistemit zgjedhor (neni 64) në Kushtetutë është e diktuar nga nevoja për stabilitet dhe nga parimi i garantizmit, kjo kuptuar në një kontekst politik në tranzicion të vazhdueshëm.
Brenda pak kohësh thuajse të gjithë aktorët politikë u ndërgjegjësuan për nevojën e rishikimit të sistemit drejt një proporcionali të pastër, ashtu që të shmanget kompeticioni individual në zona njëemërore, si dhe pasojat e tij në peizazhin politik shqiptar: përfshirja e grupeve dhe individëve të lidhur drejtpërdrejt me krimin në fushatat zgjedhore, por edhe në procesin e votimit, si dhe përfshirja e parave të pista apo joformale që krijojnë detyrime afatgjata për të zgjedhurit. Mendohet, gjithashtu, që reforma e sistemit do të ulë tensionet politike në zgjedhje. Ligjvënësi u bashkua me konceptimin kushtetues fillestar, për ta rregulluar sistemin zgjedhor në rrugë kushtetues dhe kështu ndryshimet e sistemit u pasqyruan në Kushtetutë me amendamentet e 21 prillit 2008 (Ligji nr. 9904). Sa i përket aberracioneve zgjedhore të konstatuara në dy zgjedhjet e fundit ato erdhën jo për shkaqe kushtetuese, por sepse ligji zgjedhor i mbështetur formalisht në dispozitën përkatëse e shtrembëroi me bekimin e faktorit ndërkombëtar principin e barazisë së votës, duke parashikuar dy vota të ndara, veç për kandidatin e veç për partinë; prandaj edhe shmangia e fenomenit të Dushkut mund dhe do të mund të bëhej edhe pa ndryshime kushtetuese të sistemit, por vetëm me rregullime ligjore – votimin me një votë të vetme. Por zgjedhja, për mendimin tim, e drejtë, për të shkuar drejt një sistemi proporcional i gjeti njëkohësisht zgjidhje edhe këtij problemi.
KQZ-ja
Një problem i identifikuar i praktikës politike e kushtetuese ka qenë njëanshmëria, partizanship-i, e trupave të ndryshme institucionale, që do të duhej të ishin mbi palët; po të shtohet këtu diskreditimi politik e moral i organeve monopartiake të diktaturës duket se ishte krijuar atmosfera dhe bindja kundër tyre. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (Pjesa XII) është një përpjekje për krijimin e organeve të departizuara.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ishte një dështim, sepse në thelb dështoi apo më drejt u keqpërdor ideja vullnetmirë e bordeve jashtë apo mbipartiake. KQZ-ja që doli nga Kushtetuta ishte edhe më e kompromentuar – tashmë shumë më thellë jo vetëm në rrafsh politik por edhe nepotik – se ajo e zgjedhjeve të vitit 1991. Problemi që evidentohet në këtë rast është ndjekja e zakoneve të mira kushtetuese, domethënë jo vetëm ato të vendit, por edhe të traditave të tjera demokratike. Nuk mund të emërohen borde të tilla pa konsultë me palët politike, pa u respektuar ndoshta jo në detaje, por në tërësi vullneti popullor që ato përfaqësojnë, pa u krijuar një balancë palëve. Si vepron në të tilla raste Presidenti i një republike kushtetuese të ngjashme me tonën? Si vepron Presidenti gjerman, italian, grek etj? Sepse kur flasim për zakone të mira, ato duhen kërkuar jo vetëm në traditën vendase, por edhe në të huajat e ngjashme, për më shumë në një vend pa ndonjë traditë të tillë. Mandej nuk ka kushtetutë që të mund të përshkruajë çdo procedurë – e jona është mjaft e detajuar, por prapë nuk mund. Norma nuk mund të detyrojë zakonet, e kundërta është e mundur: zakonet e mira mbushin vakumet kushtetuese, jetësojnë edhe një normë të paplotë, të vjetruar apo të paqartë.
Kësisoj rregullimet për KQZ-në, që u introduktuan në tekstin kushtetues në çastet e fundit, u bënë në të vërtetë një pengesë. Ato u kthyen në një justifikim për të ashtuquajturin “respekt të institucioneve”, të cilat mbasi ishin zhveshur nga përmbajtja e tyre u vendosën si barriera për një proces politik normal. Gradualisht por jo pa kosto, ato u kthyen në institucione të balancuara politike.
Për këto arsye kur dispozitat e pjesës XII të Kushtetutës u shfuqizuan, pakkush mund të sillte ndonjë argument të kundërt.
SENATI SI MUNGESË
Kam menduar dhe vazhdoj të mendoj se një dhomë e dytë do t’i vlente Shqipërisë. Çështja fokale në diskutimin kushtetues të ‘98 është senati, pra nuk gjendemi në boshllëk të mendimit kushtetues; për më tepër që përmbajtja e atyre diskutimeve është e botuar dhe kësisoj nuk fillojmë një diskutim nga fillimi.
Arsyeja themelore e kritikës ndaj senatit është se ky është një unikameralizëm i maskuar, kriptounikameralizëm; të dyja dhomat zgjidhen me të njëjtin ligj elektoral, të dyja dhomat kanë të njëjtën kompetencë në fushën legjislative dhe kompetencë politike për të votuar qeverinë. Duke qenë se nuk dallohen midis tyre, përveç ngadalësisë së procesit legjislativ, të dyja dhomat nuk i japin absolutisht asgjë skemës konstitucionale të vendit.
Bikameralizmi funksional që do të përcaktonte një mënyrë zgjedhjeje të senatit të ndryshme nga Kuvendi me mandat individual e jokolektiv – pra nuk do ta lidhte fatin e senatorit me fatin e mazhorancës dhe kështu autonomia e tij vendimmarrëse do të kishte garanci institucionale; dhe që do t’i jepte senatit kompetenca komplementare kundrejt Kuvendit, dhe më konkretisht shqyrtimin e ligjeve organike, sigurisht jo të buxhetit, një rol më të dalluar në politikat e sigurisë dhe kontrollin parlamentar të tyre, si dhe emërimet në pjesën natyrore të shtetit – Presidenti, gjykatat, prokuroria, shërbimet inteligjente, shërbimin e jashtëm – si dhe emërime në të ashtuquajturit borde jashtë-ekzekutive, por jo votëbesimin dhe mosbesimin e qeverisë.
Së pari, një shtet është juridiksion mbi territorin dhe prandaj interesat e përfaqësimit të territorit janë interesa të të gjithëve dhe për këtë do të ishte mirë dhe e arsyeshme që ato të përfaqësoheshin në Parlament.
Së dyti, nëse 1/3 e senatit zgjidhet çdo dy vjet, 2 senatorë për çdo qark, pra rritet shpeshtësia e zgjedhjeve në vend. Rritja e shpeshtësisë së zgjedhjeve ndihmon që tensioni politik të shkarkohet nëpërmjet zgjedhjeve dhe mund të zbusë agresivitetin verbal, t’i bëjë aktorët politikë të kujdesshëm e pragmatikisht më të përgjegjshëm. Së treti, ne kemi nevojë për kodet etj., të kemi një proces legjislativ më të përmbajtur. Senati do të rishqyrtonte ligjet që aktualisht shqyrtohen me 3/5, ide kjo që u gjet si zgjidhje pasi ra ideja e senatit. Së katërti, emërimet në pjesën natyrore të shtetit do të kishin një vlerësim më të madh, po ashtu transparencë dhe votimi – sigurisht i hapur (besoj që Shqipëria është vendi kampion ku deputetët nuk mbajnë përgjegjësi për kë emërojnë e zgjedhin) – në senat do të mund të ishte më i balancuar.
Së pesti, zgjedhja e Presidentit nga Parlamenti i bashkuar në seancë me të dy dhomat, senat dhe Kuvend – projekt i 1998 – do të ishte një zgjidhje e pakritikueshme.
Së gjashti, senatorët për jetë, nuk kanë qenë në ndonjë projekt tonin, por mund të ishin në një numër të kufizuar – ex ufficcio ose personalitete të shquara që nuk kanë ku dhe si të ndikojnë në jetën politike. Së shtati, do të mund të zgjidheshin personalitete që kur futen në mekanizmin partiak të dhomave të ulëta thjesht nuk vlejnë më.
Së teti, Monteskje na mëson “shpikni ambicie për t’ia kundërvënë ambicies”; një organ tjetër kushtetues, me kompetencë të qartë nuk do të lejonte ose do të moderonte politikat partikulariste në pjesën natyrore të shtetit. Argumenti ekonomik kundër senatit kuptohet që nuk është argument kushtetues dhe po të llogariten sa borde e komitete e gjykata janë krijuar mund që ngritja e senatit të rezultojë drejtpërdrejt rentabël.
Së fundmi, kjo kushtetutë është shkruar e konceptuar për Parlament me dy dhoma, pra edhe me senatin; ky i mungon.
VOTIMET E FSHEHTA NË KUVEND
Siç u përmend më lart, një nga problemet më themelore të zbatimit të Kushtetutës është mënyra e votimit të emërtesave të Kuvendit apo të të tjerave që ky i ndan me Presidentin apo organe të tjera.
Kushtetuta parashikon në mënyrë të cilësuar dy raste të votimit të fshehtë nga Kuvendi dhe konkretisht neni 73.4 për heqjen e mandateve (Për rastet e parashikuara në paragrafët 2 dhe 3 të këtij neni, Kuvendi vendos me votim të fshehtë) dhe neni 87.2 (Presidenti i Republikës zgjidhet me votim të fshehtë dhe pa debat nga Kuvendi). Në rastin e Presidentit zgjedhja bëhet me votim të fshehtë, sepse normalisht paraqitet më shumë se një kandidat dhe votimi i hapur do të ishte në kundërshtim flagrant me parime të gjithëpranuara të funksionimit të demokracisë parlamentare, por jo shkarkimi; propozimi për shkarkim të Presidentit kërkohet të votohet me dy të tretat (neni 90), dhe neni nuk e cilëson të fshehtë sepse impeachment-i nuk mund të jetë i fshehtë. Por Rregullorja e Kuvendit, në nenin 112.4 shprehet se ... Kuvendi vendos për shkarkimin e Presidentit të Republikës me jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij dhe me votim të fshehtë. Duhet kuptuar se nëse heqja e imunitetit të deputeti bëhet përjashtimisht me votim të fshehtë por me shumicë të thjeshtë, prandaj edhe është shprehësuar në Kushtetutë, vendimi është marrë sepse kjo është mbrojtja e vetme për deputetin; presidenti ka dy mbrojtje: votimin me dy të tretat dhe shqyrtimin nga Gjykata Kushtetuese – anëtarët e së cilës propozohen nga Presidenti – për krimin që pandehet. Impeachment-i, si dhe komisioni hetimor etj., u morën nga tradita kushtetuese amerikane, prandaj lypset që për norma të ngjashme t’u drejtohemi traditave të konsoliduara. Është e tepërt të përmendim se kjo është procedurë e hapur, madje në rastin “Klinton” votimi ishte nominal. Kush mund të mendojë se Presidenti hiqet me votim të fshehtë, si mund të ngjasë një veprim me pasoja të mëdha për stabilitetin politik të vendit duke e fshehur votën?! Kush e mban përgjegjësinë?
Kuptimi i votimit të fshehtë është ai i zgjedhjes midis dy a më shumë kandidatëve, siç është rasti i kryetarit të Kuvendit (Neni 75.1: Kuvendi zgjedh dhe shkarkon Kryetarin e vet) – përfshi edhe rastin kur në zgjedhje nuk paraqitet më shumë se një kandidat. Adoptimi i një kriteri jokushtetues, me prejardhje të paqartë, për votim të fshehtë sa herë që votohet për emra (neni 60.1 Rregullores së Kuvendit: Votimi i fshehtë bëhet për çështje që kanë të bëjnë me personat) shmang përgjegjësinë e deputetit për votën e dhënë, shmang llogaridhënien e të zgjedhurve para zgjedhësve në një sistem kushtetues. Ky nen i adoptuar nga frika e votimit të hapur në diktaturë, niset nga pandehma se jemi po në diktaturë; megjithëse jo një demokraci e zhvilluar, vendi për fat të keq të disa luftëtarëve të vonuar të diktaturës e ka kapërcyer këtë. Në veçanti, votimi i fshehtë për të dhënë ose jo pëlqimin e Kuvendit për propozimin e Presidentit për anëtarët e dy gjykatave më të larta dhe Prokurorit të Përgjithshëm, sipas formulës pëlqim-emërim, është i pakuptimtë qëkurse votimi bëhet për një dekret të Presidentit. Lypset që në një rast si ky t’i drejtohemi praktikës kushtetuese prej ku është marrë formula me pëlqim, pra praktikës së votimit në Senatin amerikan – kjo na e konfirmon qëndrimin tonë.
Për hir të së vërtetës në Kushtetutë bashkëjetojnë në mënyrë jo fort të lumtur dy formula, e mësipërmja dhe tjetra propozimi nga Presidenti dhe zgjedhje nga Kuvendi. (Shiko nenin 161.2: Guvernatori zgjidhet nga Kuvendi me propozim të Presidentit të Republikës për ...; dhe nenin 162.2: Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit zgjidhet dhe shkarkohet nga Kuvendi me propozim të Presidentit të Republikës.) Edhe këto emërime nuk mund të jenë me votim të fshehtë; diferenca në formulim është për të bërë të dallueshëm diferencën e këtyre organeve që varen nga Kuvendi, përkundrejt gjykatave e prokurorisë ku duhet të mbizotërojë roli i Presidentit. Nga ana tjetër është ruajtur terminologjia e kushtetutave të tjera të viteve ’90. Në historikun e shkurtër të kësaj Kushtetute kanë luajtur rol destruktiv dhe precedent negativ rastet kur Presidenti është përpjekur të mënjanojë përgjegjësitë me të cilat e vesh Kushtetuta dhe i ka paraqitur Kuvendit më shumë se një kandidat duke e detyruar këtë të procedojë me votim të fshehtë.
Problem tipikisht yni, sikundër do ta shohim edhe më tej, është se në dinamikën e luftës politike ne jemi të gatshëm të shkallmojmë edhe bazamentin kushtetues ku mbështetet politika si veprimtari. Rasti më flagrant është kërkesa e përsëritur në Kuvend – lavdi Zotit pa sukses – për të votuar me votë të fshehtë edhe qeverinë. Me shpresën e aleatëve të fshehtë në grupin kundërshtar, opozitat tona kanë qenë të gatshme të hedhin në erë parimin e përgjegjësisë së të zgjedhurit para zgjedhësit.
Në parim emërimet politike kërkojnë marrjen e përgjegjësive politike dhe të votimit të hapur; justifikimi se deputetët nuk janë të lirë apo aq më keq të frikësuar nuk i reziston shqyrtimit sepse pikërisht për këtë votimi duhet i hapur. Përgjegjësia para zgjedhësit do ta detyrojë deputetin të bëjë zgjedhjen e duhur në votim, ndërsa votimi i fshehtë nuk e ka shmangur votimin sipas linjave partiake; por tek e fundit partitë votohen dhe mbajnë përgjegjësi gjithashtu.
Megjithëse relativisht jashtë vëmendjes publike dhe i paevidentuar si problem, edhe pse në Kuvend është paraqitur një propozim për ta ndryshuar këtë praktikë, votim i fshehtë jashtë dhe antikushtetues përbën një shqetësim të cilit Kuvendi duhet t’i adresohet.
GJYKATA KUSHTETUESE
Një poet romak ka pyetur: kush do t’i ruajë rojet? Gjykata Kushtetuese ruan Kushtetutën, po këtë gjykatë kush e ruan? Gjykata Kushtetuese i nënshtrohet vetëm Kushtetutës. (Neni 124.1), kështu që ndaj saj nuk ka asnjë mjet dhe prandaj nëse ky sistem funksionon atë e mban gjykata.
Princip themelor i kësaj Kushtetute është vendosja së bashku e përgjegjësive me llogaridhënien dhe një institucion “ipso jure” i pakontrollueshëm nuk premton asgjë të mirë në kur në mungesë të traditës së mirë ka një pushtet të pakufizuar, prandaj qëllimi i ligjvënësit ka qenë juridiksioni më i lartë por i kufizuar. Në të vërtetë Kushtetuta dështoi në këtë synim, sepse zgjerimi i juridiksionit të saj është kryer nga vetë gjykata qoftë nëpërmjet interpretimit abstrakt të Kushtetutës, qoftë nëpërmjet legjitimimit antikushtetues për t’u vënë në lëvizje nga Avokati i Popullit – të gjitha këto plus keqpërdorimi i kësaj gjykata në zgjedhjet e 2001-shit kundër opozitës dhe për luftën brendapartiake të shumicës në 2002-shin shkaktuan dështimin e turpshëm të këtij institucioni. Kurse në një çast çmendurie kushtetuese, Mbledhja e Gjyqtarëve të saj – e krijuar dhe e rregulluar nga ligji organik me kompetencat për shpenzimet, pagat dhe personelin e gjykatës – lëshoi një urdhër (?) për moszhvillimin e seancës parlamentare, pra e mbylli Kuvendin me mbledhje kolektivi. Në këmbim ajo u lejua të ishte gjykatë e shkallës së katërt.
Le t’i hedhim një vështrim të dhënave statistikore. Ajo në 2001, gjykoi 213 çështje dhe në 2002, 237; kurse në vitet nga 2003 e në vijim nga 20 deri në 45 çështje në vit. Natyrisht nuk mund të mos vlerësohet kjo vetëpërmbajtje që gjykata tregoi dhe që është e lidhur edhe me ndërrimin e presidentit të vendit dhe kryetarit të asaj gjykate.
Ka ardhur koha kur kjo vetëpërmbajtje duhet të materializohet në çështje thelbësore si interpretimi abstrakt apo vënia në lëvizje. Ndoshta edhe ligjvënësi mund ta rikonceptojë rolin dhe mënyrën e formimit të saj në një të ardhme, por natyrisht jashtë kontingjencave si të mësipërmet.
Antikushtetutshmëria e ligjit organik të Gjykatës Kushtetuese
Gjendja e qëllimshme antikushtetuese e saj fillon me procedurën e miratimit të ligjit të saj organik. Miratimi i ligjit ishte një grusht shteti për pasojat që prodhoi. Ligji Nr. 8577, datë 10.2.2000 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë” është hartuar në konflikt të hapur me nenin 178.2, që shprehet: Këshilli i Ministrave i paraqet Kuvendit projektligjet e nevojshme për vënien në zbatim të kësaj Kushtetute. Ligji u përgatit nga ish-kryetari i saj dhe u pre e u qep, siç rezultoi, pa ndonjë diskutim publik me qëllimin e sabotimit të zgjedhjeve të pritshme. Ky është i vetmi ligj për organet kushtetuese që nuk kaloi nga ato kanale institucionale ku kalojnë edhe ligje suhmë më të thjeshtë e të parëndësishëm, siç janë byroja juridike e Këshillit të Ministrave dhe drejtoria e kodifikimit të Ministrisë së Drejtësisë.
Interpretimi abstrakt
Nuk është menduar ndonjëherë nga ndokush në procesin e hartimit të Kushtetutës se Gjykata Kushtetuese do të mund të bënte interpretim “in abstrakto” të saj. Përkundrazi Kushtetuta legjitimon organet kushtetuese që e vënë në lëvizje Gjykatën, ta zbatojnë drejtpërdrejt Kushtetutën. Kërkesa e tyre për interpretim abstrakt në fakt është ikje nga përgjegjësia për të zbatuar ligjin kushtetues dhe nxjerrja e gështenjave me duart e Gjykatës, sidomos kur e emëron vetë; kështu vendimi që merret mbulohet nga institucione gjoja të pavarura por që nuk janë të tilla, kështu shmanget vlerësimi për performancën e kërkuesit të interpretimit.
Ky zaptim u krye në 31 dhjetor 1998, një muaj nga miratimi i Kushtetutës. Vendimi nr. 77, dt. 31.12.1998, që bën interpretimin e nenit 178.1 të Kushtetutës me kërkesë të Presidentit, ngjan si një vendim i pafajshëm. Madje vendimi i dhënë është materialisht i drejtë, por Gjykata proceduralisht vendosi në mënyrë antikushtetuese: ajo filloi të gjykojë jo ligjin dhe përputhshmërinë e tij me kushtetutën, por të procedojë pozitivisht. Ky vendim u dha pavarësisht se Gjykata Kushtetuese vendos për pajtueshmërinë e ligjit me Kushtetutën (neni 131.a) dhe e ka objektin të qartë, të vendosur në nenin 131 nga germa (a) te germa (f) kompetencën e saj. Gjykata në mënyrë antikushtetuese – në keqinterpretim të nenit 124.1: Gjykata Kushtetuese garanton respektimin e Kushtetutës dhe bën interpretimin përfundimtar të saj, – vijon ta legjitimojë veten të bëjë interpretim abstrakt meqenëse bën interpretimin përfundimtar!
Roli si gjykatë e shkallës së katërt dhe gjykatë e shkallës së parë
Siç u theksua më lart, për 2001-2002 Gjykata Kushtetuese gjykoi mbi 200 çështje në vit duke interpretuar nenin 131, pika f, – Gjykata Kushtetuese vendos për gjykimin përfundimtar të ankesave të individëve për shkeljen e të drejtave të tyre kushtetuese për një proces të rregullt ligjor, pasi të jenë shteruar të gjitha mjetet juridike për mbrojtjen e këtyre të drejtave – në mënyrë të zgjeruar në margjinalet kushtetuese. Kjo ishte një dhuratë për vetveten.
Por ka edhe më tej, meqenëse me këtë nen duhej pritur të shtereshin mjetet e tjera, Gjykata pranoi kërkesën për interpretim të Avokatit të Popullit, një organi me legjitimitet të kufizuar për ta vënë atë vetë në lëvizje, dhe vendosi se interesi i Avokatit janë të drejtat e qytetarëve dhe prandaj ai legjitimohej t’i përcillte dhe ta vinte në lëvizje Gjykatën për çdo shkelje të ligjit nga administrata publike (Vendimi nr. 49, datë 31.07.2000 për Interpretimin e pikës 2 të nenit 134 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë). Dhe ja ku pa magji Gjykata Kushtetuese shndërrohet në gjykatë fakti. Ky vendim është një “bypass” i sistemit të gjykatave shqiptare e të Kushtetutës dhe haptazi në kundërshtim me këtë.
Zgjedhjet dhe komprometimi politik
Nën titullin “Procedura për shqyrtimin e zgjedhshmërisë dhe papajtueshmërisë në ushtrimin e funksionit të deputetit”, neni 66 i ligjit organik të jep përshtypjen se do të gjykojë se a plotësohen kushtet e zgjedhjes për t’u zgjedhur deputet, por në mënyrë antikushtetuese Gjykata shqyrtoi në zgjedhjet e 2001-shit procesin zgjedhor dhe vendimet e komisioneve, duke disponuar deri edhe mbi kutitë e votimit.
Konsumimi politik i Gjykatës u krye që pa filluar zgjedhjet e 2001-shit. Ky citim i vendimit të Gjykatës qëndron edhe pa koment: Kërkuesit kanë kërkuar edhe shfuqizimin e pikës 3, të nenit 87 të Kodit Zgjedhor në pjesën që lejon të votohet për subjektet elektorale (partitë politike) në ato zona ku nuk kanë paraqitur kandidatë, duke pretenduar se, ashtu siç është formuluar Kodi Zgjedhor, u lejon partive me elektorat të madh që në zona zgjedhore të sigurta për to, t’i regjistrojnë kandidatët e tyre si kandidatë të pavarur, me qëllim që të fitojnë më shumë mandate nga lista shumëemërore.
Gjykata Kushtetuese nuk gjen elemente antikushtetues në përcaktimet të pikës 3, të nenit 87 të Kodit Zgjedhor. Për sa i përket pretendimit se partitë mund të spekulojnë me kandidatët e pavarur, Kodi Zgjedhor ka ngarkuar komisionet e zgjedhjeve të drejtojnë e kontrollojnë zbatimin e ligjit në procesin zgjedhor.
(Vendim nr. 49, datë 02.06.2001 me kërkues Partia Socialdemokrate, Partia Aleanca Demokratike, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Partia Demokrate, Partia Bashkimi Demokrat dhe me objekt: Shfuqizimi, si antikushtetues i ... pikës 3 të nenit 87 të ligjit nr. 8609, datë 08.05.2000 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”).
EKZEKUTIVI
Republika kushtetuese nuk lundron në det të hapur, por midis Shilës dhe Karibdit, midis anarkisë në njërën anë dhe diktaturës/autoritarizmit në anën tjetër. Anarkia është armiku më i madh i lirive e të drejtave të njeriut dhe për këtë arsye nevoja për stabilitet është një kërkesë themelore dhe e pandashme nga çështja e të drejtave dhe e lirive. Në dy vendime të saj një pas një Gjykata Kushtetuese në pjesët argumentuese legjitimon ndarjen e dekretimit të kryeministrit e qeverisë dhe ministrit nga betimi dhe marrja përsipër e detyrës. Megjithëse të dy vendimet – Vendim nr. 6, datë 18.01.2002, për interpretimin e neneve 98, 99 e 106 të Kushtetutës; Vendim nr. 28, datë 21.02.2002, Për interpretimin e neneve 96 e 97 të Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë, si dhe pezullimin e procedurave të shqyrtimit të programit politik të Këshillit të Ministrave dhe të përbërjes së tij – kanë objekt tjetër shqyrtimi dhe vendimet duket të jenë kushtetuese. Por në të parin, Gjykata shprehet për dekretin e Presidentit se: Si akt individual i nxjerrë nga një organ kompetent, ai hyn në fuqi ose shfuqizohet pasi Kuvendi merr një vendim për pranimin ose mospranimin e tij në përfundim të procesit të shqyrtimit. Dhe më tutje, Dekreti i Presidentit të Republikës, si akt që ruan vlerat e tij formale juridike, por që s’ka hyrë në fuqi, duhet të shqyrtohet nga Kuvendi jashtë këtij afati (Vendim nr. 6, datë 18.01.2002).
Këtë qëndrim gjykata e përsërit edhe kur thotë:
Kryeministri i emëruar nga Presidenti i Republikës ende nuk fiton cilësitë juridike si organ për të marrë përsipër përgjegjësi politike lidhur me veprimtarinë e tij dhe të Këshillit të Ministrave përderisa nuk është miratuar nga Kuvendi. (Vendim nr. 28, datë 21.02.2002).
Pa i hyrë analizave politike, arsyet e kësaj loje diheshin mirë që në atë çast, është e qartë se Gjykata investohet për një gjymtim që Presidenti i kishte procedurës kushtetuese të emërimit në dy pjesë, dekretimi në fillim kurse betimi dhe marrja e detyrës mbas marrjes së besimit në Kuvend. Ndërkohë krijohet vakumi kushtetues. Në mënyrë intencionale dhe në bashkëpunim Presidenti dhe Gjykata sabotonin stabilitetin politik dhe krijuan një precedent të paverifikuar më parë në traditën tonë dhe të tjerave të ngjashme. Madje nga ’98 deri në 2002, Presidenti e kishte zbatuar pa ndonjë dyshim këtë procedurë. Sigurisht që nuk kishte kush ta ngrinte zërin, sepse palët në luftim ishin të brendshme; opozita kishte luksin të shikonte vetëshkatërrimin antikushtetues të palës tjetër.
Analiza e ekzekutivit u bë në fund sepse duhej të qartësohej paraprakisht performanca e Gjykatës Kushtetuese që kishte qenë në rrënjë. I përket kësaj Gjykate ta zgjidhë problemin e krijuar, që nuk përjashtohet t’i plasë kujtdo në dorë por që kostot i paguan si gjithmonë (dhe siç duhet) vendi. Ndoshta Presidenti i Republikës, qëkurse citimet nuk janë të dispozitivit të vendimit, por të pjesës argumentuese të vendimeve, do të duhej të rivendoste zakonin e mirë kushtetues dhe ta bënte me të vërtetë emërimin e ministrit a qeverisë së ardhshme sipas procedurës – për më tepër kur nuk jemi në kontekstin e ndonjë konflikti politik.
PROKURORI I PËRGJITHSHËM
Zgjidhja ose më drejt moszgjidhja kushtetuese për Prokurorin e Përgjithshëm (neni 149) pasqyronte dy pikëpamje të kundërta mbi vendin e akuzës në një sistem kushtetues si organ i ekzekutivit apo pjesë e gjyqësorit. Në fakt, siç e kemi thënë dhe herë tjetër, prokuroria nuk është pjesë e gjyqësorit sa kohë nuk ka asnjë lidhje emërtese a varësie me KLD-në. Mandati nuk ishte i përcaktuar, sepse nuk kishte mandat dhe palëvizshmëri, të përkohshme a të përhershme, por përdorimi i institucionit politikisht dhe vendosja për shumë arsye në mesin e debatit e bënte të pamundur gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare e të arsyeshme, që do të siguronte autonomi të institucionit dhe përgjegjshmëri ndaj Kuvendit. Në këto rrethana dhe për të dalë nga një “imtas” kushtetues dhe politik, duket se amendamenti kushtetues që cakton një mandat pesëvjeçar për Prokurorin e Përgjithshëm (Ligji nr. 9904, dt. 21.04.2008) ishte zgjidhja më e përshtatshme.