E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të korrigjohemi dhe të pendohemi është detyrë

Në disa numra në “Gazetën Shqiptare”, profesor Kristo Frashëri hodhi “dritë” dhe dha “vlerësime e përfundime” mbi ngjarjet e luftës(1939-1944) si dhe për figura politike të asaj kohe, duke u ndalur edhe në portretizimin politik të babait tim. Në këtë shkrim, natyrisht të kufizuar, brenda kritereve që kërkon gazetaria, po përpiqem të hedh dritë mbi të vërtetën e të shpërndaj retë e zeza që përpiqet të kumtojë profesor Frashëri.
Urrejtje, mashtrime apo ‘mea culpa’
Dikush mund të mendojë se jam i vonuar në përgjigjen ndaj profesorit, akademikut dhe “nderit të kombit”, Kristo Frashërit. Unë nuk jam në një mendje me të. E vërteta është se kam ngurruar. Isha shpesh në mëdyshje. Jo se druhesha t’i përgjigjesha, jo se nuk kisha material për t’iu kundërvënë me fakte të pavërtetave që paraqet në shkrimet e tij. Ajo që më ndalte ishte se nuk u besoja syve për ato që lexoja në shkrimet e tij. Kisha menduar se “historiani erudit i kombit”, ashtu siç e kam njohur unë, nuk mund të arrinte në ato përfundime në shkrimin e tij proliks në “Gazetën Shqiptare”. Në këtë rast, nuk dëshiroj të mohoj parimin që më ka udhëhequr në jetën time personale dhe politike, mjerisht ose lumturisht të shkurtër, se është mirë ta kujtosh të kaluarën në mënyrë që ajo të mos përsëritet, por ama janë ose krijohen disa rrethana në të cilat e vetmja mënyrë për ta shmangur përsëritjen e të kaluarës është që shumë të vërteta të së kaluarës shumë të keqe të vendosen diku në një qoshe të kujtesës e të mos shpërthejnë, sepse kështu shmangim krijimin e situatave të rënda që pengojnë ecjen përpara. Kjo ecje përpara është imperativ i kohës, sidomos i atyre njerëzve që merren me politikë, por edhe i atyre që merren me problemet historike. Nuk kam ndër mend të sfidoj me këndvështrimet e mia “profesorin e nderuar”, sepse nuk jam historian. Kjo është fusha e tij. Me thjeshtësinë time në lëmin e historisë guxoj të them se më krijohet përshtypja se z.Frashëri flet ‘ex cathedra’. Të më falni profesor nëse po shtyhem edhe më tutje në përfundimet e mia duke pohuar se kështu flisni, sepse keni marrë zemër dhe jeni përçuar në studimet tuaja historike nga “Magisteri” që “tha”, dhe ju si besnik i tij pranuat ‘ipse dixit’, sepse ndryshe (siç mund ta keni pohuar ndonjëherë më parë) nuk dihej se ku mund të përfundonit. Dhe kësaj gjëje, pra degdisjes kushedi ku, i jeni shmangur në shumë lloj mënyrash. Gjithmonë duke ju kërkuar të falur, doja t’ju pyesja, si historian që mëtoni se jeni, se a do t’i pranonit pikëpamjet e socialistit italian të njohur, Gaetano Salvemini, se: “Nuk mund të jemi të paanshëm, mund të jemi vetëm intelektualisht të ndershëm, paanshmëria është një ëndërr, por ndershmëria është detyrë”. Nuk di se sa vend zënë në shkrimet tuaja të fundit këto përfundime të Salveminit. A thua profesor se ky shkrimi i juaji do të ketë qenë i harruar diku në raftet e bibliotekës ose arkivit tuaj, e tani, në këtë pleqëri të shtyrë, e gjetët në morinë e shkrimeve të asaj kohe dhe e nxorët tani në dritë? A thua mos është ky shkrim një testament me anë të të cilit kërkoni t’u kumtoni shqiptarëve se u qëndroni besnik mësimeve të udhëheqësve tuaj? Në këta 22 vjet demokraci, kur shoqëria shqiptare përpiqet të hedhë mllefet e urrejtjet në koshat e historisë, për te arritur në një mirëkuptim shqiptari me shqiptarin, mund të shkruhet ashtu siç shkruani ju? Këtë nuk arrij ta kuptoj: a thua se profesori në studimet e veta historike, madje dhe shkencore, ka pasur si kriter vlerësimi “urrejtjen”. Sa do të doja të kisha një përgjigje që të ma hidhnit poshtë këtë. Megjithatë e ndiej një sentiment të tillë të profesorit, sepse në të gjitha shkrimet e tij të fundit nuk bën gjë tjetër veçse akuzon, përçmon, thotë të pavërteta, shumëzon me zero çdo veprimtari të të gjithë atyre që nuk menduan dhe vepruan si ai, përdor cilësime si “llum” etj., që një historiani, i cili “i merr gjërat në themel”, nuk i lejohet. Shkon dhe më tutje: merr vendime dhe dënon. “Profesor”, unë mendoj se gjykatësi i vërtetë është koha. Nuk po shkoj larg. Marr në vlerësim shek e 20-të, sepse në këtë shekull patën shtrirje tri ideologji dhe në bazë të saj hynë në veprim tri sisteme që krijuan edhe shtetet e veta: komunizmi, fashizmi dhe nazizmi. Në të parën u përfshitë edhe ju. Punuat shumë që të fitonte edhe në Shqipëri. Dhe fitoi. Por, këto ideologji, me atë entuziazëm që u pranuan, po me atë entuziazëm, e madje shumëherë më të madh, u shembën e u dërrmuan. Ende sot kujtimi i tyre të kall datën. Dhe s’kishte rrugë tjetër: verdikti i historisë është i paapelueshëm! Ju e dini më mirë se unë ku qëndronte mynxyra më e madhe e këtyre ideologjive. Jo tek terrori, por tek përpjekja për të “tjetërsuar” njeriun, që është baza e zhvillimeve. Po kështu, e dini se ç’mënyra u përdorën për t’ia arritur këtij qëllimi. A ia keni bërë ndonjëherë pyetjen vetes se sa mund ta keni ndihmuar këtë sistem me qëndrimet, mësimet, leksionet, librat, albumet tuaja? A keni ndonjë përgjegjësi, dhe për rrjedhojë, ndonjë keqardhje? Unë them se po (por uroj të jem i gabuar) prandaj do t’ju kërkoja që, para se të gjykoni të tjerët, të gjykoni veten tuaj. Kështu mund të bëheni më i besueshëm. Pranoni se i keni vënë gojës “tutjusin”, por ama pena juaj s’ka ndaluar së hedhuri në letër mësimet, porositë, urdhëresat e udhëheqësit që për 47 vjet e kishit udhërrëfyes tuajin. Jo vetëm kaq: keni errësuar të vërteta që bëjnë “mu”. Pse profesor me vetëdije nuk i nxirrni në dritë emrat e disa firmëtarëve të “Pavarësisë”? Pse, ju si historian, keni ngatërruar mbiemrat “Karbunara”? O e keni me dashje, o nuk jeni thelluar në listën e firmëtarëve. Në të dyja rastet mund të them se e kam të vështirë ta hedh në letër përfundimin që do të ish: nuk jeni ai historiani me integritet siç mëtoni të jeni. Si ka mundësi ta zhvlerësoni aq shumë veten duke thënë se jeni i frymëzuar nga analiza e thellë që Enver Hoxha i paska bërë frymës dhe shpirtit të veprës së rilindasve tanë, e se prandaj studimet tuaja historike për këtë periudhë të historisë sonë i kanë qëndruar kohës? Jo z. Frashëri, vetë Enver Hoxha nuk e ka mbajtur asnjëherë veten për historian. Ju po! Ju, si përkrahës i flaktë i idealit komunist, herët në ato kohë kur entuziazmi i fitores ishte i madh, e madje bëhej edhe më i madh se po vendosej demokracia popullore në vend, ç’menduat kur profesori i nderuar Gjergj Kokoshi u ngrit në Kuvend e tha me guxim se “ky nuk është një parlament demokratik”, “na vinë udhëzimet nga lart” etj., etj. Ai ishit i një mendjeje me të? Edhe ky i majtë ishte dhe bënte pjesë me ndërgjegje në FNÇL si ju. Si e pritët burgosjen, dënimin dhe flakjen e tij në burgun famëkeq të Burrelit? Nuk po ju pyes për gjyqin special, as për atë të Sami Qeribashit. Këta për ju kanë qenë tradhtarë dhe armiq të popullit, prandaj dhe duheshin dënuar. Nuk hyj në konsideratat tuaja për këta njerëz, prandaj dhe në gjykimet dhe vlerësimet e mia përpiqem të jem shumë i matur. Me burgosjen e profesor Kokoshit u hap rruga për burgosjen e njerëzve të luftës. Ku ishit, çfarë menduat, si vepruat kur filloi gjyqi i famshëm i deputetëve, ku dënohen me vdekje dhe pushkatohen Shefqet Beja, Dr. Sazani, Selaudin Totua etj. Edhe këta të majtë në pikëpamje si ju ishin profesor dhe pjesëtarë të FNÇL. Diktatura e demokracisë popullore nga dita në ditë vjen e ashpërsohet, jo vetëm me burgosje dhe ekzekutime, por edhe me internime. Burgjet dhe kampet e internimit nuk kanë të numëruar në një vend që po punon për ndërtimin e socializmit shkencor. Sigurisht që drejtësisë shqiptare në atë kohë i thureshin ditirambe. Nuk them se edhe ju kështu keni bërë, sepse asnjëherë nuk kam dashur të them diçka që nuk e kam të vërtetuar. Unë vetëm mund të pyes, e këtë të drejtë besoj se do të ma njihni profesor.
E kuptoj se në çdo diktaturë ka konformizëm. Është vetë sistemi që e kërkon një gjë të tillë, sepse, kush nuk e pranon, përfundon keq. Jo çdo njeri është hero, por kur konformizmi i kalon caqet për mbijetesë dhe kërkon me të të rrisë komoditetet e veta dhe për më tepër kërkon me këtë të bëjë karrierë, shpesh edhe duke dëmtuar të tjerët, atëherë mund të thuhet pa droje se ky njeri ka mungesë karakteri. E sa i vlejnë këta njerëz shoqërisë e vendit është problem tjetër. Më këtë rast dua të vë në dukje se dhe në atë kohë, tanimë disi të largët, ka pasur njerëz që kanë qenë në pozita të larta shtetërore, e kjo vetëm për meritë, vjen një kohë që as nuk duan t’ia dinë kolltukut para integritetit të tyre moral e profesional. E mos harroni se këto qëndrime janë mbajtur në një kohë kur terrori shtetëror i diktaturës donte të legalizohej edhe juridikisht. E kjo orvatje u kundërshtua me guxim, pa marrë parasysh rrjedhojat e papëlqyeshme që do të kish ai dhe vetë familja e tij. E ky njeri, ish-Ministri i Drejtësisë i asaj kohe, quhet Manol Konomi. Nuk pranoi që shqiptarë të pafajshëm të dënoheshin pa u gjykuar. E gjithë kjo për të ashtuquajturën “bombë të hedhur” në ambasadën e BRSS. Një “kazus” për të përligjur terrorin shtetëror ndaj armiqve të partisë e popullit, z. Frashëri. Edhe ky i majtë dhe në luftë si ju ka qenë. Nuk i glorifikoi mësimet dhe urdhëresat ose dëshirat e mbrapshta të udhëheqjes. E mbylli dhe ky ndoshta me “tutjus” gojën por nuk e përdori më penën siç e përdorët ju!
Kush është
Hasan Dosti
E tani z.Akademik le të vijmë te personi i Hasan Dostit. Është im atë. Nuk e kam mohuar asnjëherë, edhe pse mund të kisha lehtësira po ta bëja një gjë të tillë. Pushtetit tuaj popullor jo vetëm që i pëlqenin mohime të tilla, por nuk ngurroi as t’i kërkonte. Dhe as s’kam ndërmend t’i bëj asnjëherë. Integriteti i tij moral dhe politik, ndershmëria,pastërtia shpirtërore dhe ndjenja e lartë e atdhedashurisë, si dhe përkushtimi i tij, pa më të voglin interes, në dobi të popullit dhe vendit, më jepnin vullnetin dhe guximin t’i përballoja me dinjitet privimet më çnjerëzore që më imponoheshin nga një ideologji që jo vetëm e kishit aq shumë për zemër, por dhe iu vutë me gjithë shpirt punës për ta kthyer në mit. Im atë nuk është ai që me malinjitetin tuaj të tejskajshëm përpiqeni ta paraqitni. Në ato që thoni, shumica nuk qëndron. Jo vetëm që s’janë të vërteta, por ju me tendenciozitet shpifni. Mllefi juaj ndaj tij dhe shokëve të tij jua ka errësuar mendjen dhe jua ka egërsuar shpirtin, dy cilësi këto që nuk ju bëjnë të besueshëm në përfundimet tuaja. Historia nuk mund të jetë kurrë e vërtetë kur e shkruajnë historianë të politizuar. E mjerisht ju jeni një nga ata. Historia nuk ka ndonjë përcaktim fiks. Ajo përcaktohet se si shihen ngjarjet në vetvete si dhe nga njohja e aktorëve dhe rrethanave të ngjarjeve. Historia nuk duhet parë thjesht si një rrugëtim i njeriut nëpër kohë. Për mua jo – që jo vetëm s’jam historian, por as që mëtoj të jem në të ardhmen – mendoj historia duhet të jetë një studim i hollësishëm i ngjarjeve njerëzore që ndodhin në kohë, i shkaqeve dhe i pasojave. Ajo që ka rëndësi, gjithnjë për mua, është qëllimi, kuptimi në vetvete objektivisht i ngjarjes, i faktit, i bazuar ky në dokumente që mbajnë vlera objektive, pra ndriçojnë dhe zbulojnë të vërtetën e ngjarjeve dhe të aktorëve të saj. Më falni z. Frashëri se po marr rolin e “mentorit”. Jam larg, shumë larg këtij fakti, e sidomos kur kam përpara një “akademik” si ju! Unë kam dashur e pritur të mësoja prej jush, sepse koha juaj nuk më la të formohesha në nivele të konsiderueshme shkencore, por ama pata mundësinë të ecja shumë në kulturën shpirtërore që ju nuk duhet të mëtoni se e keni. Kjo kulturë formohet kryesisht në vatrën prindërore, kulturë që ma përforcoi edhe vuajtja që më shoqëroi gjatë gjithë jetës, e cila tek unë mbolli dashurinë, respektin, keqardhjen për tjetrin dhe shumë shpesh edhe faljen e mëkatit. Më tronditët dhe më zhgënjyet jashtë mase dhe të them të drejtën këtë gjë e pata nga inkosenkuenca juaj në disa vërejtje dhe përfundime. Janë si shumë kontradiktore, edhe pse thoni se jeni i paanshëm dhe thellësisht shkencorë në shkrimet tuaja. Ja disa nga kundërthëniet, shtrembërimet dhe harresat tuaja gjatë trajtimit të kësaj pjese të historisë. Ja p.sh. nuk keni thënë e shkruar më parë për tim et, këtë “kolabaracionist”, “tradhtar”, “fashist” e plot të tjera cilësime të derdhura pa kursim nga shpirti juaj i urrejtjes por keni pohuar: “Hasan Dosti, i njohur në opinionin publik si jurist, patriot me pikëpamje demokratike madje dhe antifashist…”. Nuk dua të hedh në letër edhe ato që më keni thënë mua dhe vëllait tim Viktorit, kur pinim ndonjë kafe, për Hasan Dostin. E s’kemi qenë vetëm. Besoj se e mbani mend ku rrinim. Nuk ma ha mendja ta keni harruar se ç’më thatë për tim et, kur ju dhashë disa dokumente për Skënderbeun nga arkivi i tij, të cilat ende nuk m’i keni kthyer. Vlerësimi juaj për të, më bënte krenar, paçka se kishit rezerva për veprimtarinë e Ballit Kombëtar. Nuk i riprodhoj në këtë shkrim, sepse jam i sigurtë se në zjarrin e atij mllefi me të cilin shkruat disa ditë më parë, do t’i hidhnit poshtë ashtu siç po bëni tashti duke kundërshtuar veten. Mjerisht që me disa njerëz do të ishte mirë të përdorej regjistruesi. Edhe në shkrimet tuaja të fundit thoni, kur bëni analizën e Konferencës së Mukjes: “Balli Kombëtar çoi në këtë takim personalitet më të larta të kohës në politikë, diplomaci dhe drejtësi si Mithat Frashërin, Hasan Dostin dhe Thoma Orrogollajin, ndërsa FNÇL…”. Edhe këtu jeni në kundërshtim me vetveten, duke pasur parasysh shkrimin e një dite më parë. A thua të jetë shkak skleroza e moshës? Po z. Profesor, im atë ka qenë Ministër i Drejtësisë për katër-pesë muaj gjatë pushtimit fashist. Ju e dini, sepse keni qenë në një moshë që kuptonit se si u ngrit në Kosovë dhe në trojet shqiptare të Maqedonisë Lindore një sistem juridik shqiptar dhe nga juristë shqiptarë, pjesa më e madhe e të cilëve të dërguar nga Shqipëria e të lauruar në shumicë në Universitetet e Europës. Po kështu u veprua me arsimin dhe administratën. A thua se këto ishin në dëm të kombit shqiptar? Sigurisht ju si historian, që keni pasur mundësinë të futeshit nëpër skutat e arkivave, mund ta dini fare mirë se kush e kundërshtoi bonifikimin e Myzeqesë dhe kolonizimin e saj me italianë pas tharjes. Është tradhti kjo z. Profesor? Kush e shpëtoi nga vdekja Hasan Reçin, mikun dhe shokun tuaj të idealeve, po Sinan Gjonin etj.? Më vonë i vrave ti duke i quajtur tradhtarë dhe spiunë të imperializmit. Kur them “ti” kuptoj ideologjinë në praktikë që ti përqafove. Pse nuk thua se për çfarë arsye e dha dorëheqjen babai im? E këto veprime të tij mos janë sinonimi e tradhtisë? E për të gjitha ato që thoni ‘ab irato’, a me dashje, a nga pleqëria e shtyrë, nuk jeni aspak i saktë. Datat e personat që janë vrarë i ngatërroni. Në ato kohëra im atë s’ka qenë ministër. Po ju jap me vërtetësi se si shteti juaj fshinte me dashje e me qëllim datat e vërteta dhe vendoste ato që i shkonin për shtat, e mandej nxirrte libra në përdorim të kufizuar. Shihni në arkivin e Ministrisë së Jashtme të vitit 1950, kutia 11, numri 261. Nuk dua të zgjatem se mund të mërzitet lexuesi me këto hollësira.
Po cila qe veprimtaria e tij?
Profesor, jeni hallakatur shumë në kërkimin e dokumenteve, për të gjetur gjëra që si e si të diskreditoni tim et. Nuk di se ku e keni gjetur atë dokument që vërteton se Hasan Dostin e kanë larguar nga Kryesia dhe Komiteti Qendror i Ballit me vendim të Kongresit të BK që zhvilloi punimet në Berat. Kjo nuk është aspak e vërtetë. Me siguri keni lexuar atë trakt komunikatë nga vëzhguesi i PKSH (këtë e kemi edhe ne arkivë). Po pse nuk flisni se cilat ishin pikëpamjet e tij dhe çfarë tezash paraqiti në ato punime? A nuk ish Hasan Dosti që në këtë kongres kërkonte me ngulm pajtimin kombëtar dhe jo vëllavrasjen, se ata që vriten janë djemtë tanë etj., etj.? Edhe kjo në tradhti hyn, z. profesor? Ju i referoheni shpesh z. Faik Quku për Hasan Dostin. Megjithëse dua të theksoj se libri i botuar me emrin e tij pas vdekjes “Qëndresa Shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore” (1939-1941, volumi 1; 1941-1944, volumi 2), nuk përmban asnjë referencë dokumentare. Po e vërtetë është, ai ka qëndrimet e veta, keqardhje të madhe ndaj tij, është e drejtë e tij kjo. Nga ana tjetër, do të doja të dija pse i shmangeni edhe pohimeve të tij për vlerësimet që i bën Dostit. Në atë libër fund e maje na bëhet e ditur afërsia shumë e madhe me Lumo Skendon dhe qëndrimet e patundura të tij për ta shmangur me çdo kusht përballjen me armë të të dy grupimeve politike të mëdha të asaj kohe: nacionalizmit dhe FNÇL, ku mbrapa tij qëndronte Milladini dhe Dushani (i pranuar ky fakt edhe nga historianët e sotëm, edhe pse të majtë). Ky bashkëpunim i ngushtë dhe i paprerë midis këtyre të dyve, pra Frashërit dhe Dostit, ish edhe në atë kohë kur ju thoni se ish përjashtuar nga kryesia dhe qendrori i BK. Pse nuk thoni z. Akademik se z. Quku, ky kritizer i Dostit, e quan këtë “patriot të madh të ndershëm dhe me kulturë të thellë”. Pse nuk parashtroni arsyet pse Hasan Dosti nuk pajtohej me tezat e z. Quku? Thelbi qëndronte në organizimin ushtarak të forcave luftarake të BK. Dy pikëpamje të ndryshme. Historiani, po të dëshirojë, le të punojë për të gjetur se kush kish të drejtë në atë kohë. Z. Profesor, si do të na e shtjelloni faktin që në Mukje, Dosti, ky tradhtar, fashist, me unanimitet zgjidhet, e përsëris, zgjidhet me votë dhe jo emërohet, Kryetar i “Komitetit të Shpëtimit të Shqipërisë” ndër 12 delegatë, 6 të BK dhe 6 të FNÇL? Po kështu, si sekretar zgjidhet Mustafa Gjinishi që e vranë shokët tuaj të idealit. A thua se Enver Hoxha nuk e ka ditur të kaluarën e Hasanit? Pse nuk flisni fare se ky kolaboracionist i pashoq vazhdonte takimet me krerët komunistë? Po j’ua kujtoj një ndër to, se ndoshta pleqëria e shtyrë ka sklerotizuar sektorin e kujtesës të trurit tuaj. Në shtëpinë e mësuesit patriot Ramazan Jaranit me Nako Spiron dhe kur? Pas 4 shkurtit të 1944. A thua se dhe PKSh po bashkëpunonte me tradhtarin? Ç’do t’i thoshit z. Frashëri këtij pohimi të Enver Hoxhës, bërë më 23 mars 1944, i cili pohonte se qëllimi i BK ishte: me sabotue luftën NÇ, lëvizjen e popullit, organizimin e KNÇL, duke e quajtur këtë si maskë të PKSh-së? Në radhët e BK nuk u grumbulluan vetëm reaksionarët profashistë e antipopullorë, por u grumbulluan dhe nacionalistë të ndershëm, se BK u paraqit si organizatë Nacionaliste e kundër vëllavrasjes. Shumë elementë u gënjyen se në rradhët e BK gjendeshin elemente si Lumo Skëndo, Hasan Dosti e Ali Këlcyra, që pak a shumë ishin të pakompremetuar e të njohur si të ndershëm. Por nesër do të na paraqitet çështja e Bazit të Canes. Bazi i Canes “është i lidhur me armikun gjerman, por nuk ka hyrë në luftë kundër nesh”, (shkruar pjesërisht me dialektin e Shqipërisë së Mesme, shih repartin e Enver Hoxhës në Arkivin e Shtetit). Kujt t’i besojmë, Enver Hoxhës, apo historianit Frashëri? Gjithnjë me tim et: në listën e parë që është bërë nga “Komisioni qendror për zbulimin e krimeve të kriminelëve të luftës dhe armiqve të popullit” emri i Hasan Dostit nuk është. (Dhe kur sekretari i këtij komisioni ka vënë në dukje mungesën e emrit të tij, Sejfulla Malëshova ndërhyn e thotë: “Rri, e dimë ne këtë punë”!). Kjo në kllapa është gojore. E njohim sekretarin. Historianët po deshën të vërtetën, le ta kërkojnë. Pse mungon emri i tim eti në listën e parë, e pse u vu më vonë, këtë më mirë se profesori që gërmon nëpër arkiva s’ka kush të na e thotë.
(vijon në numrin e nesërm)
(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›