Të korrigjosh një shënjestër
Qysh prej më shumë se tre vjetësh, pjesa më civile e qytetarisë shqiptare iu përvesh "luftës" për një koncept të mirë ambiental e shëndetësor për Gjirin e Vlorës, së paparë deri më sot në shoqërinë e ngratë shqiptare, të padëgjuar deri më sot në jetën shkencore shqiptare dhe të pashembullt deri më sot në jetën politike shqiptare. Kë dhe çfarë?! Atë të përballjes me argumente në vend të shuplakës, atë të shpjegimit shkencor në vend të orientimit të liliputit burokrat, deri në atë të alternativave në vend të zhurmave të një "greenpeace-i" apo "watchdog-u", siç duan të etiketojnë anembanë botës ambientalistët e sotëm, kur ata thjeshtë dhe vetëm vështrojnë nga një kënd tjetër.
Ndaj dhe kjo luftë përbën risi, sepse nga pjesa më civile e qytetarisë shqiptare nuk u qa, por u përpoq t'i jepte vendimmarrësit jo një peshk që të ushqehej për një ditë, por mënyrë për të peshkuar, që Ai të ushqente për të gjithë jetën veten dhe të tjerët. Ndaj dhe kjo luftë përbën model, sepse pjesa më civile e qytetarisë shqiptare nuk u ankua, por u mundua t'i jepte vendimmarrësit jo një shishe verë që të kënaqej një ditë, as një muaj mjalti bashkëpunim servil që të kënaqej një muaj, por një kopsht të lulëzuar (Vlorë me ADN e saj), që Ai të ushqente për të gjithë jetën veten dhe të tjerët.
Por, në këtë përplasje të gjelbër vjen një ditë, kur pala shtetërore shfaq kokëfortësinë e saj, atë të nguljes me çdo kusht të një vepre me naftë në sheshin e përcaktuar rigorozisht prej teknicienëve të saj, madje siç duken bathët edhe në atë të kopsitjes së gjithçkaje nga plani i mëparshëm, por i kobshëm i projektuar nga politikë-bërësa e vendimmarrësa, që, për së paku, mund t'i etiketosh të papërgjegjshëm. Pikërisht, këtë nuk do të donim që politikani i dobët shqiptar, sikundër një shahist i dobët, të gjejë rrugën e humbjes, siç është ajo këto ditë në Gjyqin me Konventën e Aarhuzit, në një kohë kur sot nuk mungojnë njerëzit e dijes, as ekspertët që varen nga industria e dijes. "Credito experto!", thotë një fjalë latine. Kësisoj, ti o vendimmarrës besoji ekspertit, i cili të thotë se ndihma më e madhe që mund t'i japësh një vendimmarrësi është ta bësh të gabojë sa më pak!
Sepse, ai të jep atë që ti nuk e njeh. Sepse, ai të mëson atë se ç'mund të ndodhë. Sepse, ai të jep se si ti mund ta rregullosh atë që ndodh. Sepse, ai të jep atë që është më e shtrenjtë për të gjithë ne, mbrojtjen e mijëra-milionave jetë njerëzish. Kësisoj, ti o shtetar besoji profesorit, i cili të tregon se sa më shumë përparon shkenca, aq më pak mund të të gënjejnë politikanët. Kësisoj, ti o politik-bërës besoji ambientalistit, i cili të dëften se ligjet e natyrës i kemi nën hundë, por pak dimë t'i nuhasim. Kësisoj, ti o udhëheqës besoji edhe këshilltarit qytetar të thjeshtë, i cili të këshillon, se këshilltari më i keq është ai që të thotë: gjithmonë ke të drejtë! Dhe të gjithë së bashku harrojnë, që fatkeqësitë më të mëdha të njerëzimit kanë ndodhur nga mosdëgjimi i njerëzve apo i një Komuniteti të urtë.
Dihet që të gjithë mjekët e vitit 1918 ishin pjesëtarë në dështimin më të madh të mjekësisë në shekullin e njëzetë, e po të bazohemi në numrin e të vdekurve, në dështimin më të madh të të gjitha kohërave të njerëzimit. Ata dinin si të kuronin shumë pneumoni me origjinë bakteriale, që linte gripi i asaj kohe, dhe dhanë këshilla për shëndetin publik se si mund të ishin shpëtuar dhjetëra-mijë jetë, por politikanët i shpërfillën këto këshilla. A do të ecim në një drejtim të pa orientuar, kur dihet se edhe luani, qeni e të gjitha kafshët ndalin revanin sapo kuptojnë se kanë zgjedhur drejtim të gabuar. Pikërisht, këtë nuk duam të na ngjasë. Që kur, "Roma/Mbreti-Eksperti/Komuniteti" foli, çështja duhet të merrte fund, në mënyrë që nesër të mos kemi një vepër me naftë si fosil, që pasnesër mos të kemi vepra me naftë të mbetur si mullinj pa ujë, që mot të mos kemi një Elbasan të dytë dhe që motmot të mos kemi disa vite më pak jetë (dy vite më pak, sipas Institutit të Shëndetit Publik, Tiranë, na u bë peshqesh nga mjedisi sot). Dhe kur? Në një kohë, kur sidomos ne shqiptarët jetojmë në oqeanin e shanseve, në një kohë kur asnjëherë nuk është herët dhe asnjëherë nuk është vonë të korrigjosh një shënjestër të drejtuar për së keqi ndaj vetes dhe natyrës.
Shans quajmë që studimet e deritanishme tregojnë se vetëm mbi lumin Vjosë mund të ndërtohen 8 HEC-e ose 2/3 e prodhimit të ardhshëm nga HEC-et. Shans quajmë që studimet e deritanishme llogarisin se vetëm nga HEC-et e vegjël mund të sigurohet aq energji sa sot detyrohemi të importojmë. Shans quajmë që studimet e deritanishme dëftejnë se ujërat sipërfaqësorë (lumenj + rezervuarë + kanale në lartësi malore) mund të shfrytëzohen të paktën edhe me 30% të tjera deri në ekuilibrin me natyrën, që do të thotë energji më tepër sesa sot detyrohemi të importojmë. Pra, nga 6 miliardë kvat/orë, që është aktualisht nevoja shqiptare, mund të prodhohet 15 miliardë kvat/orë. Shans quajmë, që bashkëpunimet e deritanishme të thonë se Shqipëria do të sigurojë një TEC prej 300 MW në rajonin e Bilishtit nga një Kompani Greke, një TEC prej 200 MW në ekzistuesin e Fierit nga një Kompani Koreane, për mos të folur për TEC-in 1200 MW nga një Kompani Amerikane, që propozohet në Seman apo për atë prej 200-300 MW që mendohet në Porto Romano nga KESH-i, por që duhet ditur se energjia prej këtyre TEC-ve do të rezultojë shumë herë më e shtrenjtë nga ajo me ujë.
Do të vazhdojmë të quajmë shans, që vendi ynë ofron 2700 orë me diell/vit ose 2500 kvat/orë/m2, ose 225 ditë diellore ose 5.5 orë në ditë mesatare, ndryshe dhe shumë më shumë nga ato vende, që arrijnë të prodhojnë energji nga një alternativë e tillë. Shans quajmë, që 23% e energjisë që prodhohet e që shkon për ngrohje të zëvendësohet me energjinë e prodhuar nga ujërat gjeotermalë prej 650 në Elbasan, prej 400 në Myzeqe, prej 300 në Sarandapor (Leskovik), prej 150 temperaturë mesatare të ujit në fushën e Tiranës, (0-100m), në një kohë kur vende si Zvicra, etj., e përfitojnë këtë lloj energjie nga ujëra në më pak se 120.
Shans quajmë, që vetëm një fermë me 11-13 mullinj ere në Sukth, sipas projekteve gjermane mund të të japin energji (50-55 MW) sa një gjysmë TEC-i e Vlorës, apo elektriciteti i sotëm të ndihmohet nga energjia e fituar prej 4,5 milion m3 dru zjarri të para 90, ku vetëm në Korçë 90% e qytetit përdor lëndë të tillë.
Por, theksojmë se, asnjëra veç e veç nuk e nxjerr këtë vend nga errësira, por së toku e bëjnë këtë vend të ndriçuar, përpos që aktivizojnë energji të përgjumur njerëzore, përpos që fusin në lojë fuqi të fjetura burokratike, përpos që ekuilibrohet dhe harmonizohet energjia kafe (fosile) me atë të gjelbër (ujë, gjeotermi, erë, diell, biomasë) jo vetëm në sasi, por edhe në shpërndarje territoriale (Fier, Bilisht, Durrës, Tropojë).