Vit i vështirë për demokracinë
Viti 2007 përpos shumë sfidash, arritjesh dhe suksesesh në arenën ndërkombëtare, ka sjellë dhe një varg zhgënjimesh, zmbrapsje apo zbythje të demokracisë dhe nivelit të lirisë apo forma të tjera shprehimore të tiranisë apo antipodit të saj, anarkisë, që përngjajnë si fytyrat e Janusit me njëra-tjetrën. Ndër arritjet më kryesore të diplomacisë perëndimore në përgjithësi dhe asaj amerikane në veçanti, mund të rendisim planin "Ahtisari" i cili pas një kalvari të gjatë e të mundimshëm, ku vazhdimisht iu desh të ballafaqohej me intransigjencën ruse dhe simotrën e tyre sllave, Serbisë, akoma ngelet si opsioni më i mundshëm dhe më i realizueshëm. Kjo nuk do të thotë as që ky plan është perfekt dhe as që ndihmon, favorizon apo diskriminon pozitivisht shqiptarët e Kosovës, por, gjithsesi, ishte zgjedhja diplomatike më e mirë për të arritur një konsensus a posteriori mes SHBA-së dhe Bashkimit Evropian. Sidomos, ishte e vështirë dhe akoma vazhdon të jetë, dalja me një zë të përbashkët apo e një qëndrimi unik nga ana e evropianëve, duke pasur parasysh interesat e veçanta që kanë pasur dhe kanë disa prej vendeve të cilat vazhdojnë të këmbëngulin fort kundër pavarësisë së Kosovës, (si rasti i Qipros) apo kundër idesë së hedhur pak kohë më parë nga Prodi për një ndërthurje të një ritmi të përshpejtuar të integrimit të Serbisë në BE, me atë të heqjes dorë nga Kosova (si rasti i Greqisë, Rumanisë dhe Bullgarisë).
Gjithsesi, ajo për të cilën 2007-a do mbahet mend ndoshta për një kohë të gjatë është kërcënimi apo atentatet që i janë bërë demokracisë, në vende të ndryshme të botës, duke bërë që të humbasë ca nga entuziazmi i hershëm i autorëve të tillë, si Francis Fukuyama, apo të ngjashëm, kur gati 20 vjet më parë parashikuan një botë që kishte arritur në stadin më të lartë të zhvillimit historik dhe ku modeli i demokracisë liberale shihej si i parezistueshëm nga askush. Sot, 19 vjet mbas rënies së Perdes së Hekurt, modeli i demokracisë liberale që vërtitet rreth vlerave të "Konsensusit të Washingtonit" dhe avokaton tregje të lira dhe globalizim vlerash apo parimet e multi-kulturalizmit, gjendet nën kërcënim në një sërë vendesh që variojnë nga Euro-Azia, ku gjiganti rus duket se është rikthyer në ëndrrat e Luftës së Ftohtë i shoqëruar nga liderët despotikë të Azisë së Mesme apo Bjellorusisë dhe Azerbajxhanit, të cilët vlerat e demokracisë liberale i shohin si kërcënim të drejtpërdrejtë të kolltuqeve të tyre presidencialë, deri te vende si Venezuela, El Salvadori, Kuba apo Bolivia në kontinentin amerikan, Libia në Afrikë, Koreja e Veriut në Azi e kështu me radhë. Rreziku që i kanoset demokracisë në kushtet e globalizmit nuk është i njëjtë me juntat ushtarake lokale të dikurshme. Përkundrazi, rasti më i freskët i Benazir Bhuttos në Pakistan, vrarë pak ditë më parë nga militantët fanatikë të Al Kaedës, ashtu sikundër trazirat e pafundme dhe kaosi që mbretëron në Irak, janë evidenca më e mirë për rrezikun që i kanoset vendeve me traditë demokratike infantile nga terrorizmi, krimi i organizuar ndërkombëtar dhe aktorë të tjerë të rrezikshëm trans-nacionalë që janë në gjendje të ndërveprojnë me shpejtësi duke përfituar nga teknologjitë e reja dhe të lidhen me agjentë lokalë, që bëjnë të mundur destabilizimin e vendeve të ndryshme. Nuk duhet harruar që parimi i demokracisë shkon dorë më dorë me atë të lirisë dhe për ta mbrojtur lirinë, në radhë të parë, duhet të kesh një sistem vlerash si sistem referimi. Për mirë apo për keq, modeli i demokracisë liberale, nëse do perifrazonim Churchillin, është e keqja më e vogël apo e mira më e madhe që kemi dhe "zbythja" e demokracisë sjell vetëm ardhjen e tiranëve.