Turqia dhe Maqedonia bashkëpunojnë për të hapur arkivat otomane
Arkivat Shtetërore Otomane të Turqisë e Maqedonisë po nisin një projekt të përbashkët për të kataloguar, dixhitalizuar dhe ndarë arkivat otomane
Turqia dhe Maqedonia po nisin një projekt të përbashkët për të kataloguar, dixhitalizuar dhe ndarë dokumentet e arkivave otomane si pjesë e një projekti pilot që Arkivat Kombëtare të Turqisë shpreson të zbatohet në gati 40 vende të tjera. Projekti ka për qëllim kërkimin e mëtejshëm transparent historik dhe i bën arkivat e hollësishme otomane më të kapshme për kërkuesit dhe historianët për të kuptuar më mirë jetën shoqërore, politike dhe ekonomike të territoreve nën sundimin otoman. Maqedonia, si një qendër e rendit otoman në Ballkan për pesë shekuj, përmban disa nga arkivat më të pasura otomane jashtë Turqisë, duke përfshirë regjistra të tokës, dokumente gjyqësore (kadi) dhe dokumente të tjera të hollësishme nga periudha otomane. Por Mustafa Budak, nëndrejtor i Arkivave Shtetërore Kryeministrore në Turqi, tha se deri tani ka patur një mungesë katalogimi të përgjithshëm dhe përpunimi dixhital të arkivave në dispozicion në Maqedoni. "Mund t’u ofrojmë autoriteteve maqedonase trajnimin e nevojshëm për arkivat, me të gjithë personelin shtesë të ekspertëve dhe pajisjeve," tha ai, duke shtuar se pas një viti projekti përvoja e fituar në Maqedoni do të zbatohej pastaj në Shqipëri dhe përfundimisht vendet e tjera të Ballkanit. Në Maqedoni, një qëllim i nismës është të rrisë njohuritë rreth historisë e kulturës otomane për studiuesit turq e maqedonas ndërsa kapërcen paragjykimet midis shoqërisë maqedonase rreth historisë otomane. Budaku vuri në dukje se "arkivat janë kujtesa burokratike e një shteti si dhe mjeti kryesor i kujtesës midis vendit dhe shtetit". Projekti mund të hedhë dritë jo vetëm në historinë e Maqedonisë, por të japë gjithashtu hollësi rreth jetës politike e shoqërore të qyteteve të tilla si Bitola, njohur në turqisht si Manastir, që mban një vend të posaçëm për maqedonasit dhe për turqit. Sa për qendrën politike, ekonomike dhe kulturore të Ballkanit në erën otomane, Pllum Veliu, myftiu i Bitolës, thotë se dokumentet në arkivat do të hedhin dritë mbi jetën në rajon dhe do të kapërcejnë pasaktësitë historike që janë krijuar nga historianët, institucionet arsimore dhe shkencore në Maqedoni. "Ky projekt do t’u japë fund të gjithë tabuve, të gjithë historisë së shpikur të Bitolës dhe do të shfaqë të vërtetën e qytetarëve të këtij qyteti gjatë rendit otoman," tha Veliu, duke vënë në dukje se qyteti ishte një "metropol diplomatik ku islami, krishterimi dhe judaizmi kryqëzonin rrugët e tyre". "Islami ishte feja shtetërore, por pasuesit e feve të tjera mund të jetonin në Bitola në paqe dhe qetësi pa kufizime. Aio është qyteti ku themeluesi i Turqisë moderne Mustafa Kemal Ataturku përfundoi arsimin e tij ushtarak," tha Veliu, duke shpjeguar pse trashëgimia otomane është e rëndësishme për qytetarët e Bitolës dhe turqit.