E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të kundërtat në Demokraci...

 

Ma nxitën këtë pyetje, mes të tjerash, Adem Demaçi kur theksonte: “Lenini fliste shumë për ligjin e unitetit dhe të luftës së të kundërtave si ligj themelor i dialektikës së Heraklitit e të Hegelit, por në praktikë mohonte njërën anë”. Dhe të mohosh njërën anë, në fakt, ke mohuar kontradiktën. Pa u ndalur te historia e te filozofët që e kanë përpunuar këtë ligj, në thelb, mentalitetet ekstremiste e kanë “shuar” nga aparati i tyre konceptual kategorinë kontradiktë. Zërat ekstremistë që vijnë mëngjeseve te emisioni “Koha për t’u zgjuar”, te Bashkimi, se “këta janë bij komunistësh e ato janë bij ballistësh”, se “sot kemi një shtet krejt tjetër nga ai që kishim para 21 prillit”, se “ky lider është tradhtar i opozitës se u bashkua me Berishën”, se “nëse Rama nuk tërhiqet nga ajo që ka bërë me Berishën për të rrezuar një shtet, nuk ka asnjë pikë takimi mes tij dhe LSI”, se “ne jemi opozita e vërtetë”…

Shtrohet pyetja: Ekzistojnë të kundërtat në shoqëritë e hapura pluraliste dhe ç’natyrë janë ato? Ç’vende zënë uniteti, “urat”, konsensusi; ndryshimi apo dhe mospajtimi e konflikti në demokraci?

***

Gjate 17 vjetëve pluralizëm, krahas arritjeve të pamohueshme, mes partive pozitare e opozitare ekzistojnë kontradikta, të cilat hera-herës shfaqen si konfliktuale. Pse? Monizmi i gjatë dhe ekstrem nuk u largua pa lënë gjurmë. Një dimër i gjatë dhe i egër i nxjerr gjallesat të dobëta në verë. Kështu ndodh edhe në shoqëri. Të mos harrojmë për asnjë çast se nga vijmë e ku do të shkojmë. Nuk jemi larg praktikës politike të sundimit të një partie politike, të partisë-shtet. Ajo në politikë, në filozofi a letërsi, madje edhe në shkencë e deri në jetën private, kishte zaptuar gjithë hapësirën e shoqërisë. Nuk po i vërejmë gjurmët e këtij mentaliteti e të kësaj praktike edhe sot? Nuk po largohemi në kohë, por le të qasim vetëdijen tonë në debatet që u bënë në Parlament lidhur me reformën zgjedhore dhe le të gjykojmë.

Këtu nuk është fjala për ata që nuk ishin dakord me sistemin e ri zgjedhor, se kundërshtitë janë në natyrën e demokracisë, madje, janë pasuri e saj. Por për ata që konsensusin mes PS-së e PD-së e gjykojnë si “tradhti” kombëtare, si “atentat” që i bëhet demokracisë, që e quajnë gati të pamundur dialogun e konsensusit me pozitën, e sidomos me Berishën. Mentaliteti monist, të shpie të koncepti i “tradhtarit”, i “armikut” dhe jo te koncepti i kundërshtarit politik. Ata “harrojnë” se edhe Berisha është kundërshtar politik e mund ta “zbresësh” nga kali, jo me ulërima, por me alternativa shkencore e bindëse; se me forcën politike që drejton Ai e me atë vetë mund të dialogohet e të arrihet në konsensus kur është fjala për interesa madhore. Reformat e mëdha e cilësore, strategjitë kombëtare, nuk mund t’i hartoje, t’i ndërtojë e t’i zbatojë një parti e vetme sado peshë që të ketë ajo. Pozita presupozon opozitën në demokraci; mohimi i njërës anë në mentalitet, apo akoma më keq në praktikë, në thelb, është mohimi i demokracisë.

Kontradiktat kanë ekzistencë objektive edhe në shoqëritë pluraliste, e, si të tilla, ato nuk kanë natyre konfliktuale apo antagoniste. Partitë synojnë pushtet dhe për të arritur këtë objektiv, paraqesin para elektoratit platformat e alternativat e tyre. Kjo është normale, madje është proces i domosdoshëm në shoqëritë demokratike. Elektoratit, shoqërisë civile, grupeve, komuniteteve u lind e drejta të zgjedhin këtë apo atë alternativë. Në këtë hark kohor, anët e kundërta janë sa në “luftë”, ndeshje, aq edhe në unitet mes tyre. Në këtë “ndeshje” secila forcë politike përpiqet të bëjë për vete elektoratin përmes alternativës që i paraqet; në unitet, se në mbarim të këtij procesi bëhet rrotacioni i pushtetit, por jo i shtetit. Dhe sistemi i ri elektoral që u aprovua në Parlament me konsensus të gjerë, zgjidh një varg kontradiktash, mes tyre, më kryesoren, atë mes klasës politike dhe shoqërisë civile. Sistemi largon nga skena të tepërtën që deformon demokracinë, u heq “fronin” politikanëve që s’janë politikanë, deputetëve që s’janë të tillë, së fundi, partitë pa rëndesë popullore. Kontradikta të kësaj natyre nuk burojnë nga shoqëria demokratike; ato vijnë nga thellësitë e shekujve. Mirëpo, këto dukuri që kthehen në shkaqe, prishin ekuilibrin mes politikes dhe shoqërisë civile, zvetënojnë autoritetin politik, shtetin. Pasojat e moszgjidhjes së drejtë të këtyre kontradiktave bien mbi shoqërinë civile. Ndaj, siç theksohet me të drejtë, gjuhën e forcës ta zëvendësojmë me forcën e urtësisë. Boll u lodhëm me sajesa të tilla si, “klasa dhe lufta e klasave”, “armiku do plumb”, “ose ideologji borgjeze, ose ideologji socialiste, të mesme nuk ka”… Është kjo arsyeja që duhet mbështetur sistemi i ri zgjedhor që buron shtetin e qytetarëve, që politikën e sheh si instrument për të zgjidhur kontradiktat e problemet që i dalin shoqërisë civile në rrugën e saj integruese. Ndaj, sistemi i ri zgjedhor nuk e rrëzon shtetin, por e forcon atë, nuk e dobëson demokracinë, por i jep shëndet asaj.

Sistemi i ri proporcional-rajonal i largon nga skenat politike partitë parlamentare “pendë”, trafikimin e deputetëve, “fenomenin e xhuvelërisë”, politikanë që duhet t’u kthehen profesioneve të tyre të natyrshme…

Sistemi i ri zgjedhor i krijon hapësirë politikës së re moderne, i hap rrugë shoqërisë demokratike e liberale, krijon kushte për marrëveshje e konsensus në interes të qytetarëve e të mbarëvajtjes së kombit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›