Vlorë, Pashkët kulmojnë me karnavalet e Nartës
VLORË- festa tradicionale e Pashkëve ka shënuar dje kulmin e saj në zonën e Vlorës me karnavalet karakteristike në fshatin Nartë. Në qendër të fshatit janë mbledhur të rinj e të reja, gra e burra madje edhe të moshuar të cilët të veshur me maska, kostume popullore e deri tek rrobat me kafshë apo personazhe filmash vizatimorë, kërcejnë e këndojnë. Paraditen e djeshme, në qendër të fshatit Nartë të Vlorës ka nisura festa më e madhe e përvitshme e kësaj zone. Pashkët të cilat festohen me karnavale kanë mbledhur edhe emigrantët të cilët janë kthyer enkas për të qenë pjesëmarrës në këtë festë. Në fshatin Nartë çdo vit për ditën e pashkëve organizohen karnavalet, një festë kjo e kthyer tashmë në traditë.
Festa
Festa fetare e Pashkëve pritet dhe përcillet ndryshe nga banorët e fshatit të Nartës në Vlorë të cilët e cilësojnë si festën më të madhe të vitit. Ngjallja e Krishtit festohet me Karnavale në këtë zonë ku njerëzit në masë këndojnë e kërcejnë për tri ditë e tri net. Çelja e festës është zhvilluar paraditen e djeshme dhe të pranishëm ishin pushtetarë lokalë, të cilët uruan dhe përshëndetën të pranishmit. Në këtë festë madhështore mori pjesë deputeti i zonës Arben Malaj, kreu i qarkut Agron Sharra dhe drejtori i policisë së qarkut, Vehbi Bushati. Këngë, valle, mish qengji dhe verë, do të shoqërojnë fshatin Nartë të gjithë vizitorët dhe vendasit për 72 orë, deri në mbylljen e tyre. Ndërsa dje festa startoi me një koncert nga pallati i kulturës dhe grupet e këngëtarëve e valltarëve vlonjatë, të cilët i lanë vendin traditës së maskave dhe vallet me kostumet e karnavaleve. Si çdo vit edhe këtë herë atmosfera në fshatin Nartë, i njohur ndryshe si fshati i traditës së Karnavaleve, ka qenë e ndezur. “Krishti u ngjall”, ka përcjellë sipas traditës mijëra ngjyra e kostume të karnavalit, ku protagonistë kanë qenë kryesisht djem të këtij fshati. Nën maskat e kostumeve të ritualit, ku dallohet veshja popullore e luftëtarit, veshja tradicionale e Nartës, kostumet e grave, apo dhe figurave të kafshëve, të rinjtë kanë kërcyer të shoqëruar nga sazet. Përveç veshjeve në këto karnavale janë karakteristike vezët e kuqe të pashkës, të cilat shpërndahen nëpër familje të ndryshme duke i shkëmbyer me të tyret, iu jepen vizitorëve dhe pjesëmarrësve në karnavale. Traditë gjithashtu është edhe bërja kurban e mishit të qengjit.Këtë festë të veçantë, krejt gazmorebanorët e Nartës e shoqërojnë me verë. Pas ringjalljes së Krishtit, vizitat e shpeshta në kishë dhe në banesat e tyre janë të shumta për tri ditë rresht.
Pashkët mes Karnavaleve
Festa fetare e Pashkëve e cila vjen dhe ikën me karnavale është zhvilluar për herë të parë në vitin 1922 në këtë zonë dhe vazhdon edhe sot. Madje edhe gjatë regjimit komunist ku të tilla festa nuk lejoheshin, populli i Nartës i ka zhvilluar por me mënyra më të kufizuara karnavalet. Besimtarët ortodoksë në këtë fshat janë shumë të dhënë pas kësaj feste, kjo duket tek mënyra se si e organizojnë, pjesëmarrja e tyre masive, madje dhe shqiptarët emigrantë vijnë nga vendet fqinje për të qenë të pranishëm në këtë ditë pranë vendit te tyre. Tradicionale për festimin e Pashkëve janë karnavalet te cilat zgjasin tri ditë e tri net pa pushim, këndohet dhe kërcehet në gjithë fshatin. Karakteristikë e kësaj feste janë maskat e shumta të përdorura, të cilat përfshijnë nga kostumet popullore e deri tek kafshët apo personazhe filmash vizatimorë. Ndryshe nga çdo stinë tjetër e vitit, në fshatin e Nartës ndihet humori, gazi dhe harmonia në ditët e Pashkës dhe karnavaleve, ku të gjithë banorët e fshatit festojnë ditët e gëzuara kristiane.