E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedonët e Eurosong-ut në Tiranë

 

Sot në orën 11:30, Radio Televizioni Publik Shqiptar prezanton në ambjentet e Hotel Rogner Europapark tre këngëtarët që do të përfaqësojnë Maqedoninë në Festivalin Europian në Beograd që do të zhvillohet në fund të majit. Janë Tamara, Vërçak dhe shqiptari Adrian Gaxha. Tamara, e lindur në 1985, është një nga këngëtaret më në zë të të aktualitetit në Maqedoni. E ka filluar karrierën më 2001 me hitin “Dali Znam” (A e di?), të shkruar nga Robert Bilbilov. Ka marrë pjesë në të gjitha festivalet e këngës të organizuara në Maqedoni, por edhe në Mal të Zi dhe Serbi, madje ka kënduar edhe me nënën e saj Branka, një këngëtare lirike, në Festivalin e Ohrit, ku ka fituar çmimin e tretë. Së bashku me Vërçak ajo ka fituar çmimin e parë të Makfest, me këngën “Sedmo nebo” (qielli I shtatë). Tamara njihet shumë mirë edhe nga publiku serb me këngën e saj “SEX”, e kënduar së bashku me grupin nga Beogradi “187”.

Rade Vërçakovski, siç njihet ndryshe Vërçak, është lindur në vitin 1980, i njohur prej disa vitesh si kompozitor dhe këngëtar që ka nxjerrë dy albume me fat me të cilat ka fituar çmime për këngën më të mirë, për albumin më të mirë, dhe për këngën më të interpretuar gjatë vitit. Megjithëse po mbaron studimet për mjekësi, Vërçak ka zgjedhur karrierën muzikore.

Adrian Gaxha është i njohur për publikun tonë dhe atë maqedonas me tre albume në shqip dhe një në maqedonisht. Ka fituar çmimin e parë në “Videofest”, çmimin si këngëtari më i mirë mashkull në “Topfest”, ka fituar dy herë çmimin për videon më të mirë tek “Netët e Klipit Shqiptar”, çmimin për performancën më të mirë në “Makfest”, çmimin e parë në “Ohrid Fest”, dhe më 2006 çmimin e dytë në finalet maqedonase të Eurovizionit në duet me këngëtaren Esma Rexhepova. Është shqiptari i dytë që mer pjesë në të njëjtën skenë të Eurosongut, pas përfaqësueses zyrtare të Shqipërisë, Olta Boka.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›