Të majtët në një zë: Zgjedhjet e 23 qershorit, të rëndësishme sa të 92. Do arrijmë një fitore plebishitare
Partia Socialiste ka mbledhur sot Konventën Kombëtare ku ka prezantuar aleatët e saj.
Konventën e përshëndeti përmes një letre edhe shkrimtari i njohur Dritëro Agolli i cili kërkoi rrotacion dhe fitoren e opozitës së bashkuar më 23 qershor.
Kreu i Partisë Socialiste Edi Rama u shpreh se më 23 qershor do të mbyllet kapitulli i rrënimit. Ai ka theksuar se bashkimi i së majtës do t`i kthejë vendit të drejtën e qeverisjes nga shumica, raporton “Ora News”.
Ky bashkim ka vullnetin për të garantuar ndryshimin më 23 qershor dhe pas 23 qershorit. Zgjedhjet e 23 qershorit janë po aq historike e 22 marsit të 1992. Më 22 mars populli shqiptar i dha një votë plebishitare ndryshimit rrënjësorë për të mbyllur një epokë dhe hapur një kapitull të ri. Me një votë plebishitare populli shqiptar do ta mbyll kapitullin e rrënimit me një votë plebishitare për Aleancën për Shqipërinë Evropiane. Për ne është e rëndësishme, të mos harrojmë se 23 qershori, bashkimi ynë do ti kthejë të drejtën natyrale për tu qeverisur nga shumica dërrmuese, dhe për të mos mbetur peng i një pakice tha Rama.
Edhe ish-presidenti Rexhep Mejdani po ashtu kërkoi rrotacion politik dhe ndryshim më 23 qershor, pasi sipas tij, pas 8 vitesh në pushtet, maxhoranca është konsumuar.
Kjo konventë le ti shërbejë objektivit të madh për rotacionin e qeverisë dhe ndryshimin e madh politik, që është më urgjente në këtë fazë të tranzicionit. Kërkohet një rinovim të energjisë pas një stërlodhje. Kërkohet një vendimmarrje e përbashkët politike për çështje kyçe, si punësimi, taksat, edukimi shëndetësia. Shqipëria ka nevojë për një politikë të tillë. Bëhet më e domosdoshme vota e shqiptarëve për të realizuar këtë rotacion, dhe një bazë qeverisëse më solide, për të mos lejuar që ky vend të shndwrrohet në një vend varrezë plehrash tha Mejdani.
Milo: Sot dëshmojmë se jemi të gjithë bashkë
Ndërsa kreu i PDS-së Paskal Milo theksoi se kjo konventë tregon se opozita është e bashkuar dhe ajo po hap rrugën e pakthyeshme të suksesit të koalicionit opozitar në 23 qershor.
Ne jemi sot këtu për ti dëshmuar shqiptarëve se jemi në një front që ëndrrat dhe aspitaratat e tyre të gjejnë realizim të plotë. Ne jemi sot këtu që ti dëshmojmë të gjithë shqiptarët se ekipi ynë elektoral sot dhe qeverisës nesër do të jetë i ndryshëm nga ata njerëz që i kanë qeverisur deri më sot. Sot në gjirin e opozitës janë shtuar forcat e ndërgjegjshme që kanë marrë përsipër që ta bëjnë ndryshimin një realitet për të gjithë shqiptarët. Ne duam t`u japim shqiptarëve mesazhin e madh që ne jemi bashkë. Pavarësisht se kemi flamuj të ngjyrave të ndryshme por këto flamuj kanë një zemër të përbashkët, dëshmojnë se japin mesazhe të njëjta në emër të këtij fronti opozitar që do ti cojë këto flamuj në 23 qershor të valviten të lirë tha Milo.
Ngjela: 23 qershori, betejë e madhe si ajo e 92-96
Kreu i Partisë Ligj dhe Drejtësi theksoi se 23 qershori është beteja më e madhe për shqiptarët që do të bëjë të mundur çlirimin e Shqipërisë nga totalitarizmi.
Ai e cilësoi qeverinë e sotme një bandë hajdutësh, ndërsa ka shtuar Shqipëria po përjeton një regjim i cili mbështet tekurrejtja dhe vërfërimi i qytetarëve.
Në këtë rrafsh 20- vjeçar keni ndërmarrë dy beteja të mëdha për të shpëtuar Shqipërinë, betejën 92- 96, dhe këtë të renë më të fundit, 2009- 2013. Dhëntë zoti që kjo të jetë beteja e fundit, për ta çliruar njëherë e mirë këtë vend, dhe nga marrëzia totalitare tha Ngjela.
Gjinushi:Të largojmë diktatorin e fundit të Mesdheut me votën e 23 qershorit
Kreu i Partisë Social Demokrate Skënder Gjinushi theksoi se shqiptarët duhet të largojnë me votë diktatorin e fundit të Mesdheut.
Treni ynë me 37 vagona i kryesuar nga PS-ja konkuron me trenin me qymyr të Saliut i cili shkon drejt së shkuarës ndërsa treni ynë shkon drejt së ardhmes. Shqipëtarët nuk duhet të ngatërrojnë trenat. tha Gjnushi.
Meta: Fitorja jonë e sigurtë. Pas 23 qershorit do të lindë një Republikë e re
Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta tha se fitorja e së majtës është e sigurtë më 23 qershor dhe do të jetë plebishitare.
Edhe pak ditë na ndajnë nga fitorja historike dhe plebishitare, nga linja e një Republike të re, atë të Shqipërisë së vertetë evropiane. Në përmbushje të këtij misioni historik dhe jetik, për të mbërritur në Evropë ne do të ndërtojmë një Shqipëri me stabilitet politik dhe institucional, ku prioritet e qytetarëve janë dhe ato të politikës. Nuk do ta përplasim më Shqipërinë me perëndimin, as me SHBA-të, por do të forcojmë fushat e bashkëpunimit tha Meta.
Ai shtoi më tej se fitorja e Aleancës për Shqipërinë Evropiane do ta vendosë Shqipërinë përballë sfidave të mëdha, por sipas tij mazhoranca e ardhshme do t`i përgjigjet me shumë force.
Do punojmë për të forcuar stabilitetin, prodhimin vendas, eksportet dhe një zhvillim të qëndrueshëm që sjell më shumë punësim. Do të punohet për të mbrojtur shtresat sociale në nevojë, dhe për të forcuar rolin e shoqërisë civile shtoi Meta./b.l