Të majtët shkarkojnë në korridor Kosovrastin
Nga Renato Dauti
Incidente në votimin e kreut të ri të Këshillit Bashkiak të Tiranës. Basha kishte kyçur sallën e këshillit. Bashkia: Mbledhja e paligjshme
Mbledhja e paralajmëruar e Këshillit Bashkiak të Tiranës është shoqëruar me incidente të pazakonta. Megjithatë anëtarët e majtë të këshillit kanë shkarkuar me 31 vota kreun e këshillit, Njazi Kosovrasti duke emëruar në vend të tij Aldrin Dalipin.
Incidenti
Këshilltarët e majtë kishin njoftuar ditë më parë për mbledhjen e Këshillit, ndërkohë që dje në momentin që janë paraqitur në ambientet e Bashkisë ata kanë gjetur të kyçur derën e sallës ku zhvillon mbledhjet Këshilli Bashkiak. Këshilltarët e majtë akuzuan kreun e Bashkisë, Lulzim Basha se ka ndërruar bravën e derës së sallës si dhe ka larguar të gjithë dokumentacionin nga salla ku zhvillon mbledhjen Këshilli Bashkiak i Tiranës. I bëjmë thirrje kreut të Bashkisë së Tiranës të ruajë qetësinë, të zbatojë ligjin, të respektojë vullnetin e shumicës. Kemi ezauruar të gjithë hapat ligjore për thirrjen e kësaj mbledhjeje. Kërkesën ja drejtuam zotit Kosovrasti i cili shpërfilli kolegët e tij në Këshillin Bashkiak. Njoftimi për mbledhjen është bërë që ditën e hënë. Ne u gjendem përballë një fakti qesharak. Ajo që ne kërkuam dhe që na jep ligji të drejtën është një dhe vetëm një, në momentin që ka një shumicë të re, drejtimi i këshillit bashkiak të Tiranës ndryshon. Kjo jo për të bllokuar zotin Basha, por për ti dhënë legjitimitet institucionit, tha Aldrin Dalipi.
Votimi
Duke qenë se dera e sallës ku zhvillohen mbledhjet e Këshillit Bashkiak ishin të mbyllura atëherë 31 këshilltarët e majtë kanë zhvilluar një mbledhje në ambientet e paradhomës. Gjatë kësaj mbledhje ata votuan me 31 vota shkarkimin e kreut të Këshillit Bashkiak, Njazi Kosovrasti dhe emërimin në vend të tij të Aldrin Dalipit. Pas koalicionit PS-LSI në Këshillin Bashkiak të Tiranës është krijuar një maxhorancë e re, ku të majtët kanë 31 anëtarë kundrejt 24 të të djathtëve.
Bashkia: Nuk u zhvillua asnjë mbledhje zyrtare e këshillit
Bashkia e Tiranës reagoi pas ngjarjeve të ndodhura ditën e djeshme në ambientet e bashkisë. Në një deklaratë për mediat Bashkia bën me dije se nuk është zhvilluar asnjë mbledhje zyrtare ku të vendoset shkarkimi i kryetarit të Këshillit Bashkiak ndërsa paralajmëron se do të ketë kallëzim penal për këshilltarët të cilët shqyen dyert e Bashkisë. Bashkia Tiranë bën të ditur se sot (dje) nuk është zhvilluar asnjë mbledhje zyrtare e Këshillit Bashkiak. Bashkia Tiranë njoftoi që dje opinionin publik se nuk ka asnjë njoftim zyrtar dhe të ligjshëm mbi thirrjen e mbledhjes së Këshillit Bashkiak për ditën e sotme (djeshme). Bashkia Tiranë dënon dhunën e përdorur sot (dje) nga disa këshilltarë, ndaj institucionit të Bashkisë dhe bën të ditur se do të bëjë kallëzim penal ndaj personave përgjegjës. Të gjithë veprimet dhe deklaratat e sotme (djeshme) të disa anëtarëve të Këshillit Bashkiak janë në kundërshtim flagrant me ligjin dhe janë të motivuara nga fryma e konfliktit politik, thuhet ndër të tjerash në njoftimin e Bashkisë së Tiranës.