Berisha-grave: Fitorja e PD-së në 23 qershor është në dorën tuaj
Partia Demokratike zhvilloi Konventën e saj ku në fokus ishte barazia gjinore. Në fjalën e tij, kryeministri Sali Berisha shprehu angazhimin e tij për barazinë gjinore në vend ndërsa tha se do të vendosen para ligjit të gjithë ata të cilët shkelin të drejtat e grave.
Deklarata
Ne zotohemi se do të bëjmë gjithçka për respektimin e të drejtave tuaja. Së bashku me këtë projekt do të sulmojmë murin e patriarkisë dhe do të vendosim para ligjit ata që do të dhunojnë të drejtat dhe liritë e grave. Çështja e grave është çështje e potencialit kombëtar prandaj ftoj gratë e Shqipërisë që të bashkohemi për shkollimin e vajzave tona, që shkolla jonë të kap horizontet më të larta. Sot gratë dominojnë me 10 % më shumë në universitetet tona, u shpreh kryeministri Berisha. Në vijim kreu i qeverisë premtoi mbështetje për të gjitha gratë të cilat kërkojnë karrierë duke theksuar se do të dyfishojë numrin e grave në çdo fushë. Do të mbështesim karrierën e çdo vajze dhe çdo gruaje. Ato nderojnë katedrat e universiteteve jo vetëm në Shqipëri por në të gjithë botën. Midis jush ka gra të cilat na përfaqësuan me dinjitet tek presidenti Obama, gra që kanë arritur suksese të mëdha. Do të përpiqemi që sot nga 18% që është numri i grave manaxhere dhe përfaqësuese biznesi, ta dyfishojmë atë, sepse vetëm kështu kombi ynë do të kap nivelet më të larta të zhvillimit, premtoi kryeministri Berisha. Duke u ndalur tek zgjedhjet e 23 qershorit, kryeministri Berisha iu drejtua grave të pranishmëve duke thënë se fitorja e PD-së është në duart e tyre dhe se kjo fitore do të jetë vepra e tyre. Ne po ecim drejt zgjedhjeve të cilat janë përcaktuese për ëndrrat dhe të ardhmen tuaj dhe të fëmijëve tuaj. Në 23 Qershor fitorja është në duart tuaja, fitorja është vepra juaj. Fitorja e Partisë Demokratike ka pasur dhe do të ketë vetëm një emër, grua, vajzë, zonjushë, përfundoi kryeministri Sali Berisha.
Berisha: Pa median nuk mund të ketë demokraci
Kryeministri Berisha nëpërmjet një mesazhi në rrjetin social Facebook ka uruar gazetarët shqiptarë për ditën botërore të lirisë së shtypit. Në mesazhin e tij kryeministri vlerëson rolin e mediave si pushtet i katërt ndërsa thekson se nuk mund të ketë demokraci pa media. Sot(dje) njerëzit e lirë në mbarë botën nderojnë me vlerësimin më të madh mediat, punonjësit e tyre, rolin e tyre si pushtet i katërt, pa të cilin nuk ka demokraci. Duke bashkuar zërin tim me protestën dhe kërkesat e drejta të mediave shqiptare këtë ditë, unë dua ti garantoj ato se mbetem një mik i vërtetë i tyre që çmoj dhe admiroj rolin e tyre të pazëvendësueshëm dhe thelbësor në një shoqëri të lirë dhe se do bëj gjithçka që liria e tyre të bëhet çështje e lirisë se çdo shqiptari shkruan kryeministri. Në vijim, kreu i qeverisë ka vlerësuar edhe reporterët që kanë dhënë jetën në vendet e konfliktit duke i cilësuar si martirë. Unë gjithashtu dua të përulem me nderim të madh para atyre gazetarëve, kameramanëve, kronistëve që u martirizuan këtë vit në zona të nxehta të planetit për të informuar botën mbi zhvillimet e ethshme. Edhe njëherë, gëzuar ditën e lirisë së shtypit, ditën e fjalës së lirë! përfundon mesazhin e urimit kryeministri Berisha.