E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Feja pa vepra, është si pema pa kokrra”

02-02-2013 / Gazeta 55

Mesazhi i Papës për Kreshmë

“Për një jetë të shëndetshme shpirtërore, është e nevojshme të rrish larg si nga feja pa vepra, ashtu edhe nga aktivizmi moralist”. Është një nga fragmentet kryesore të Mesazhit të Benediktit XVI për Kreshmët 2013, botuar dje. Papa flet për lidhjen e pazgjidhshme ndërmjet fesë dhe dashurisë së krishterë dhe i fton besimtarët t’i shikojnë veprat e tyre bamirëse, si pasqyrim i dashurisë së Krishtit për njeriun. “Ne e njohëm dashurinë, që ka Hyji për ne, dhe i besuam asaj” (1 Gjn,4,16). Tema ungjillore e Mesazhit për Kreshmët shpreh përmbledhtas të vërtetën, të cilën Benedikti XVI e pohon në mënyrë të veçantë: “I krishteri nuk e do të afërmin, sepse është i mirë e solidar në përgjithësi, por sepse e ka provuar në vetvete dashurinë e Krishtit e pikërisht këtë dashuri ua kumton të tjerëve”. Papa sqaron përsëri lidhjen e ngushtë të fesë me bamirësinë dhe nevojën që asnjëra të mos dalë mbi tjetrën. Çështja në fjalë nuk është e re: u trajtua nga Shën Pali e Benedikti XVI e riaktualizon. Feja e dashuria e krishterë, shkruan, janë virtyte të lidhura në mënyrë të pazgjidhshme e është jashtë mendsh t’i shikosh duke iu kundërvënë njëra-tjetrës, t’i shikosh me syrin e ‘dialektikës’ siç ngjet nganjëherë, vëren Ati i Shenjtë, kur ekziston prirja për ta shpjeguar termin ‘dashuri e krishterë”, si solidaritet ose, thjesht, si ndihmë humanitare.
I krishteri, e posaçërisht “veprimtari i bamirësisë”, vijon Papa, është njeri i pushtuar nga dashuria e Krishtit e prandaj ia hap zemrën në mënyrë konkrete e të thellë të afërmit. Benedikti XVI përdor një shprehje të njohur figurative, për ta shpjeguar natyrën e kësaj dashurie: “Jeta e krishterë, pohon, është ngjitje e vazhdueshme mbi malin e takimit me Hyjin, për të rizbritur, pastaj, duke sjellë me vete dashurinë dhe forcën, që rrjedhin prej saj, për t’u shërbyer vëllezërve e motrave tona, me të njëjtën dashuri, që ka Zoti për ne”. Mbi këtë bazë kuptohet mirë se, për një të krishterë, bamirësia më e madhe duhet të jetë ungjillëzimi, domethënë, shërbimi ndaj Fjalës së Zotit. Ashtu si çdo i krishterë e di mirë se veprat më të mëdha të dashurisë, nuk janë aq përpjekjet e tij për të sjellë fryt, sa nisma shëlbuese, që vjen nga Hyji, nga Hiri i Tij. E kjo, pohon Benedikti XVI, nuk e cënon aspak lirinë dhe përgjegjësinë tonë, përkundrazi, e bën më të vërtetë dhe e orienton drejt veprave të bamirësisë. Si përfundim, nënvizon Papa, feja pa vepra është si pema pa kokrra: në se e para të bën ta njohësh të vërtetën e Krishtit, si dashuri e mishëruar dhe e kryqëzuar, e dyta të bën të hysh në këtë dashuri e të shtyn ta dhurosh plotësisht vetveten. Kardinali Sarah, kryetar i Cor Unum, në konferencën e shtypit për paraqitjen e Mesazhit kreshmor të Papës: “e pallogaritshme, veprimtaria bamirëse e Kishës". Lidhja ndërmjet fesë e dashurisë së krishterë, zemër e Mesazhit të Papës për Kreshmët 2013, ishte në qendër të vëmendjes gjatë paraqitjes së tekstit në Sallën e Shtypit të Vatikanit. Kardinali Sarah, kryetar i Cor Unum, kujtoi veprimtarinë e pallogaritshme bamirëse të Kishës dhe njoftoi se një mision i ri kishtar do të niset për në Jordani, për të koordinuar ndihmat për zonën e, posaçërisht, për Sirinë. Është e pamundur ta përcaktosh shtrirjen pa fund të impenjimit të Kishës, në favor të të varfërve, viktimave të luftës, familjeve në vështirësi, të sëmurëve. Kështu u shpreh kardinali Robert Sarah, kryetar i Këshillit Papnor ‘Cor Unum’- ‘Një zemër e vetme’, i cili, gjatë diskutimit të tij vuri disa herë theksin mbi një të vërtetë të madhe: feja e bamirësia janë dy faqet e shpirtit të krishterë, që i përket Krishtit. Arrijnë në 3 milionë e gjysëm, ndihmat që ka dërguar Papa gjatë vitit të fundit: Kardinali Sarah: “Në Kishë kemi të paktën 165 Karitase në mbarë botën. Bëjnë pjesë në një konfederatë, në Karitas Internationalis. Puna e Kishës për të varfërit nuk njeh kufij”. Këtë koncept e shprehu edhe imzot Segundo Tejado Munoz, zëvendës-sekretar i Këshillit Papnor “Cor Unum”: “Shumëkush pyet pse nuk bëjmë një statistikë të veprimtarive të Kishës, me numra e shifra. Është e pamundur. Forca e madhe e Kishës është vullnetariati e, shumë herë, është pa emër. Kjo është forca e madhe. Pastaj mund edhe të japim numra, por siç thoshte Papa në Motu proprion “Intima ecclesia natura”, identiteti i vërtetë, natyra e vërtetë e bamirsisë është në vetë jetën e Kishës, në famullitë, në bashkësitë e krishtera, në të krishterët e veçantë, që shpesh e jetojnë dashurinë e krishterë në mënyrë krejt të heshtur. Mund të japim numra, po do të ishin krejtt të papërcaktuar”.
Në qendër të vëmendjes, në pyetjet e gazetarëve, ishte edhe Motu Proprio e Papës mbi shërbimin e bamirësisë. Kardinali Sarah nënvizoi impenjimin e Benediktit XVI për të sqaruar disa aspekte me karakter normativ: “Ati i Shenjtë pati vërejtur se mungonte impenjimi i ipeshkvit. Mendoi, prandaj, ta shpjegonte punnën dhe impenjimin e ipeshkvit për organizimin e veprimtarive bamirëse më dioqezën e tij, në famullitë e tij, për të përfshirë mbarë bashkësinë. Kjo mungesë e ipeshkvit mund ta çonte veprimtarinë bamirëse të Kishës në një udhë, që nuk e shpreh vërtetësisht identitetin e Saj”.
Në përfundim të konferencës së shtypit, u dha njoftimi për një udhëtim të ri në Lindjen e Mesme, në program më 19 deri më 21 shkurt. Në Amman, kardinali Sarah do të takohet edhe me mbretin Abdullah si dhe me delegatët e Karitasit Mona për Lindjen e Mesme dhe veriun e Afrikës, për të diskutuar posaçërisht lidhur me situatën e vështirë në Siri. Të dëgjojmë përsëri kardinalin Sarah:“Jemi në fazën e ndihmës konkrete për refugjatët, prej këndej do të vijojmë ta ndjekim situatën e ta përballojmë konkretisht tani, që në vend është dimër. Bën ftohtë, mungon ushqimi, mungojnë ilaçet. Ndoshta nuk do të gjejmë rrugëzgjidhje, por do të bëjmë çmos ta ndalojmë këtë luftë”.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›