E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të meta dhe mëdyshje tek qëndrimet e Neademokratia-s së Samaras

30-11-2011 / Kathimerini

“Kathimerini”


  Janë të shumtë grekët që po përpiqen të qëmtojnë qëndrimet dhe deklarimet e z.Antonis Samaras. Nga ana tjetër, z. Samaras mund të ishte bërë kryetari i “Nea Democratia”-s, madje edhe kryeministër i vendit, qysh në hershmërinë e viteve nëntëdhjetë. I ri në moshë, shpuzë, me cilësi për t’u pasur zili, atij nuk i mungonte thuajse asgjë. Asokohe, udhëheqësi i konservatorëve grekë - Kostandin Micotaqis - e shquante si trashëgimtarin e natyrshëm, partinë e Karamanlisit e kishte në krah, e për shumë të tjerë vlerësohej si “Kenedi grek”. Më pas erdhi çështja e Shkupit. Samaras-i e pa të udhës të përshtaste një qëndrim të ashpër, duke kërkuar që termi ?Maqedoni? të mos figuronte as edhe si ndajshtesë e emrit të vendit fqinj. Për shumëkënd, kjo qasje shquhej si një orvatje e tij për t’i çuar problemet në fije të perit, si për marrëveshjet ashtu edhe për propozimet. Me fjalë të tjera, ai u përpoq me të gjitha mënyrat që të hiqte nga vetja çdo lloj mundësie për të mbartur mbi shpinë çdo damkë tradhtie. Kjo, nëse do t’i duhej të ndërmjetësonte ndershëm për gjetjen e një zgjidhjeje me këmbë në tokë, si për shembull e ashtuquajtura paketa “Pinheiro”. Më tej, Antonis Samaras-i e pa veten të lënë mënjanë, duke rrënuar çdo lloj ure për të hedhur hapa përpara apo për t’u tërhequr pas. Kur çështja mori zjarr, publiku i gjerë e mbështeti pa rezerva, ndërsa sistemi politik e la krejt në bisht. Dhe i tillë mbeti për vite me radhë. Gjithsesi, ai ia doli mbanë të rikthehej bindshëm në politikë duke fituar edhe garën për kreun e “Nea Democratia”-s. Shumëkush mendoi se ai kishte ndryshuar, por përsëri, diçka me zarar bëri vaki në udhë e sipër. Tashmë Samaras-i i ka të gjitha fishat e lojës për t?u bërë kryeministri i radhës. Ai pati mjaft të drejtë të kritikonte taksat gjithnjë e në rritje dhe të metat e strategjisë së ish-kryeministrit Papandreu për ta dalë nga kriza. Në këtë situatë, ishte e pritshme që shtresa e mesme e popullsisë të hidhte sytë e të kishte besim te qendra e djathtë, për gjetjen e zgjidhjeve të qenësishme e të besueshme për përmirësimin e situatës. Por në vend që të ndiqte udhën “tradicionale”, ai nxiti kërkesat kundër shkurtimeve dhe yshti protestuesit të çirreshin kundër Trojkës evropiane, gjermanëve, dhunuesve të sovranitetit kombëtar, e kështu më radhë. Hap pas hapi, ai u gjend i përfshirë në një qerthull ku plekseshin retorika me hiperbolën. Nuk kishte arsye të vepronte kështu. Mund të kishte fituar e përfituar një dorë të mirë lojtarësh ?në treg?, nëse do të kishte shpalosur aftësinë e tij qeverisëse duke ngritur urat e komunikimit më ndërmjetësit e huaj, qoftë edhe duke shprehur kundërshtitë e tij. Përkundrazi, pozita që ai ka zënë është e dëmshme, duke përdorur një retorikë që nxit ndasitë dhe cyt mëritë, në një vend që është vënë në “provë acide”. Sakaq, ai u përball me një dilemë të madhe kur iu desh të ndante mendjen për t’i dhënë mbështetje qeverisë “Papademos”. Në këtë rast ai veproi drejt, edhe pse zemërthyer, duke u nisur më shumë nga përllogaritjet brendapartiake. Ndërsa tani ai gjendet përballë një dileme edhe më të madhe. Në lidhje me taktikat e ndjekura, ai ka bërë të gjitha “gabimet” e parathëna. Ndërkohë, qytetarët kishin kohë që e kishin vënë në provë. Kurse tani, na mbetet të presim e shohim se si do të sillet ai në periudhën në vazhdim në lidhje me garancitë e dhëna me shkrim dhe votimet e radhës që lidhen me shkurtimet financiare, përpara se të dalim në ndonjë përfundim.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›