E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mblidhet Komisioni i Reformës –Evropa paralajmëron për ritme të shpejta

01-12-2011 / Gazeta 55

Dje u mblodh për herë të parë Komisioni i Reformës Zgjedhore. Politika shfaqi optimizëm të matur, ndërkohë që ndërkombëtarët apeluan për ritme shumë të shpejta në miratimin e ligjeve. Komisioni Evropian shpreson që t’i japë Shqipërisë statusin e kandidatit, pranverën e ardhshme, sapo të miratohet Kodi i ri Zgjedhor Topalli: Nisja e punës, gur prove për përsosjen e ligjit elektoral Dy javë pas


votimit në Kuvendin e Shqipërisë, u mblodh dje nën drejtimin e kryetares së Kuvendit, për herë të parë komisioni ad hoc, për reformën zgjedhore. Në ditën e parë të punës së këtij komisioni që u zhvillua pa praninë e medias, u caktua grupi i ekspertëve që do identifikojnë çështjet për reformën zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE - ODIHR. Në përshëndetjen e saj, kryetarja Topalli, duke i uruar komisionit punë të suksesshme, theksoi se ky është “një gur prove dhe moment reflektimi për çdo parti politike në arritjen e kompromiseve, në funksion të përsosjes së standardeve të reformës”. “Sot është një ditë e veçantë në Kuvendin e Shqipërisë. Pak ditë më parë, Kuvendi i Shqipërisë ka marrë një vendim, vendimin e datës 17. 12. 2011, në të cilin Kuvendi ka vendosur ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore. Në këtë mbledhje të parë të punës së këtij Komisioni për Reformën Zgjedhore unë dëshiroj t’ju uroj të gjithëve punë të mbarë dhe suksese në këtë detyrë të rëndësishme. Reforma Zgjedhore është një akt politik i rëndësishëm parlamentar, por ndoshta dhe më shumë se sa një reformë politike e rëndësishme parlamentare. Vetë prania e ambasadorëve këtu tregon për dimensionin e rëndësishëm që kjo reformë ka në perspektivën  dhe në përsosjen e standardeve zgjedhore të vendit tonë. Fillimi i kësaj pune është një hap i parë në të cilën kërkohet angazhimit total i secilit prej anëtarëve të komisionit. Unë besoj se suksesi i kësaj reforme parlamentare do të jetë një gur prove për partitë politike. Kjo reformë parlamentare është një gur prove për partitë politike sepse është rasti që çdo parti politike  të dalë jashtë interesave të saj të ngushta, të kapërcejë mbi interesat e çdo partie e madhe apo e vogël, e majtë apo e djathtë”, u shpreh kryeparlamentarja, Topalli. Sipas saj, marrëveshja e arritur mes partive politike, është në funksion të reflektimit politik dhe përsosjes së standardeve të kërkuara nga faktori ndërkombëtar. Topalli kërkoi angazhim konkret nga përfaqësuesit politik në komisionin e posaçëm të reformës zgjedhore, në arritjen e konsensusit të plotë, për të perfeksionuar ligjin e ri elektoral. “Duhet të mendojmë për të përsosur standardet ashtu siç e dëshirojnë të gjithë shqiptarët. Unë kam besim dhe shpresoj thellësisht, që ky gur prove për çdo parti politike do të jetë një moment reflektimi, por edhe një shans dhe një mundësi e jashtëzakonshme për të arritur kompromise në funksion të standardit më perfekt të reformës. Unë jam dakord, nuk  mund të ketë një reformë të re zgjedhore pasi është bërë një reformë zgjedhore. Në parim jam tërësisht dakord dhe kjo është arsyeja pse secili prej përfaqësuesve të ndryshëm politikë janë në provë. Reforma Zgjedhore duhet të jetë një reformë e gjithanshme, duhet të jetë një reformë e thellë, e standardeve për interesa të përgjithshme, të vendit, të së ardhmes dhe për interesa të asnjërës parti politike në mënyrë të veçantë. Unë besoj se ju do t’i qëndroni interesit të vendit mbi interesin partiak. Si Kryetare e Kuvendit duke uruar që kjo reformë të jetë e suksesshme ju vë në dijeni se administrata e Kuvendit do të jetë në dispozicionit tuaj për çdo nevojë, sugjerim, mbështetje që të keni, si për burime njerëzore, si për burime financiare nëse ato janë të nevojshme. Si Kryetare e Kuvendit kam përgatitur procedurat dhe letrat për t’ia dërguar institucioneve ndërkombëtare, OSBE-së, Komisionit të Venecias për asistencën dhe mbështetjen e tyre si dhe për çdo gjë tjetër që ky komision do të vendosi për të bërë më të efektshme punën e tij”, tha më tej ajo. Nga ana e tij, përfaqësuesi i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri pas përfundimit të mbledhjes informoi se shumë shpejt komisioni i reformës zgjedhore do nisë diskutimin e çështjeve konkrete. Ai theksoi se komisioni i reformës zgjedhore, është i hapur për të dëgjuar propozimet e partive të vogla jo parlamentare. “Diskutuam disa çështje administrative, por shumë shpejt duhet të nisim cështje konkrete. Ato janë problematikat që kanë të bëjmë me procesin zgjedhor. sot u ngrit grupi i ekspertëve, të gjitha çështjet do diskutohen në ditët në vijim. Presim edhe propozimin e partive të vogla. Nëse ka vullnet të mirë gjërat do të kryhen”, tha bashkëkryetari i komisionit të reformës zgjedhore, Damian Gjiknuri. Dje, 6 parti parlamentare u vunë përballë njëra-tjetrës në të parën mbledhje të komisionit ad hoc për refomën zgjedhore, për t’u bërë gati për zgjedhjet e ardhshme. Komisioni u drejtua nga dy bashkëkryetarët, Damian Gjiknuri i Partisë Socialiste dhe Ilir Rusmali i Partisë Demokratike. Tashmë palët kanë gati paketën e propozimeve që do të nisë me amendimet e ndryshme të kuadrit ligjor për procesin zgjedhor, siç janë votimi familjar, votimi fiktiv, problemet me listat e zgjedhësve.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›