E rrëmbeu Nazmijen 9 ditë pas fejesës, e përdhunoi. 18-vjeçarja vret dhunuesin

Nazmie Visha
Kanati i derës në portën e shtëpisë së Dalip Vishës në Krrabë, ku pak pas mesnate ishte futur dhunshëm Fiqiri Muça, për të dalë andej i ndjekur nga plumbat pak çaste më pas, qëndronte i hapur pasditen e djeshme. Por banorët e shtëpisë ishin tretur.
Aty ndodhej vetëm Safete Visha, nusja e xhaxhait të Nazmije Vishës, 18-vjeçares që qëlloi me armë drejt Fiqiri Muçës duke e vrarë atë pas mesnatës së të dielës. Sipas Safetes, pjesëtarët e tjerë të familjes ishin thirrur për të dhënë shpjegime në polici në lidhje me ngjarjen. Bashkë me të ishte vetëm një i afërm i familjes. Ndonëse nuk ka qenë në banesë në momentin e ngjarjes, Safetja është në brendësi të historisë të kërcënimeve të Fiqiri Muçës ndaj bujtëses në familjen e tyre, Nazmije Visha. Sipas saj, Fiqiri Visha i kishte nxirë jetën Nazmijes, duke i dërguar mesazhe kërcënuese asaj dhe familjes. Ai donte ta trafikonte Nazmijen jashtë vendit, por nuk ia arriti dot, tha Safetja. Në rrëfimin e saj për gazetën, Safetja, tregon dhe rrëfimet e vetë Nazmijes për 11 ditët e rrëmbimit dhe e mbajtjes në pyll nga viktima e djeshme.
Kur e mësuat ngjarjen?
Unë nuk kam qenë prezente vetë, pasi mbrëmë isha te njerëzit e mi, që ndodhen në lagjen tjetër. Po siç na thanë, Fiqiri Muça ka ardhur mbrëmë te dera dhe ka dashur të futet me dhunë. Flitet që një makinë e ka pritur poshtë në rrugë. Kur është futur te porta është qëlluar. Ngjarja ka ndodhur rreth orës një pa dhjetë, një pa një çerek. Pesë minuta ka zgjatur kjo ngjarje.
Me çfarë arme është qëlluar?
Është vrarë me armë zjarri. Policia e gjeti një automatik në vendngjarje. Por nuk e di me saktësi. Në banesë ka qenë një çifte me leje, por unë vetë nuk e di, nëse është qëlluar se me çfarë arme është qëlluar. Për automatikun nuk di gjë.
Prej sa kohësh jetonte në shtëpinë e gjyshërve të saj Nazmije Visha?
Nazmija kishte tre muaj që rrinte këtu. Jetonte me gjyshin dhe gjyshen. Erdhi pasi disa herë e pati thirrur policia…
(Vazhdimin e intervistës, historinë e plotë të 18- vjeçares, rrefimin e dëshmitarëve dhe të babait të saj e lexoni ne numrin e sotëm të gazetës, Panorama)
ARMAND BAJRAMI