Të ndërpriten bisedimet!

Kryetari i të ashtuquajturit Këshill Nacional Serb i Mitrovicës, Millan Ivanoviq, ka kërkuar ndërprerjen e menjëhershme të bisedimeve në mes të ekipeve negociatore të Beogradit dhe Prishtinës.
Ai u ka thënë medieve në Mitrovicë, se bisedimet në Bruksel në mes të Beogradit dhe Prishtinës duhet të ndërpriten, derisa siç tha ai, “të vazhdojë dhuna ndaj serbëve të Kosovës”.
“Nuk mund të ketë bisedime derisa ushtrohet dhunë, ndërsa kur të vijë koha, bisedimet duhet të zhvillohen me praninë e përfaqësuesve serbë të Kosovës, në kuadër të Rezolutës 1244”, ka thënë Ivanoviq.
Ai ka shtuar se nuk është përmbushur premtimi i Beogradit që në bisedime të kyçen edhe serbët e Kosovës. Ai e ka kritikuar shefin e ekipit negociator të Beogradit, Dejan Paviçeviq, i cili, siç tha Ivanoviq, nuk e njeh problematiken e Kosovës dhe nuk mund të çojë në vend zgjidhjen e problemit.
Sipas tij, autorët ekstremistë shqiptarë të shumë sulmeve dhe dhunës së ushtruar ndaj serbëve në Kosovë nuk janë gjetur kurrë, duke veçuar dëmtimin e varrezave të serbëve në pjesë të ndryshme të Kosovës.
Në anën tjetër, kryetarë ilegalë të katër komunave veriore të Kosovës kanë mbajtur një takim të përbashkët dhe më pas kanë dalë me një komunikatë për mjetet e informimit, me anë të së cilës i bëhet e qartë KFOR-it dhe EULEX-it se nëse do të vazhdojnë të tolerojnë sulme të këtij lloji dhe nëse në afatin më të shkurtër nuk i gjejnë kryesit e sulmit në familjen Vuçetiq, atëherë serbët do ta ndërpresin komunikimin dhe bashkëpunimin me ta.
“Nga organet më të larta të shtetit presim që krahas gjykimit të rasteve të sulmeve mbi serbë në gjithë Kosovën, t’i forcojnë aktivitetet diplomatik për t’i ndalur tendencat negative. Në bisedimet që do të vazhdojnë në mes të Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel, temë që duhet të trajtohet, patjetër është siguria dhe mbrojtja e serbëve në Kosovë, kthimi i organizuar i mbi 200 mijë serbëve dhe joshqiptarëve të zhvendosur, garancitë ndërkombëtare dhe të OKB-së për realizimin e të gjitha standardeve të definuara për Kosovën dhe respektimi i të drejtave dhe lirive të qytetarëve në Kosovë”, thuhet në komunikatën e kryetarëve ilegalë të komunave veriore të Kosovës./Indeksonline/