Të nderuar anëtarë të Këshillit të Ministrave, Më lejoni t'ju përgëzoj për angazhimin maksimal që keni shfaqur në këto fillime të realizimit, pa humbur kohë dhe firo, të prioritetev
Të nderuar anëtarë të Këshillit të Ministrave,
Më lejoni t'ju përgëzoj për angazhimin maksimal që keni shfaqur në këto fillime të realizimit, pa humbur kohë dhe firo, të prioriteteve të programit të Qeverisë së re. Pra, duke filluar nga kjo mbledhje, do të fusim praktikën që Këshilli i Ministrave në mbledhjen e fundit të muajit, të kryejë bilancin dhe të llogaridhënien e punës 30 ditore dhe miraton në parim programin për muajin pasardhës.
Muaji Gusht, si angazhim kryesor i yni kishte përgatitjen e programeve të detajuara të punës për periudhën 35 mujore për të cilën është mandatuar qeveria të punojë, proces që është në përfundim dhe që do të merret në analizë nga Komitetet Ndërministrore dhe Këshilli i Ministrave duke nisur nga fillimi i muajit Shtator.
Fillimi i menjëhershëm i punës së ekzekutivit në zbatimin e programit të miratuar nga Kuvendi me ritmin dhe intensitetin e kërkuar, prodhoi operacione dhe veprime të rëndësishme qe kanë nisur të forcojnë institucionet e autoritetit të ligjit, duke i vënë ato në funksion të mirëqeverisjes, ç'rrënjosjes së trafiqeve, abuzimit, kontrabandës, korrupsionit në nivelet e ndryshme të administratës, etj. Konsesusi që Qeveria ka fituar tek shtetasit tek opinioni i gjerë publik vendas edhe i huaj, por edhe tek qeveritë dhe institucionet ndërkombëtare partnere që asistojnë vendin, na motivon për të rritur më tej ritmin e punës duke i garantuar shtimin e rezultateve të vlerësueshme nga të gjithë.
Në muajin Gusht, Qeveria për herë të parë në 12 vjet tranzicion, programoi dhe realizoi një operacion kompleks, civil, paqësor dhe joushtarak në luftën kundër trafikut të qënieve njerëzore, drogës dhe cdo elementi tjetër të paligjshëm. Pa hyrë në detaje të këtij operacioni që dihet tashmë, prej dy javësh nga Shqipëria nuk është tranzituar apo trafikuar për në vendet e Europës së Bashkuar, asgjë ilegale apo kriminale. Për tu nënvizuar është fakti se operacioni antitrafik na ndihmoi të krijojmë së bashku një model kushtetues të bashkëpunimit ndërinstitucional, po përmend akset Qeveri-Prokurori e Përgjithshme dhe ndërdikasterial, ato midis dikastereve të Rendit, Mbrojtjes, Financave etj., të sanksionuara tashmë edhe me kontrata ligjore të monitorueshme. Ky bashkëpunim do të shtrihet edhe në nivele të tjera të agjensive të specializuara të llojeve të ndryshme të policisë, në funksione dimensionale si këto.
Theksova në Vlorë para dy ditësh se kjo është Qeveri antitrafik, pasi gjithë angazhimi ynë nuk është as sporadik, as fushatë aksioniste, por i programuar për 35 muaj. Tashmë janë aktivizuar disa Task Forca të përbashkëta midis dikastereve, Prokurorisë dhe shërbimeve të tjera, për të përcaktuar dhe goditur listën e veprave të krimit dhe të trafiqeve që shfaqen komplekse, në funksion të thellimit dhe ashpërsimit të veprimit të shtetit ligjor mbi to. Task apo Delta Force të tilla, po krijohen midis gjithë strukturave të shtetit apo institucioneve të ruajtjes së rendit e zbatimit të ligjit. Shteti, aktualisht nuk po godet vetëm skafet në det, por po hetojmë gjerësisht dhe në detaje të gjitha ato pasuri apo sipërmarrje që zotërojnë elementët kriminalë, të përcaktuar nga gjykata si të tillë, për të mundësuar që asnjë pasuri e vënë në rrugë të paligjshme mos fitojë statusin legal të qytetarisë.
Si Kryeministër i këtij ekipi të angazhuar, garantoj se punishtet, hotelet, restorantet, baret, mjetet lundruese apo pasuritë e tjera të luajtshme apo të paluajtshme, që zotërohen nga trafikantët që po bllokohen, nuk do të zhbllokohen më, dhe rolin e tyre do ta zënë sipërmarrjet legale me ligj që sigurojnë një rritje të investimeve dhe tregut të punës, mbi kriteret e sipërmarrjes së ligjshme, të konkurencës së ndershme, duke garantuar rritjen e qëndrueshme të mirëqënies së shtetasve.
Mbi të njëjtij parim, ritëm dhe angazhim Policia e Shtetit ka nisur tashmë edhe një operacion tjetër të gjerë kundër trafikut të automjeteve të vjedhura, rezultatet e para të të cilit janë shumë inkurajuese, si dhe në fusha të tjera për të bllokuar veprimtaritë e ndëshkueshme ligjërisht. Organet tatimore dhe doganore gjithashtu, në zbatim të Programit të Qeverisë dhe në bashkërendim me njëri-tjetrin po kryejnë analiza dhe ndërhyrje profesionale, mbi nivelin e evazionit fiskal dhe të kontrabandës, duke realizuar me shumë sukses dhe aksionet e para të përbashkëta. Nga të dhënat operative, të ardhurat fiskale të Gushtit do të jenë së paku 300 milionë lekë më shumë se muajin më i mirë i periudhës paraardhëse të vitit. Vetëm dje janë bllokuar nga autoritetet doganore dy anije që importonin mallra me dokumentacion të fallsifikuar, duke dëmtuar kështu, shmangien e detyrimeve doganore dhe fiskale me dhjetëra milionë lekë. Është rritur ndjeshëm kontrolli i tranzitimit të mallrave, duke shmangur mundësinë e shkarkimit të tyre në territorin shqiptar në kundërshtim me ligjin. Kjo veprimtari evazive do të mbyllet përfundimisht dhe evazorët do të marrin ndëshkimet përkatëse. Në këmbim, Qeveria po strukturon një partneritet vetëm mbi baza ligjore me sipërmarrësit, duke kuruar disiniciativat, studiuar uljen e mëtejshme të barrës fiskale, lehtësinë e procedurave administrative, në funksion të garantimit të konkurrencës të lirë dhe të ndershme. Po punohet nën drejtimin e Ministrit të Shtetit pranë Kryeministrit, për tu ofruar së afërmi sipërmarrjes vendase dhe të huaj sistemin e shërbimeve administrative dhe të konsulencës të modeli "One Stop Shop". Pra, me një dritare shërbimesh të ligjshme të lehtësohen procedurat burokratike dhe legalizojmë sipërmarrjet, si praktikë moderne nga vendet e Bashkimit Europian dhe më gjerë.
Gjatë këtij muaji është ngritur gjithashtu, një bërthamë ndërdikasteriale për të rakorduar procesin e prokurimeve publike për të shmangur abuzimet e mëtejshme edhe në këtë fushë. Dua të përshëndes dhe të promovoj inisiativën e Ministrisë së Arsimit, e cila duke standartizuar dhe centralizuar procesin e Programimeve dhe Prokurimit Publik, ka arritur ti kursejë buxhetit të vet në këtë rast një të tretën e shpenzimeve të planifikuara. Brenda muajit Shtator, do të paraqitet në Këshillin e Ministrave një paket projekt aktesh që do të garantojë rregullime më thelbësore në standartet e detyrueshme shtetërore, të lidhura me procesin e prokurimeve, duke garantuar eleminimin e abuzimeve aq sa ekziston, me fondet publike.
Në vëmendjen tonë gjatë këtij muaji ka qenë edhe problemi i shkatërrimit urban. Si Kryeministër, pra drejtues i Këshillit Kombëtar të Rregullimit të Territorit të Shqipërisë, ju informoj se kemi vendosur embargon mbi ndërtimet në qendrat e qyteteve deri në dhjetor 2002. Për të ndaluar masakrën urbanistike, e kemi nisur në bashkëpunim me organet e Pushtetit Vendor, pra me shoqatat e bashkiakëve, të ndërtuesve, arkitektëve dhe më gjerë procesin e hartimit dhe miratimit të masterplaneve rregulluese të këtyre qendrave. Ky është veprimi i parë ekzekutiv në funksion të fillimit të punës për hartimin e strategjisë kombëtare të urbanizimit.
Ky muaj pune pra, ndryshimesh gjithashtu, erdhi si rrjedhojë e meritokracisë në veprim, duke emëruar në detyra të rëndësishme drejtim me kurrikulume të certifikuara rezultatesh në administratën publike apo sipëmarrjen private. Ndryshimet në kreun e Policisë së Shtetit, të Shërbimit Informativ Shtetëror, të Shërbimeve Fiskale dhe Doganore, etj., dhanë rezultatet e pritura në përshpejtimin e ritmeve të punës, rritjes së disiplinës së institucioneve dhe shtimin të kapaciteteve funskionuese të tyre, pra të forcimit të autoritetit të ligjit. Gjithashtu, në drejtim të prioriteteve të luftës kundër trafiqeve, ka nisur dhe po vazhdon plani i kombinuar midis dikastereve përkatës, për të goditur dhe eleminuar tregun abuziv të ilaceve dhe të kujdesit shëndetsor publik. Rezultatet e para të këtij operacioni, që do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë, janë gjithashtu inkurajuese. Janë gjetur me shkelje të rënda dhe të ndëshkueshme, mbi 60% e subjekteve të kontrolluara, dhe po programohen ndërhyrje të tjera, për të eleminuar tërësisht këtë fenomen që kërcënon realisht shëndetin e brezave.
Është në përgatitjen përfundimtare moratoriumi për bllokimin e masakrës së pyjeve si dhe për cdo veprimtari që degradon mjedisin, për të filluar procesin e shëndoshjes së tij. Ndërsa sot është paraqitur një moratorium nga ana e Ministrisë së Ekonomisë, që na detyron të ndërhyjmën në aktet ekzistuese, duke bllokuar dhënien në përdorim në mënyrë të kundraligjshme dhe abuzive të pronës shtetërore. Këto akte nuk garantojnë shmangien e efekteve negative dhe abuzuese në menaxhimin e pasurisë publike totalisht.
Së afërmi do të vijë në Këshillin e Ministrave një paketë e plotë aktesh që rregullon përfundimisht kurimin e disisekturave të konstatuara në kuadrin që po pezullojmë edhe me këtë moratorium. Një punë shumë voluminoze është kryer nga dikasteret që ju drejtoni për të plotësuar në afat të gjitha kondicionet që ju hapin rrugë zhvillimit të procesit të Stabilizim-Asociimit. Një ritëm i ri pune nga ana e Qeverisë dhe Administratës Publike, në realizim të prioriteteve të programit tonë, ka orientuar një ridimensionim të standartizimit të punës së përfaqësuesve tanë diplomatikë, gjithashtu, objektiv që po qëndron në fokusin e seminarit të përvitshëm që Ministria e Jashtme ka nisur sot me ambasadorët tanë. Duke vlerësuar pra, me seriozitet situatën e krijuar në vend dhe në kufijtë shtetërorë, po sot Komiteti Ndërministror i Politikave të Sigurimit Kombëtar ka marrë detyrën që brenda muajit Shtator të paraqesë një kuadër të plotë projekt-aktesh për një matricë shengen që standartizon lëvizjen e lirë të njerëzve dhe pajisjen e tyre me dokumenta identifikimi, sipas modelit europian.
Edhe për shkak të efikasitetit të operacioneve antitrafik, dua të përgëzoj dhe të përshëndes stadin e ri që po strukturohet në bashkëpunimin rajonal dhe menqëse politika e jashtme e Qeverisë Shqiptare mbështetet në fqinjësi dhe partneritet për stabilitet dhe integrim të rajonit në Europë të kërkoj nga kjo tryezë e ekzekutivit shqiptar gjithashtu që autoritetet maqedonase të pushojnë panikun elektoral që po derdhet në veprimin e institucioneve, duke cënuar jo vetëm stabilitetin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve atje, por duke cënuar në rradhë të parë bashkëjetesën ndëretnike dhe stabilitetin e vetë Maqedonisë me rastin e lëshimit të arrestit për Ali Ahmetin.
Kjo të nderuar kolegë, ishte në vija shumë të përgjithshme një bilanc i punës së Qeverisë gjatë muajit gusht. Si Kryeministër shpreh bindjen se realizimi i objektivave ambicioze dhe europianë të programit për të cilin punojmë ka hyrë tërësisht në rrugë të mbarë.
Faleminderit!