Jam sot përpara jush për t'ju njohur me një nga momentet më të rëndësishme, i cili përshëndetet edhe nga Këshilli i Ministrave, përfundimin me sukses të negociatave teknike dhe financiar
Jam sot përpara jush për t'ju njohur me një nga momentet më të rëndësishme, i cili përshëndetet edhe nga Këshilli i Ministrave, përfundimin me sukses të negociatave teknike dhe financiare zhvilluar në Washington, mes Bankës Botërore, Bankës Europiane të Investimeve dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim me delegacionin shqiptar për nënshkrimin e marrëveshjes së kredisë (të përfaqësuar nga autoritetet e Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Industrisë dhe Energjetikës, si dhe Koorporatës Elektroenergjetike Shqiptare) në lidhje me ndërtimin e fazës së parë (125 MEGA) të TEC-it të Vlorës, me një financim prej 112 milionë dollarësh.
Të dy palët kanë negociuar për termat e kredisë prej 100 milionë dollarësh që këto tre banka kanë akorduar për ndërtimin e TEC-it të Vlorës. Kështu Banka Botërore do të financojë 25 milionë dollarë, BERZH 37.5 milionë USD dhe BEI 37.5 milionë USD. Ndërkohë Korporata Energjitike Shqiptare - do të financoj 12 milion dollarë. Puna për ndërtimin e TEC-it është parashikuar të fillojë në qershor të këtij viti dhe faza e parë do të përfundojë pas rreth 18 muaj. Investimi per termocentralin e Vlores konsiderohet si investimi i pare i rendesishem ne kete fushe qe prej 20 vjetesh dhe theksojme se do te ndikoje dukshem ne permiresimin e furnizimit me energji elektrike ne vend.
Së shpejti në Tiranë do të nënshkruhet marrëveshja e kredisë prej 100 milionë USD nga ana e Ministrit shqiptar të Financave dhe përfaqësuesve të tre bankave financuese për ndërtimin e fazës së parë të TEC-it të Vlorës.
Gjithashtu, ju bëj me dije se Këshilli i Ministrave do të zhvillojë ditën e hënë analizën vjetore të veprimtarisë së qeverisë, e cila vjen pas mbylljes disa ditë më parë të proçesit të analizave sektoriale në çdo ministri apo institucion qendror. Në këtë mbledhje do të shpallet edhe programi i vitit 2004, objektivat e veprimeve ekzekutive me prioritetet dhe afatet për realizimin e tyre sipas sektorëve përkatës. Ne e kemi shprehur në mënyrë të vazhdueshme se vëmendje e posaçme do t'i kushtohet në këtë drejtim çështjeve që lidhen me negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-në dhe integrimit në NATO. Në këtë funksion dje u mbyll raundi i radhës i negociatave me ekspertët e BE-së.