Te nderuar pjesëmarrës! I nderuar zoti President I Republikës! Shkelqesite tuaja, zoterinj Ambasadorë ! Erdha me kënaqësi të veçantë në këtë ceremoni për t'u përshëndetur m
Te nderuar pjesëmarrës!
I nderuar zoti President I Republikës!
Shkelqesite tuaja, zoterinj Ambasadorë !
Erdha me kënaqësi të veçantë në këtë ceremoni për t'u përshëndetur me ju, ushtarakët e forcave komando, para nisjes me mision në rajonin e Gjirit Persik. Erdha për t'ju thënë rrugë të mbarë, shëndet dhe sukses në misionin tuaj fisnik në emër të lirisë, demokracisë, sigurisë globale dhe të Shqipërisë.
Të nderuar pjesëmarrës,
Koalicioni i Vullnetit i drejtuar nga SHBA dhe Britania e Madhe, po mbyll ciklin për njërën nga diktaturat më të egra dhe njërin prej rregjimeve terroriste më aktive të këtij planeti. Më në fund, pas më se 35 vjetësh të një jete nën diktaturë, populli i Irakut po thith ajrin e lirisë. Me rreshtimin e saj qysh në fillim dhe me vendosmëri në krah të këtij koalicioni që sa vjen e zgjerohet, Shqipëria dhe klasa e saj politike dëshmuan qartësi dhe maturi, dëshmuan njëherësh mirënjohjen e tyre ndaj aleatëve tanë euroatlantikë. Ky qëndrim i palëkundur në krah të lirisë rallë herë ka qënë kaq mbizotërues, gjithëpërfshirës dhe i mbështetur fuqimisht nga parlamenti, qeveria, forcat politike dhe mbarë opinioni publik. Për të gjithë ne është nder dhe obligim që të vazhdojmë të qëndrojmë të rreshtuar në krah të këtij koalicioni për të kontribuar në ndërtimin e një realiteti të ri e demokratik dhe zhvillimi paqësor në Irak dhe krejt Lindjen e Mesme, ashtu sic kemi vepruar së bashku në Shqipëri, në Kosovë dhe në krejt Ballkanin.
Të dashur ushtarë, nënoficerë e oficerë!
Ju po shkoni larg atdheut dhe familjeve tuaja për të mbështetur lirinë e fituar, për të mbrojtur paqen dhe stabilitetin e një vendi të sapodalë nga lufta e të lodhur nga diktatura e gjatë. Ju po shkoni në krah të aleatëve të mëdhenj të koalicionit të vullnetit, dhe konkretisht nën komandën e Korpusit të 5-të të SHBA, për të kontribuar në përballimin e sfidave të vështira të tranzicionit nga diktatura në demokraci.
Ne jemi krenarë që ju, djemtë e Shqipërisë, gjeneroni paqe e siguri edhe përtej kufijve tanë. Ju jeni shembulli se falë niveleve në të cilët ka mbërritur ushtria jonë që gjithnjë e më shumë po u afrohet standarteve të ushtrive të NATO-s, edhe vëndi ynë ka filluar të eksportojë sigurinë e lirisë dhe të demokracisë. Gjashtë vjet më parë, kur ushtri të vendeve aleate erdhën për të rivendosur rendin në Shqipëri, askush nuk mund ta imagjinonte se brenda një periudhe kaq të shkurtër ne do të arrinim në këto nivele dhe do të shkonim për të kontribuar për paqen në Bosnjë, në Afganistan, dhe tani në Irak. Veprimtaria e përbashkët dhe integruese me partnerët tanë na mësoi se për paqen dhe sigurinë, jo vetëm të tjerët duhet të kontribuojnë për ne, por edhe ne duhet të kontribuojmë për të tjerët. Pikërisht ne që në momente të vështira, e kemi ndjerë ndihmën e dhënë nga të tjerët, e kuptojmë më mirë edhe rëndësinë e kontributit tonë.
Si Kryeministër i vendit, ndjehem po aq i emocionuar dhe krenar sa vetë ju dhe të afërmit tuaj, në këtë ceremoni misioni. Ju siguroj se do të jemi pranë jush gjatë gjithë qëndrimit dhe punës suaj për ndërtimin e paqes në Irak. Kontributi i Shqipërisë për paqen dhe sigurinë në botë, nuk do të mund të realizohej pa pjesmarrjen tuaj dhe mirëkuptimin e familjeve tuaja.
Si pjestarë të Forcave të Armatosura të Shqipërisë ju do të keni rastin të tregoni se Shqipëria ka hyrë në rrugën e maturimit të reformave demokratike. Me reformat që kemi ndërmarrë edhe në fushën e mbrojtjes po realizojmë integrimin në Aleancën e NATO-s, ku de facto jemi antarë.
Ju do të dëshmoni gjithashtu se Shqipëria është rreshtuar jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra, në krah të koalicionit kundër së keqes së këtij shekulli: terrorizmit ndërkombëtar. Po ashtu, nëpërmjet përmbushjes me sukses të misionit dhe detyrave tuaja, ju ushtarët e thjeshtë, nënoficerët dhe oficerët do të demonstroni se dini të mbroni dhe ndërtoni paqen dhe të rrisni edhe më emrin e mire të shqiptarit dhe të Shqipërisë. Me mbështetjen e forcave elitë si ju, me siguri që misionet e së ardhmes do të vazhdojnë të kërkojnë angazhimin tonë në detyra të tjera, që lidhen me rreshtimin tonë në koalicionin botëror anti-terror apo në operacionet për parandalimin dhe ndëshkimin e krimit të organizuar ndërkombëtar e të trafiqeve të paligjshme.
Zhvillimet e viteve të fundit, pas rënies së barierave ideologjike, i kanë afruar edhe më vendet dhe popujt me njëri-tjetrin. Shqipëria po behet gjithnjë e më shumë pjesë reale e zhvillimeve globale. Misione si ky në të cilin po niseni ju, e zgjerojnë këtë realitet. Ju e bëni botën më të vogël dhe më të afërt për të gjithë ne! Ju na bëni më shpejt pjesë të botës moderne! Për këtë ju falenderojmë.
Te nderuar ushtarakë.
Si misionarë të paqes të përzgjedhur nga trupat elitë të Forcave tona të Armatosura, unë ju falenderoj ju dhe familjet tuaja patriote. Në emër të Qeverisë Shqiptare ju siguroj se ne do të jemi pranë jush dhe kur të jeni atje larg në Gjirin Persik; ju siguroj se ne do të kujdesemi vazhdimisht që ju të jeni mirë, që familjet tuaja t'ju ndjejnë përherë pranë dhe që misioni të përmbushet me sukses.
Edhe një herë, rrugë të mbarë, shëndet të plotë e suksese në misionin tuaj.
Ju faleminderit!