E Diel, 1 Nëntor 2026

Këshilli i Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kryeministri Fatos Nano po ndjekin me kujdes të gjitha zhvillimet politike në këtë periudhë zgjedhjesh si dhe të gjitha përgatitjet p

Këshilli i Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kryeministri Fatos Nano po ndjekin me kujdes të gjitha zhvillimet politike në këtë periudhë zgjedhjesh si dhe të gjitha përgatitjet për ditën e zgjedhjeve. Qeveria e Shqipërisë është e interesuar dhe e angazhuar për një proçes zgjedhor të lirë e demokratik sipas standarteve ndërkombëtare të njohura nga shteti shqiptar. Ky është qëllimi i përbashkët i qeverisë dhe i komunitetit ndërkombëtar. Për këtë qëllim qeveria ka bërë të gjithë përpjekjet e saj, që brenda detyrave ligjore që ka të mbështesë strukturat zgjedhore me infrastrukturën e nevojshme si dhe për përgatitjen për ditën e votimit.

Qeveria ftoi zyrtarisht edhe misionin monitorues të OSBE/ODIHR, për monitorimin e zgjedhjeve lokale brenda kuadrit ligjor, me bindje të plotë për zhvillimin e një proçesi zgjedhor korrekt dhe me synim rritjen e transparencës ndërkombëtare të procesit zgjedhor në Shqipëri, në përputhje me Dokumentin e Kopenhagenit.

Në lidhje me ecurinë e deritanishme të periudhës zgjedhore si dhe duke marrë në konsideratë edhe vlerësimet paraprake të misionit monitorues të zgjedhjeve Qeveria vlerëson se:

1- Proçesi zgjedhor deri në këtë fazë njeh një progres të dukshëm në krahasim me periudha të mëparshme zgjedhore. Qeveria është e kënaqur të konstatojë se, pavarësisht retorikave politike për besueshmërinë, partitë politike tashmë i adresojnë ankesat e tyre në institucione të krijuar me ligj.
2- Qeveria përshëndet rolin konstruktiv të partive politike në këto zgjedhje, në mënyrë të veçantë atë të opozitës për zhvillimin e një fushate elektorale të qetë e pa incidente për rendin publik. Gjithashtu qeveria përshëndet struktuarat e policisë së Shtetit për kontributin e tyre korrekt në ruajtjen e rendit dhe sigurisë së aktiviteteve elektorale në të gjitha bashkitë dhe komunat.
3- Kodi i ri zgjedhor i miratuar me konsensus të gjerë politik, vazhdon t'i shërbejë politikës dhe institucioneve si një dokument solid për administrimin e zgjedhjeve. Qeveria konstaton se strukturat zgjedhore dhe institucionet e tjera po e zbatojnë me rigorozitet këtë ligj, si e vetmja referencë kombëtare për mbajtjen e zgjedhjeve të lira e demokratike.
4- Qeveria përshëndet veprimtarinë e deritanishme të KQZ-së, por mbetet e shqetësuar për konstatimet e bëra në lidhje me funksionimin e komisioneve zgjedhore vendore, prandaj i kërkon KQZ-së që të marrë masa të menjëhershme për trainimin e komisionerëve.
5- Qeveria vlerëson në mënyrë të veçantë misionin monitorues të OSBE/ODIHR, për rolin konstruktiv në zbatimin e mandatit të saj për monitorimin dhe asistencën zgjedhore. Megjithatë qeveria dëshiron të bëjë disa sqarime mbi disa konstatime të fundit të këtij misioni

a- Në lidhje me vonesat në financimin e partive politike, sqarojmë se ato kanë ardhur për shkak të paqartësisë që përmban Kodi Zgjedhor, në lidhje me ushtrimin e nismës ligjvënëse në të tilla raste. Megjithatë për të shmangur çdo kontest Këshilli i Ministrave fillimisht ushtroi nismën ligjvënëse në Kuvend me një projekt-ligj me proçedurë të përshpejtuar për financimin e partive politike pjesëmarrëse në zgjedhje. Duke qenë se Kuvendi kishte deklaruar pezullimin e veprimtarisë së tij, Qeveria u detyrua që ta tërheqë këtë projekt ligj dhe të ushtrojë kompetencën e saj sipas nenit 101 të Kushtetutës, për të nxjerrë një akt normativ me efekte të menjëhershme.Ky akt zgjidhi përfundimisht problemin e ngritur nga partitë politike të të gjithë spektrit politik.
b- Akti tjetër normativ i Qeverisë për Policinë e Shtetit, i cili u nxorr për të njëjtat arsye procedurale si ai për financimin e partive, nuk ka synuar asnjëherë dhunimin e zgjedhjeve, përkundrazi, të mundësojë mbrojtjen sa më të mirë të tyre. Qeveria është e bindur se ruajtja e proçesit zgjedhor dhe e votës së lirë nuk është atribut i Policisë së Shtetit, por e përfaqësuesve zyrtarë në strukturat zgjedhore. Policia e Shtetit do të kryejë funksionet e saj sipas ligjit për Policinë e Shtetit dhe Kodit Zgjedhor. Nevoja për aktin normativ lindi për arsye të zbatimit me korrektësi të detyrimeve ligjore për policinë e Shtetit, në mënyrë të veçantë të detyrimeve të Kodit Zgjedhor dhe Ligjit të Policisë së Shtetit i Ndryshuar.
c- Përsa i takon prefektëve të Vlorës Fierit dhe Shkodrës që konkurojnë në bashkitë përkatëse, Qeveria dëshiron të kujtojë se Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe Kodi Zgjedhor, nuk ndalojnë prefektet që të kandidojnë në Bashkitë dhe komunat e vendit. Kjo është gjykuar nga Parlamenti shqiptar, si dhe nga ekspertiza e specializuar e ODIHR-it, se nuk përbën konflikt interesi. Pavarësisht këtyre konstatimeve Kryeministri i ka pezulluar nga detyra këta zyrtarë lokalë deri në përfundimin e periudhës zgjedhore, me qëllim shmangien e ndonjë konflikti interesi të mundshëm.

6- Qeveria e Shqipërisë vazhdon të jetë e angazhuar për përfundimin e periudhës zgjedhore me sukses dhe pa eksese. Qeveria fton të gjithë zgjedhësit që të votojnë lirisht për alternativën që dëshirojnë. Ajo u bën thirrje simpatizantëve të partive politike të vazhdojnë te sillen me maturi dhe me dinjitet qytetar në këtë periudhë zgjedhjesh deri në përfundimin e zgjedhjeve.
7- Qeveria fton Partitë Politike, t'i përgjigjen shqetësimit të saj për një proçes të rregullt zgjedhor me qëllim që të ruhet imazhi dhe performanca pozitive e shtetit shqiptar në arenën ndërkombëtare.
8- Qeveria është e angazhuar për bashkëpunim të mëtejshëm me vëzhguesit ndërkombëtarë të OSBE/ODIHR për korrektimin e mangësive dhe zgjidhjen e problemeve zgjedhore me qëllim garantimin e zgjedhjeve të lira, të ndershme e demokratike.
9- Qeveria fton të gjithë punonjësit e komisioneve zgjedhore të marrin përgjegjësitë që u ngarkon ligji dhe jo partitë nga vijnë. Roli i tyre në administrimin e zgjedhjeve është i rëndësishëm. Misioni i komisionerëve mbi të gjitha është mision atdhetar dhe lidhet drejtpërdrejt me përshpejtimin e integrimit në Europë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›