Të nderuar pjesëmarrës në aktivin e Fierit, Shoqe dhe shokë, Militante dhe perfaqësues, Duke vleresuar edhe nje here seriozitetin e analizës së kryer, si dhe solidaritetin e përgjegjës
Të nderuar pjesëmarrës në aktivin e Fierit,
Shoqe dhe shokë,
Militante dhe perfaqësues,
Duke vleresuar edhe nje here seriozitetin e analizës së kryer, si dhe solidaritetin e përgjegjësive që vazhdoni të ndani, jo vetëm në tri nivelet e qeverisjes vendore, por edhe në drejtimin politik të qeverisjes sonë, në rreth dhe në qark, në prioritetet politike qeverisëse qe ka përfqësuar partia në shkallë kombëtare, pra Qeveria dhe grupi parlamentar i maxhorancës, gjithashtu, dhe me këtë rast, duke ftuar edhe tre-katër shokë të revoltuar të qetësohen, më lejoni që, si çdo herë tjetër të bëhem pjesë e këtij solidariteti, të ndaj bashkë me ju përgjegjësitë e mëdha që më keni ngarkuar dhe të shpreh, si gjithmonë, kënaqësinë që të bashkëbisedoj me socialistët e mrekullueshëm të Fierit, me intelektualët e shkëlqyer te Fierit dhe teknokratët e përgjegjshëm të Fierit, të cilët nuk janë vetëm brenda kësaj salle, por që ju keni ditur t'i ktheni në një formacion progresist, reformator, transformues dhe në shërbim të qytetarëve dhe të fshtarëve në mbarë qarkun. Shpreha dëshirën për të marrë pjesë në Aktivin tuaj, sepse së bashku dhe, jo vetëm me ju, kemi përballuar me sukses shumë vështirësi dhe sfida në rrugën e modernizimit dhe demokratizimit të Partisë sonë, e cila sot është një parti e gjallë, që zjen për shkak të një skeleti institucional, shumë demokratik, i cili shoqërohet me disiplinen politike të përfaqësimit dhe, për pasojë, kjo është arsyeja kryesore që është në vitin e pestë të qeverisjes, që vazhdon qeveri pas qeverie, legjislature pas legjislature, stafetë pas stafete, të realizojë angazhimet që ka marrë përpara zgjedhësve, detyrat që programon për reformën e instiucioneve dhe të ekonomisë, programet e mbështetjes sociale dhe të nxitjes së sipermarrjes pra, dhe të rritjes së mirëqënies së njerëzve, por dhe detyrimet që e lidhin me marrëveshjet ndërkombëtare dhe financime ndërkombëtare, me aletatë të mëdhenj të botës euroatlanike, të cilët më në fund, po vlerësojnë se Shqipëria nuk ndodhet më ne vendet e fund të renditjeve ndërkombëtare problematike, por ashtu si pak muaj më parë, kur Qeverine e drejtonte Kryeministri Majko dhe Shqipëria lëvizi nga grupi tretë në grupin e dytë të vendeve problematike për trafiqe, tanimë që Qeverine e drejton kryetari i partisë BE vendosi të çelë negociatat për të arritur ne Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, e cila është një proces i ri reformash zhvillimi dhe integrimi, që do të na sigurojë të gjithëve me shumë liri dhe garanci në mbrojtjen dhe realizimin e tyre në bashkëjetesë me vendet e tjera demokratike te rajonit dhe me vendet e BE, që nisin qysh nga kufijtë tanë dhe deri në zemrën e Europes së Bashkuar.
Unë jam i bindur se ne do të vazhdojmë së bashku të përballojmë sfidat kombëtare të zhvillimit dhe te integrimit evropian, duke e mbajtur forcën tonë politike dhe qeverisëse, energjike, vizionare, në kohezion dhe në progres.
Analiza e punës së pushtetit vendor dhe e përfaqësuesve tanë të mandatuar është pjesë e analizës periodike që ne socialistët kemi kryer pa ndërprerje në këto 5 vite të të qenit në maxhorancë. Këto analiza të kryera në të gjitha strukturat dhe forumet e Partisë na kanë dhënë argumentat e mjaftueshme për të përmirësuar angazhimet dhe respektimet tona politike qeverisëse. Duke vlerësuar se analiza e sotme hap, duke mbyllur një cikël dyvjeçar në axhendën politike të një viti elektoral pune për fitore, po ndalem paksa në situatën politike në përgjithësi dhe brenda PSSH në vecanti.
Maxhoranca jonë qeverisëse ka kryer një proces të gjerë reformash transformuese të cilat kanë dhënë rezultate të dukshme dhe të prekëshme në të katër anër e vendit, në përmirësimin e kushteve të jetesës, në zgjerimin e sipërmarrjes së ligjshme, në përmirësimin e sistemeve arsimore dhe të kujdesit shëndetësor publik, në rritjen e përkrahjes sociale, në forcimin e rendit dhe të sigurisë, në konsolidimin e institucioneve te shtetit të së drejtës dhe në forcimin e kapaciteteve të administratës publike, në të katër nivelet e qeverisjes, nga shteti deri në komuna. Nuk mund te kurorëzohej deri në celjen e negociatave për marrëveshjen e Stabilizim Asociimit midis Shqipërisë dhe BE-së ky proces pa këto arritje dhe transformiome të vazhdueshme. Ky progres i dukshëm nuk është përputhur me stabilitetin politik brenda vetë Partisë sonë dhe brenda vetë maxhorancës, i cili në disa raste ka sjellë vështirësi në qeverisje. Nuk po kërkoj këtu të gjej fajtorë, por besoj se kam të drejtë të konstatoj se eksperiencat e konsumuara dhe me kosto nuk kanë motive parimore apo programore për t'u ripërsëritur. Në rast të kundërt do të thotë se praktikat e konfliktit dhe opozitarizmit absurd, përdoren nga individë që e ndjejnë veten të paaftë për t'u përballur sërish me anëtarësinë, me zgjedhësit apo kundërshtarët politike mbi rezultate dhe opsione që rrjedhi nga ushtrimi i mandatit që ju i keni dhënë. Ndalova në këtë arsyetim pasi jam i bindur se baza e Partisë, pra edhe ju, nuk keni asnjë keqkuptim me Kryetarin dhe Kryeministrin tuaj për angazhimet publike dhe transparente të bashkëpunimit me opozitën, për denoncimet ligjore kundër të gjithë atyre që kanë abuzuar me detyrën, besimin dhe taksat tuaja, për bllokimin përfundimtar të trafikut të njerëzve dhe drogës nëpërmjet skafeve dhe gomoneve, për shpëtimin e institucioneve nga instrumentalizimi politik etj.
Cila është marrëveshja Nano – Berisha dhe cili është produkti i saj? Po e filloj analizën ndryshe. Të njejtët individë që e konsideronin Fatos Nanon të papërgjegjshëm nëse kandidonte President, nuk pranuan zgjidhjen konsensuale mes maxhorancës dhe opozitës për zotin Mojsiu. Për më tej, Nano nuk u pëlqen më as si Kryeministër apo Kryetar Partie. Përvec Presidentit konsensual, marrëveshja maxhorancë – opozitë ka çtensionuar klimën politike në vend, duke lejuar institucionet të kryejnë detyrat e tyre ligjore dhe funksionale për më shumë reforma dhe rezultate të dukshme ditë pas dite, në përfitim të shtetasve dhe jo të individëve. Kjo marrëveshje nuk ka të bëjë me pazare të ndarjes së pushtetit mes dy individëve, por zhvendosjen e ballafaqimit dhe bashkëpunimit politik në institucione. Mua si Fatos Nano më mjafton pushteti dhe mandati që më kanë dhënë dhe do vazhdojnë të më japin socialistët dhe progresistët. Ata që shohin ëndrra me pazare i ftoj të ndërpresin tregëtinë trafikante të mandatit që ju të nderuar anëtarë dhe zgjedhës i keni dhënë. Fatos Nano nuk ka problem personal me asnjë individ dhe aq më pak me përfaqësues të maxhorancës. Ndërsa si Kryetar Partie dhe si Kryeministër e kam detyrë statutore dhe ligjore të mbroj vullnetin tuaj përfaqësues nga trafikimet dhe abuzimet edhe nga ata që keni mandatuar.
Në kohën kur Qeveria dhe përfaqësuesit e përgjegjshëm të maxhorancës janë tërësisht të angazhuar në realizimin e reformave standarte transformuese dhe evropianizuese;
Në kohën kur edhe opozita serioze është angazhuar në procesin e konsolidimit të institucioneve dhe përshpejtimin e ritmeve të integrimit evropian të vendit;
Në kohën kur veprimi frontal i Qeverisë dhe institucioneve ligjore të shtetit po arrijnë rezultate spektakolare në luftën kundër trafiqeve dhe veprimtarive të tjera të paligjshme;
• Për 3 muaj asnjë skaf nuk ka kapërcyer Adriatikun dhe Jonin,
• Janë në proces bllokimi, hetimi dhe gjykimi organizatorët e trafiqeve si dhe gjithë infrastruktura mbështetëse e tyre, që tentonte të kthhej në një industri të krimit,
• Janë në proces verefikimi dhe denoncimi të gjitha abuzimet me financat dhe pronat publike,
• Kemi vendosur embargo të pakthyeshme ndaj të gjitha veprimtarive që për interesa individësh apo grupesh për pasurim të shpejtë, po dëmtonin mjedisin tonë të përbashkët natyror, ekonomik dhe social deh plotik,
• Kemi bllokuar në mënyrë të pakthyeshme masakrën urbane dhe po projektojmë ndërtimin e mjediseve dhe infrastrukturave moderne dhe bashkëkohore në shërbim dhe dobi të të gjithëve,
• Po ndëshkojmë me forcën maksimale të ligjit uzurpatorët e pronave private dhe publike,
• Po shtojmë sigurinë në vend duke përsosur më tej institucionet policisë së shtetit dhe shërbimeve inteligjente,
• Po konsolidojmë partneritetin me fqinjët, Bashkimin Evropian, SHBA dhe të gjitha institucionet apo organizmat ndërkombëtare që asistojnë vendin në këtë proces modernizimi dhe integrimi,
Pra, në një kohë kur të gjitha qeveritë, institucionet, agjencitë e specializuara të vendeve të mëdha alete, të BE, të SHBA, të NATO-s, të OSBE, KE, po i vlerësojnë si progres dhe angazhim serioz për zgjidhjen e problematikave te trashëguara, njerëzit e konfliktualitetit politik po sillen si persona të shpallur në kërkim edhe nga partia. Këta përfaqësues të konfliktit kanë filluar të bëjnë aleancë me ish-drejtues të inkriminuar që po hetohen nga organet e specializuara të shtetit ligjor, me ndërtues të paligjshëm që po bllokohen, me politikanë jo përfaqësues që peshkojnë në konflikt, me gjithëfarë amatorësh dhe jo profesionistësh në administratë dhe media.
Këta individë, kënaqen duke parë veten në ekranet e TV dhe duke harruar se pasqyra e tyre është progresi që duhet të sjellin në komunitetin që i ka mandatuar, pra duke harruar se ata konkurojnë me shtetasit dhe nevojën e tyre për reforma dhe rezultate dhe jo me me udhëheqje të çdo niveli. Ju jeni ata që përcaktoni diferencën midis përfaqësuesve (qofshin edhe deputetë) që shkatërrojnë nga ata që ndërtojnë, që bllokojnë nga ata që nxisin, të atyre që punojnë për zgjedhësit dhe atyre që i përdorin zgjedhësit për karrierë personale.
Këta njerëz para se të humbin kontaktet me ju, i kanë humbur ato me Qeverinë e tyre, me aktorët real të progresit, me kërkesat e shtetasve dhe partnerëve tanë ndërkombëtarë.
Si Kryetar i maxhorancës dhe si Kryeministër ju ftoj të mos shqetësoheni sepse sipas përvojës sonë politike, këta tipa riaktivizohen sa herë shohin që nuk kapin dot ritmin dhe dimensionet e reformave transformuese që realizojmë. Problemi i tyre është tendenca për privatizim të mandatit dhe karrierës së përfaqësimit, pa kuptuar se këtë gjë e vlerësoni ju.
Si Kryetar i maxhorancës unë ftoj Legisin, Gjonin që së bashku me Ramën apo Klosin të shëndoshin më tej funksionimin e forcave të rendit në dobi të shtetasve, duke forcuar masat kundër korrupsionit dhe abuzimit në detyrë të njerëzve me deh pa uniformë.
Në mënyrë të përsëritur kërkoj që krahas ministrit Nako në përshpejtimin e procesit të integrimit të kontribuojnë në mënyrë aktive edhe Ilir Zela, edhe Petro Koci, edhe Ermelinda Meksi, Edhe Marko Bello edhe të tjere përfaqësues të maxhorancës që kanë përvojnë tonë politke qeverisëse.
Përvoja politike e 5 viteve në maxhorancë më ka cuar në përfundimin se protagonizmi konfliktues lind kur përfaqësuesit tanë nuk merren me punët për të cilat janë mandatuar. Prandaj shoqe dhe shokë po përsëris nevojën e hartimit dhe zbatimit, edhe ne nivel qarku, të një axhende të përbashkët pune të strukturave të Partisë, përfaqësuesve tanë në legjislativ, në Qeveri dhe në pushtetin vendor. Nuk kemi kujt t'i ankohemi ne socialistët nëse ndonjë kryetar komune apo bashkie me veprimet a mosveprimet e tij ka abuzuar në emër të votës sonë mandatuese. Por nuk mund të justifikohemi duke gozhduar me kritika këta individë, pa kryer më parë të gjitha detyrimet politike dhe ligjore që frenojnë praktikat abuzuese me mandatin e zgjedhësve, duke filluar që nga Sekretarët e organizatave, tek kryetaret e bashkive, tek deputetët, tek ministrat. Një axhendë pune e maxhorancës si dhe monitorimi i saj nëpërmjet strukturave dhe forumeve tona partiake do të minimizonte dëmet e "të papunëve" apo abuzuesve me votën tuaj përfaqësuese.
Të nderuar socialistë fierakë, kontrolloni mandatet e përfaqësimit që vetë keni dhënë për cdo nivel dhe për cdo individ, në të kundërt do të bëhemi edhe ne, unë bashkë me ju, pjesë e gabimit të shokëve tanë dhe e largimit vullnetar nga detyre, pra nje largim i butë nga objektivat tona programore për zhvillim, progres, solidaritet, reforma dhe integrim.
U ndala ndoshta pak gjatë në raportet e mandatuesve me të mandatuarit edhe për arsyen se vitin 2003 autoritetet e pushtetit vendor do të kenë në dorë shumë më tepër kopetenca cilesisht me te medha dhe përgjegjësi decizive ne raprt me deri më sot. Decentralizimi i pushtetit vitin e ardhëshëm hedh një hap të konsiderueshëm perpara, vecanërisht në zbritjen e kompetencave ne nivel qarku, bashkie dhe komune per financat, pronat dhe administrimin publik. Delegimi i kompetencave në fushën fiskale krijon mundësitë ligjore që më shumë se gjysma e të ardhurave të bashkive dhe komunave, për pasojë edhe të investimeve, të realizohen direkt nga autoritetet vendore. Por kjo reformë nuk ka afakte automatike, përkundrazi kërkon një impenjim krejtësisht të ri të të zgjedhurve dhe të emëruarve vendor. Me paketën e re të decentralizimit, mbaron periudha e mjaltit që përjetojnë disa autoritete vendore me evazionistët fiskalë, trafikantët, kontrabandistët, pasi të ardhurat që do të vilen nga eleminimi i këtyre fenomeneve negative, do të përdoren për të rregulluar infrastrukturat, apo shërbimet arsimore e shëndetësore të komunave dhe bashkive, duke zgjeruar dhe mundësitë e punësimit vendor. Pa u zgjatur në detaje të këtij procersi decentralizues, do të doja të sillja në vëmendjen tuaj se PSSH është e vetmja forcë politike në vend që prej dy vjetësh aplikon me sukses parimet e decentralizimit të vendimmarrjes, duke e afruar atë në korumet zgjedhore të përfaqësuesve të cilët ka kohë që janë vënë nën kontrollin tuaj. Kryeni detyrën e delegatit, e zgjedhësit, e perfaqësuesit që zgjedh udhëheqësit. Kjo përvojë progresiste e socialistëve, vecanërisht në procedurat dhe praktikat e ushtrimit të kontrollit të mandatit të dhënë, tashmë duhet shtrirë edhe për të zgjedhurit në organet vendore të qeverisjes. Kjo praktikë pune, të dashura motra e të dashur vëllezër, merr një rëndësi të vecantë pasi vitin tjetër do të investohemi së bashku në rikonfirmimin e forcave progresiste në pushtetin vendor.
Punë të mbarë!