E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të ngathët në vallëzim

Përpos Enver Petrovcit e deri diku Agnesa Vuthajt, Çiljeta Xhilagajt dhe Vesa Lumës, shumica e valltarëve të tjerë në “Dancing With the Stars” po tregohen të ngathët në vallëzim. Nga Ardian Jasiqi më 12 prill 2011 në ora 13:36

I trumbetuar si një spektakël me plot ethe, garë dhe emocione, spektakli “Dancing With the Stars” nuk duket të dalë i tillë, së paku në dy edicionet e para të tij.

Kjo është ajo që u është ofruar teleshikuesit kosovarë gjatë spektaklit “Dancing With the Stars”, që është duke u transmetuar në Vizion + dhe 21 + në Kosovë.

12 konkurrentët në këtë garë: Çiljeta Xhilaga, Enver Petrovci, Agnesa Vuthaj, Olsi Mingomata, Olta Gixhari, Mimoza Ahmeti, Shpat Kasapi, Hervin Çuli, Eloise La Petit, Big Basta, Vesa Luma dhe Arjan Konomi nuk kanë dhënë shumë në paraqitjet e tyre të parë në këtë spektakël, pavarësisht asaj se në vendet ku organizohet një garë e këtillë spektakli është i garantuar që në ditën e parë të shfaqjes së tij.

Dhe për çudinë e të gjithëve, emisioni ka për anëtar të jurisë gazetarin dhe prezantuesin Arijan Çani, i cili në vlerësimet e tij ka qenë shumë qesharak, sidomos herën e fundit, duke i dhënë aktorit Enver Petrovci 4 pikë, edhe pse aktori kosovar ishte dukshëm më i mirë se disa maço të këtij emisioni të tipit Shpat Kasapi.

I ngathët në vallëzim dhe pa asnjë dukje të mirë u paraqit Kasapi, i cili jo njëherë por disa herë humbi ritmin e hapave të tij. Ndërkaq, edhe pse Enveri kishte një paraqitje që ishte konform një standardi të këtij festivali, megjithatë ai u vlerësua me 18 pikë këtë javë, kurse më së shumti pikë fitoi Çiljeta Xhilaga, 25.

Një paraqitje të mirë këtë javë e pati edhe Arian Ikonomi, që u paraqit pak më mirë se javën e kaluar, edhe pse disa herë gaboi në pikën e tij, kurse katastrofale, ashtu sikurse herën e kaluar ishte Mimoza Ahmeti, e cila pavarësisht dëshirës që po tregon, nuk është për këtë spektakël. Ishin votat e publikut ato që shpëtuan atë këtë javë duke bërë që Mimoza të jetë në garë edhe për një javë tjetër.

Paraqitje më të mirë këtë javë kanë pasur edhe dyshja kosovare, Agnesa Vuthaj dhe Vesa Luma. Përderisa bukuroshja kosovare Agnesa Vuthaj shihet që është në një formë më të mirë dhe nuk e ka problem ambientimin dhe vallëzimin, kjo nuk vlen për Vesa Lumën.
Luma ka shtuar paksa kilogramë më tepër dhe shihet që disa herë gabon në paraqitjet e saj gjatë vallëzimit. Kjo mund të jetë edhe shkaku pse ajo nuk është duke u paraqitur edhe aq mirë, edhe pse kryetari i jurisë, Ilir Shaqiri, e vlerësoi atë me një notë të madhe në natën e dytë.

Interesant është se disa konkurrentë kanë filluar edhe fushatat e tyre në Facebook për t’u votuar.

Vesa ka një seri linçesh në profilin e saj në Facebook për mënyrën se si mund të votohet në këtë spektakël, ndërkaq Agnesa Vuthaj ka hapur një faqe të re, të veçantë për këtë gjë. Kush e di, ndoshta vallëzimi i ka hyrë në gjak dhe ka mundësi që herëve të tjera të synojë të bëhet edhe valltare profesioniste, pasi që zëdhënëse vetëm ka qenë!

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›