Të pakënaqur me buxhetin
Departamenti i Kulturës në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit i ka bërë të ditur institucionet kulturore, të cilat janë të varura financiarisht nga buxheti shtetëror, për buxhetin që do të kenë për vitin 2011, i cili edhe në këtë vit do të jetë i ngjashëm sikur në vitin e kaluar. Me këtë gjë nuk janë të kënaqur aspak drejtuesit e institucioneve kulturore, madje ata ndjehen edhe të zhgënjyer, pasi kishin pritur një rritje të buxhetit për këtë vit, në bazë të premtimeve që u ishin bërë. Ata kanë thënë se buxheti që është caktuar për këto institucione do t’i lërë pa i realizuar disa projekte që tashmë ishin planifikuar.
Drejtori i Filarmonisë dhe Operës së Kosovës, Baki Jashari, në një prononcim për Express është shprehur se kjo çështje ka qenë e pritshme në bazë të deklarimeve që janë bërë nga zyrtarët e MKRS-së. Jashari ka deklaruar se në fillim të vitit 2010, këtij institucioni i ishin ndarë 180 mijë euro me disa shtesa në muajt e mëvonshëm. “Ngjashëm është edhe për këtë vit. Mosrritja e buxhetit për Filarmoninë e Kosovës për këtë vit do t’i reduktojë disa prej aktiviteteve të këtij institucioni kulturor”, përfundon Jashari.
Ndërkaq, drejtoresha e përgjithshme e Teatrit Kombëtar, Burbuqe Berisha ka thënë se në këtë vit këtij institucioni kulturor i janë ndarë 220 mijë euro. Ndërsa në vitin e kaluar kishte 250 mijë euro, kjo shumë i përfshinë edhe të gjitha shtesat tjera buxhetore për këtë institucion. Ajo ka shtuar se në Teatrin Kombëtar për këtë vit do të ketë shfaqje që kanë një kosto mjaftë të lartë.
Edhe drejtori i Baletit të Kosovës, Ahmet Brahimaj, është shumë i zhgënjyer pasi ishte i njoftuar se institucioni që ai drejton nuk do të marrë më shumë mjete financiare sesa në vitin e kaluar. Ai ka thënë se ka pritur një buxhet më të madh edhe për këtë vit, pasi edhe për këtë vit ka hartuar një projekt, i cili nuk do të mund të realizohej me këtë buxhet.
“Kjo është dëshpëruese për arsye se kemi pritur një buxhet më të madh në mënyrë që të kemi mundësi t’i realizojmë aktivitetet tona ashtu siç kemi planifikuar. Për këtë institucion kulturor janë ndarë 70 mijë euro, pothuajse e njëjta gjë ishte edhe për vitin e kaluar ku ishin ndarë 70 mijë euro, plus disa shtesa tjera”, tha ai.
I zhgënjyer me mosrritjen e buxhetit për këtë vit është edhe drejtori i Galerisë së Arteve të Kosovës, Fahredin Spahija, pasi që për këtë institucion kulturor janë ndarë 70 mijë euro. Ndërsa për sa i përket buxhetit të vitit të kaluar, Spahija ka thënë se ai ishte sa ky që është ndarë këtë vit me dallim se atij, në rishikimin e buxhetit, iu shtuan edhe 28 mijë euro tjera.
“Buxheti i këtij viti përbën vetëm 20 përqind të buxhetit të kërkuar nga ministria për të gjitha projektet e planifikuara nga buxheti, nga menaxhmenti dhe Këshilli Artistik i Galerisë, prandaj është krejtësisht e kuptueshme se shumëçka e planifikuar, për këtë vit do të mbetet e pa parealizuara”, tha Spahija.
Në bazë të kësaj, Spahijaj u shpreh se absolutisht nuk është i kënaqur, sepse, sipas tij, ky buxhet nuk mjafton as për gjysmën e ekspozitave të planifikuara, e mos të flasim për projektet tjera siç janë monografitë, dokumentarët për artistët që kanë krijuar fillet e historisë së artit pamor tek ne, blerja e veprave apo kryeveprave nga artistët tanë të dëshmuar etj. Spahija ka shfaqur frikën se ky buxhet i ndarë do të sjell në pikëpyetje realizimin e konkurseve tashmë tradicionale që mbahen në Galeri, siç është konkursi i fotografisë artistike – Gjon Mili apo Konkursi i artit pamor – Çmimi Muslim Mulliqi.