S’ka hetime
Që nga paslufta nuk ka përfunduar kampionat në vendin tonë pa u përfolur ndeshje të xhirove të fundit të Superligës, në aspektin e kurdisjeve të rezultateve të tyre.
E njëjta po përsëritet edhe sivjet. Madje, ditëve të fundit zyrtarë të lartë të klubeve kanë komentuar haptazi edhe nëpër media rreth kurdisjeve të rezultateve.
Megjithatë, këto deklarata duket se nuk e kanë shqetësuar fare Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK). Madje, shtëpia e futbollit kosovar as që e ka ndërmend ta iniciojë nisjen e hetimeve për kurdisje të ndeshjeve, siç po flitet së fundmi.
“Ne nuk mund të merremi me deklarata që jep nëpër gazeta çdo person. Ato janë joserioze. Ne zyrtarisht merremi me kësi raste kur kemi fakte, apo një inicim nga zyrtarët e ndeshjes apo pala e dëmtuar, por edhe nga pala e tretë. Si Federatë duhet të kemi fakte”, ka deklaruar për Express sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu.
“Federata nuk është polici. Ne mund vetëm të apelojmë të mos e dëmtojnë më futbollin, sepse ne gjykatës hetues nuk jemi. Nëse ka fakte, ne reagojmë menjëherë, siç patëm reaguar në rastin e Fushë Kosovës”, shtoi ai.
Rreth kurdisjeve të rezultateve të ndeshjeve nëpër media më së shumti kohëve të fundit kanë folur zyrtarë të FC Prishtinës dhe të Hysit, skuadra të vetme këto të cilat sivjet po luftojnë për titullin e kampionit.
Megjithatë, Salihu thotë se deklaratat e tyre nuk duhet të merren fort seriozisht. “Ajo që më brengos është se një javë më parë zyrtarët e Prishtinës kanë thënë që kurdisjet fillojnë. Këto deklarata nuk duhet të merren shumë seriozisht, sepse i kemi zyrtarët e ndeshjeve. Muçiqi e Macula janë vetëm një orkestër muzikore dhe tash po gjuajnë llafe herë njëri e herë tjetri”, pohoi Salihu.
“Me kësi gjuajtje të deklaratave duhet të merren ata mes veti. Për gazeta këto deklarata mund të jenë interesante, por për ne, jo”, përfundoi ai.
Që nga paslufta, vazhdimisht përflitet shumë për kurdisje të rezultateve në ndeshjet kampionale të Kosovës, derisa asnjëherë nuk janë nisur hetimet rreth atyre ndeshjeve.
Rasti i vetëm ka qenë ai i vitit të kaluar, kur ishte hetuar ndeshja e Ligës së Parë mes Fushë Kosovës dhe Ulpianës. FFK-ja, duke u bazuar në fakte, kishte konstatuar të ketë pasur parregullsi në atë ndeshje, me ç’rast Fushë Kosovën e kishte përjashtuar nga Liga e Parë, duke e dërguar në një rang më të ulët të garave.
Edhe ish ministri i Sportit, Lutfi Haziri, u pat shpallur ‘luftë’ kurdisjeve të rezultateve në të gjitha sportet e Kosovës, e në veçanti në futboll.