E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi studentëve: Vendi në udhëkryq politik, votoni dhe mbrojeni votën

TIRANE - Kryetari i FRD-së Bamir Topi mbajti sot në një nga sallat e Pallatit të Kulturës në Tiranë një leksion të hapur me studentë të universiteteve, votues për herë të parë. Tema e leksionit ishte “Unë duhet të votoj”.

Lideri i FRD-së tha se në shoqërinë shqiptare rinia duhet të jetë mjaft aktive dhe një ndër misionet e saj është të luftojë indiferencën ndaj votës, e cila u kushton shumë intstitucioneve e për rrjedhojë edhe publikut të gjerë. Topi ritheksoi nevojën e votimit të emigrantëve duke argumentuar këtë me faktin se ata janë të ndjeshëm në distancë për fatet e atdheut.

Topi u bëri thirrje të rinjve pjesëmarrës në këtë takim të sensibilizojnë të afërmit dhe bashkëmoshatarët e tyre për një pjesëmarrje të lartë në zgjedhje sepse sipas tij, vetëm në këtë mënyrë ngushtohet mundësia e manipulimit të votës.

“Shqipëria ndodhet në udhëkryq të historisë së saj politike”,- deklaroi Topi, duke shtuar se “është jetike për shoqërinë jo vetëm të zgjedhin ditën e 23 qershorit, por edhe të mbrojnë votën”.

Duke iu referuar rezultateve të sondazheve në vend kryetari i FRD-së tha se ato janë dyshuese dhe synojnë të keqorientojnë opinionin publik për rezultatin e zgjedhjeve.

(BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›