Të pakënaqurit e RDK-së, kërcënojnë Thaçin e Krasniqin se do të shkojnë te Zafiri

Të pakënaqurit e RDK-së në Prizren, kërkojnë nga lideri i tyre, Hashim Thaçi dhe kryetari i RDK-së, Memli Krasniqi, që të ndërhyjë në parregullsitë e procesit zgjedhor në Prizren. Ata kanë kërcënuar Thaçin dhe Krasniqin, se nëse nuk ndërpritet ky proces zgjedhor të rinjtë e RDK-së në Prizren, do t’iu bashkohen një subjekti tjetër politik.
Delegati i RDK-së në “Lagjen e Trimave”, Nehat Gashi, tha se për të gjitha parregullsitë që po ndodhin në procesin zgjedhor të RDK-së nëpërmjet një letra është njoftuar edhe kryetari i PDK-së Hashim Thaçi dhe ai i RDK-së, Memli Krasniqi.
Kuvendi Zgjedhor i RDK-së në “Lagjen e Trimave” në Prizren, sipas tij, është përshkruar me parregullsi të shumta. Rreth 130 të rinjve të kësaj lagje, iu është mohuar e drejta që të marrin pjesë në zgjedhje. Sipas tij, largimi nga Kuvendi Zgjedhor i 130 të rinjve tregon qartë se procesi zgjedhor i RDK-së në Prizren po manipulohet.
”Ne kërkojmë që të ndërpritet ky proces i manipuluar zgjedhor. Për këtë kemi njoftuar edhe Thaçin edhe Krasniqin. Nëse ata nuk marrin masa për ta ndërprerë këtë proces të manipuluar të zgjedhjeve, atëherë do të aderojmë në një subjekt tjetër politik”, ka thënë Gashi. Ai nuk ka treguar se cilit subjekt politik do t’i bashkëngjitën nëse nuk ndërhynë Thaçi dhe Krasniqi në procesin zgjedhor të RDK-së në Prizren.
Burimet e “PrizrenPress-it”, ndërkaq bëjnë të ditur se të gjithë të pakënaqurit e RDK-së janë duke shqyrtuar mundësin të aderojnë në Bashkimin Demokratik të Zafir Berishës. “ Ata po presin edhe përgjigjen e Thaçit dhe Memlit. Nëse nuk do të marrin asnjë përgjigje atëherë po mendojnë të kalojnë te Zafiri”.
Procesi zgjedhor i RDK-së në Prizren, ka filluar me përçarje të mëdha të të rinjve. Sipas tyre ky proces zgjedhor po përcillet me manipulime të shumta./Indeksonline./