E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të pakënaqurit

Wesley Sneijder është i pakënaqur në Inter. Por, ai nuk është i vetëm. Daniele de Rossi, Gianpaolo Pazzini, Alessandro Matri e shumë futbollistë të tjerë nga Serie A nuk janë të lumtur në ekipet e tyre përkatëse.

Nuk është vetëm Wesley Sneijder. Shumë futbollistë të tjerë nga Serie A nuk janë veçanërisht të kënaqur me gjendjen e tyre në klubet përkatëse. Arsyet janë të lidhura drejtpërdrejt me faktin se gjenden pothuajse gjithnjë jashtë formacionit bazë ose nuk ftohen fare për ndeshje.

Shumë shpesh arsyet që sjellin këto vendime janë teknike, por në disa raste edhe ekonomike. Dhe kështu për ta pritet largimi gjatë afatit kalimtar. Mesfushori i Interit, Wesley Sneijder nuk pranon reduktimin e pagës të ofruar si kusht për të nënshkruar kontratë të re në Giuseppe Meazza. Përpjekjet e deritashme të palëve për të arritur marrëveshje kanë qenë të kota.

Trajneri Andrea Stramaccioni nuk e ka ftuar në takimet e fundit. Mungesat e holandezit ai i ka quajtur “vendim teknik”. Por, aventura e Sneijderit me Interin mund të përfundojë pas një kohe të shkurtër, në janar.

Pas tij janë vënë shumë klube evropiane. Mesfushori i Romës, Daniele de Rossi është një tjetër futbollist që i takon kësaj liste. Mes tij dhe trajnerit Zdenek Zeman nuk ekziston mirëkuptimi i plotë. Ata kanë vizione të ndryshme taktike dhe futbollisti në disa takime ka përfunduar në bankinë.

Paraqitjet e tij këtë stinor nuk janë ato të kohëve më të mira. Pas përjashtimit në derbin e qytetit kundër Lazios, është skualifikuar për tri ndeshje gjatë të cilave Roma fitoi 9 pikë.

Sulmuesi i Milanit, Gianpaolo Pazzini e filloi furishëm karrierën e tij me Rossonerët (het-trik në Bologna në fitoren e parë këtë stinor me skuadrën e tij të re), por vendimet e fundit të trajnerit Massimiliano Allegri e shohin atë gjithnjë në bankinë.

Milani pozitiv i ndeshjeve të fundit sheh në fushë sulmues të tjerë sa që vetëm sa vijnë e shtohen spekulimet rreth një shkëmbimi të tij me një tjetër futbollist të aktivizuar, po ashtu pak këtë stinor, Alessandro Matri. Sulmuesi i Juventusit është një prej zgjedhjeve të fundit në repartin ofanziv të Bianconerëve.

Në situatë të njëjtë gjendet edhe Nicklas Bendtner. Danezi, i cili erdhi në Torino në ditën e fundit të afatit kalimtar të verës, ende nuk ka shënuar golin e parë me fanellën e re. Minutazhi i tij po ashtu nuk është i lartë. Andaj, është i mundshëm largimi i tij pas rihapjes së afatit kalimtar të janarit. Pakënaqësinë e tij e ka bërë publike edhe qendërmbrojtësi Lucio.

Kurse, sulmuesi i Lazios, Mauro Zarate nuk po arrin të gjejë minuta te skuadra romake. Kjo nuk është një risi. Zarate nuk ishte në planet e Ballardinit, Rejas e tani edhe trajnerit Petkovic.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›