E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të paktën 127 të vdekur nga shpërthimet në Irak

Të paktën 127 persona kanë mbetur të vrarë dhe rreth 450 të tjerë janë plagosur si pasojë e një serie sulmesh me bomba në kryeqytetin irakian, Bagdad. Sulmi i parë kishte në shënjestër një rajon policie në rajonin Doura, një lagje kryesisht sunite. Katër bombat shpërthyen gati në të njëjtën kohë në zona të ndryshme të Bagdadit. Që të gjitha duket se kishin në shënjestër ndërtesa qeveritare dhe universitete. Asnjë grup nuk ka marrë përsipër përgjegjësinë e sulmeve, ndërkohë që mendohet të jenë kryer nga militantët e Al Kaedës. Sipas zyrtarëve vendas, synimi i tyre është destabilizimi i vendit përpara zgjedhjeve që pritet të mbahen në muajin mars. Në muajin tetor, sulme të koordinuara me bomba vranë të paktën 155 vetë dhe plagosën qindra të tjerë në Bagdad. Megjithatë statistika të dhëna nga qeveria irakiane tregojnë se dhuna ka rënë në përgjithësi në 18 muajt e fundit. Sulmet me bomba të së martës, tronditën banesat në mbarë kryeqytetin. Ndërtesat zyrtare që ndodhen pranë shpërthimeve, përfshijnë Ministrinë e Brendshme, Ministrinë për Çështjet Sociale, një universtitet dhe Institutin e Arteve.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›