E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të parealizuara paratë nga administrata vendore

02/12/2009  Buxheti, mbledhja e taksave vendore dhe tatimi mbi pasurinë do të rriten në 2010-n

Administrata vendore ka mbetur pas me mbledhjen e të ardhurave. Ministria e Financave në analizën e nëntë muajve të parë të vitit ka vënë re se mosrealizimi është më shumë se 33 për qind nga plani për këtë periudhë. Gjithsesi, në zëra të veçantë ka rritje krahasuar me vitin e kaluar, sidomos sa i takon taksës së ndikimit në infrastrukturë, e cila rezulton 92.3 për qind më shumë. Vitin e ardhshëm pritet të ketë sërish rritje të këtij treguesi pas vendosjes së nivelit 0.5 për qind për investimin si taksë mbi ndikimin në infrastrukturë për ndërtesat në proces legalizimi, duke shtuar rreth 600 milionë lekë si efekt i ndryshimit të taksës së tabelës dhe reklamave.

Realizimi 2009

Ekspertë të Ministrisë së Financave analizojnë se të ardhurat e mbledhura nga taksat vendore për periudhën arritën në 9.5 miliardë lekë nga 14 miliardë lekë të planifikuara, duke realizuar vetëm 67.91 për qind të planit. Në krahasim me një vit më parë kjo shifër është rreth 1.1 miliardë më shumë, kur ky tregues ishte 8.4 miliardë lekë të mbledhura. Taksa vendore mbi biznesin e vogël ka mbledhur 1.9 miliardë lekë, pothuajse të njëjtin nivel të ardhurash me një viti më parë, nga tatimet mbi pasurinë (ndërtesa dhe tokë bujqësore) janë mbledhur vetëm 1.3 miliardë lekë, me një rënie krahasuar me një vit më parë prej rreth 5.7 për qind. Nga taksat e tjera lokale janë mbledhur për periudhën 6.4 miliardë lekë, nga 8.4 miliardë të parashikuara, por me një rritje të konsiderueshme krahasuar me një vit më parë, prej 24.8 për qind. “Në këtë grup, taksa më e rëndësishme është ajo e ndikimit në infrastrukturë, nga e cila këtë vit janë mbledhur rreth 2.5 miliardë lekë krahasuar me 1.3 miliardë lekë të së njëjtës periudhë të 2008-s, me një rritje prej 92.3 për qind”, - theksohet në analizë. Rritje të konsiderueshme, sipas ekspertëve, kanë pasur dhe të ardhurat nga taksa e reklamave me 98.8 për qind dhe nga taksa e tabelës me 43.3 për qind kundrejt 2008.

Parashikimi 2010

Të ardhurat nga pushteti vendor për vitin 2010 pritet të arrijnë nivelin 20.9 miliardë lekë me një rritje prej 13.8 për qind ndaj vitit 2009, duke arritur nivelin 1.6 për qind e PBB-së. “Parashikimi për këtë grup taksash është bazuar në parashikimin për rritjen ekonomike nominale, përmirësimin administrativ në mbledhjen e të ardhurave kryesisht lidhur me tatimet mbi pasurinë, si dhe ndryshimet e fundit ligjore mbi taksat vendore”, - nënvizojnë ekspertët e Financave. Për taksën vendore të biznesit të vogël parashikimi për 2010 është 4.1 miliardë lekë, me një rritje prej 15.4 për qind krahasuar me vitin 2009. Për grupin e tatimeve mbi pasurinë, parashikimi është 4.4 miliardë lekë, me një rritje prej 17.4 për qind kundrejt vitit 2009. Për grupin e taksave lokale, pritet të mblidhen rreth 12.4 miliardë lekë, me rritje 12 për qind kundrejt vitit 2009. Në këtë grup taksash do të ndihet dhe efekti i ndryshimit të nivelit të taksës së tabelës dhe taksës së reklamave që ka një efekt të përafërt prej 600 milionë lekësh si dhe vendosja në 0.5 për qind e investimit të taksës mbi ndikimin në infrastrukturë për ndërtesat në proces legalizimi.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›