E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shumë shpejt liberalizohen vizat për gjithë shqiptarët

02/12/2009  Lulzim Basha merr mbështetjen nga komisionari Barrot. Takon ministrin suedez

TIRANE- Shumë shpejt Shqipëria do t’i bashkohet grupit të parë që fituan liberalizimin e vizave. Një gjë e tillë është bërë me dije nga ministrat e Këshillit Evropian si dhe nga komisionari Jacques Barrot, të cilët i garantuan vendit tonë si dhe Bosnjë-Hercegovinës se brenda gjashtë muajve, këto dy shtete do të përfitojnë plotësisht futjen në zonën Shengen. Për të marrë mbështetjen e ndërkombëtarëve ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, ka marrë pjesë dje në ceremoninë e organizuar në Këshillin Evropian me rastin e liberalizimit të vizave për tre vendet e Ballkanit Perëndimor. Këshilli Evropian vendosi të ofrojë liberalizimin e vizave në zonën Shengen për Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë. Ndërkohë që në 6- mujorin e parë të vitit 2010 u la për shqyrtim, mundësia e futjes së Shqipërisë dhe Bosnjës. Heqja e vizave për tre shtetet e sipërcituara do të aplikohet duke filluar nga 19 dhjetori i 2009, vetëm për mbajtësit e pasaportave biometrike. Ky vendim i rëndësishëm vjen pas një deklarate politike të Këshillit dhe Parlamentit Evropian, në të cilën ftohet Komisioni të propozojë liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjë Hercegovinën duke marrë parasysh progresin e këtyre vendeve, sidomos në fushën e sigurisë së dokumenteve, me qëllim liberalizimin e vizave sa më shpejt të jetë e mundur. Ministri Basha gjatë ceremonisë u takua me Komisionerin për Drejtësi dhe Çështjet e Brendshme Jacques Barrot, ministrin suedez të Migrimit Tobias Billstrom, si dhe homologët e tij të rajonit. Misionet e vëzhgimit që priten në mes të dhjetorit, do të jenë në gjendje të prekin vetë progresin thelbësor të arritur nga Shqipëria në fushën e sigurisë së dokumenteve, kontrollit të integruar të kufijve, si dhe në fokusin e treguar në drejtim të luftës kundër trafikut të qenieve njerëzore, drogës dhe kundër krimit të organizuar. Ministri suedez Billstrom nga ana e tij, duke vlerësuar se liberalizimi i vizave i sjell qytetarët e Ballkanit më pranë Evropës, shprehu besimin se shumë shpejt Shqipëria dhe Bosnjë- Hercegovina do t’i plotësojnë kriteret e mbetura dhe se edhe për këto dy vende një ceremoni e tillë do të kryhet shumë shpejt. Ndërkohë zv/presidenti Barrot, duke nënvizuar se jemi në një moment shumë të bukur dhe se “Lisbona” ishte një sukses për qytetarët evropianë, u shpreh se liberalizimi i vizave ka të njëjtën rëndësi për qytetarët e Ballkanit dhe shtoi se Shqipëria dhe Bosnjë Hercegovina shumë shpejt do të përfitojnë nga liberalizimi i vizave, pasi këto vende kanë punuar shumë.

Berisha telefonatë me Barrot

Kryeministri Berisha në një bisedë telefonike me zv/presidentin e Komisionit Evropian, komisionerin për Sigurinë dhe Drejtësinë Zhak Barrot e njohu atë me arritjet e qeverisë shqiptare në plotësimin e kërkesave të Komisionit Evropian për heqjen e vizave për shqiptarët. Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian Barrot vlerësoi lart arritjet e qeverisë shqiptare në plotësimin e kushteve për heqjen e vizave dhe garantoi Kryeministrin Berisha për mbështetjen e tij të plotë për heqjen sa më shpejt të vizave. Kryeministri Berisha falënderoi me mirënjohje zëvendëspresidentin Barrot për mbështetjen e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›