E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të pastrehët, ja çmimet e banesave në gjithë vendin

 

Fabiola Çela

Zbardhen çmimet e banesave që do të subvensionohen me kredi nga shteti për të pastrehët. Gazeta boton sot listat me tarifat për metër katrorë dhe sipërfaqet që i takojnë çdo familje. Drejtoresha e Shitjeve në Entin Kombëtar të Banesave sqaron të gjithë procedurat që duhet të plotësojnë kryefamiljarët. Në total janë llogaritur rreth 3157 familje që dalin të pastreha, pasi jetonin në shtëpitë e ish- pronarëve. Gazeta boton sot tabelat e të gjithë qyteteve, ku Enti i Banesave ka përcaktuar sipërfaqet e banesës që i takojnë çdo familjeje, sipas numrit të anëtarëve. Çmimet variojnë nga 70 mijë lekë për metër katrorë në Tiranë deri në 21800 lekë në Urën Vajgurore. Apartamentet variojnë nga Garsionerë deri në 3+1, në të gjithë qytetet.
Kredia
Qytetarët që jetojnë në ish-pronë do të marrin kredi me 0 për qind për blerjen e një banese të re. Ata do të kenë plot 30 vjet afat për të shlyer kredinë. Në bazë të një projektvendimi, kjo kategori të pastrehësh mund të marrë kredi në bankë për 80 për qind të vlerës së shtëpisë që ata do të blejnë. Drejtoresha e Shitjes, Kredisë dhe Marketingut Vitjola Kërthi, në Entin Kombëtar të Banesave sqaron për gazetën të gjithë hapat që duhet të ndjekë kjo kategori të pastrehësh për të përfituar nga ky program i Qeverisë.
Të pastrehët mund të marrin kredi pranë bankës me 0 për qind për të blerë apartamentin e tyre. Por jo të gjithë të pastrehët përfitojnë nga ky projektvendim i Qeverisë. “Bëhet fjalë për një kredi të lehtësuar nga shteti, që do të ishte për qytetarët qiramarrës në subjektet e shpronësuar d.m.th., që kanë jetuar në ish-pronë private d.m.th., kur bëhet fjalë për kredi të dhënë nga shteti bëhet fjalë për një shumë e caktuar që do të jetë për 30 vjet dhe 0 për qind interes dhe kjo do të subvencionohet nga Enti Kombëtar i Banesave”, shprehet Drejtoresha e Shitjes, Kredisë dhe Marketingut Vitjola Kërthi, në Entin Kombëtar të Banesave. Për zbatimin e këtij programi të Qeverisë Ministria e Financave dhe ajo e Punëve Publike ka nënshkruar një marrëveshje me një prej bankave të nivelit të dytë në vend. Sipas projektvendimit të Qeverisë qytetarët që përfitojnë nga ky program, janë të lirë të zgjedhin vetë zonën se ku duan të blejnë apartamentin e tyre, por me kusht që vlera e tij të jetë brenda tarifës së përcaktuar nga Qeveria, në rast të kundërt diferencën duhet ta paguajnë vetë qytetarët. Në projektvendim e saj Qeveria ka përcaktuar numrin e të pastrehëve që përfitojnë për çdo qytet p.sh., për Tiranën përfitojnë gjithsej 800 të pastrehë për Durrësin 550 etj. Gjithashtu, është përcaktuar edhe struktura e apartamentit që përfitohet në bazë të numrit të personave që janë në familje. Qeveria ka llogaritur edhe çmimin e banesës për metër katror p.sh., për Tiranën çmimi për metër katror është 70 mijë lekë. Gjithsej janë 3157 qytetarë që përfitojnë nga statusi i të pastrehut. Për këto kategori të pastrehësh ka përfunduar hartimi i listave dhe një pjesë e tyre enti i ka dërguar pranë Bankës Kombëtare Tregtare si banka e përzgjedhur për këtë proces. Në momentin që enti dorëzon listën e personave tek banka, atëherë qytetari duhet të paraqitet në bankë për të nënshkruar kontratën me bankën. Përpara kësaj çdo qytetar duhet të plotësojë një formular ku deklaron se është i aftë të paguajë këstet mujore të kredisë. “Pra, një i pastrehë mund të blejë një shtëpi në çdo zonë të Tiranës mjafton të jetë brenda çmimit të përcaktuar nga Qeveria, në rast të kundërt diferenca paguhet nga vetë qytetari dhe banka i jep 80 për qind të kësaj vlere. Apartamentin e gjen vetë qytetari, dhe do ta lerë të ngurtësuar në llogari të bankës deri sa ta likuidojë totalisht. Qytetari do të paguajë vetëm pjesën e principalit”, sqarojnë drejtuesit e entit. Ndërkohë, vlera e interesit të kredisë do të paguhet nga Qeveria përmes entit.

numri i apartamenteve

Tirana        800
Durrësi        550
Shkodra        650
Kavaja        169
Vlora        250
Korça        195
Gjirokastra    160
Elbasani    40
Pogradeci    35
Berati        37
Kuçova        15
Shijaku        77
Kruja        28
Peshkopia    20
Librazhdi    4
Peqini        10
Bilishti        1
Çorovoda    2
Ura Vajgurore    3
Fieri        2
Roskoveci    5
Ballshi        2
Burreli        1
Resheni        5
Saranda    24
Delvina        30
Përmeti        27
Erseka        15

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›