Të pathënat e vëllait tim, Xhimi
“Thesari i Xhimit ekziston: në kasafortën time ka qindra këngë që askush nuk i ka dëgjuar më parë”. Xhejni Hendriks, motra e adoptuar e Xhimit, flet ngadalë, duke i shqiptuar mirë fjalët. Gjithashtu Xhejni është regjisore e prezantimit të veprës më të madhe komerciale të imazhit dhe artit të të vëllait. “Do të vazhdojnë të dalin albume të Xhimit edhe për dhjetë vitet e ardhshme”, thotë ajo, e cila ka edhe rolin e menaxheres. “Publikimi i parë është ‘Valleys of Neptune’, 12 këngë të nivelit të lartë, të padëgjuara më parë”.
Në pamje të parë zonjusha Hendriks mund të duket trashëgimtarja e radhës e një miti të muzikës në kërkim të fitimit të sa më shumë dollarëve, por ajo betohet se nuk është kështu: “Disqet e katalogut “Xhimi” shesin 1 milion e 200 mijë kopje çdo vit, madje nuk kam nevojë për reklamë apo promocione. Ajo që po bëj tani është që t’u jap njerëzve të cikët e duan akoma, më shumë motive për ta adhuruar. Xhimi nuk ishte një muzikant dosido, por një gjeni absolut, dhe nëse nuk do të kishte vdekur në moshën 27-vjeçare, kush e di ku do të kishte arritur sot suksesi i tij”, shprehet ajo.
Londër, 18 shtator 1970, hoteli “Samarkand”: u gjet i vdekur, pasi kishte pirë shumë alkool dhe ilaçe gjumi. Kështu u shua kitaristi më i madh i të gjitha kohërave. Një muaj pasi ishte ndarë nga jeta, u zbulua pista e vetëvrasjes me paramendim.
“është rituali i trishtuar i teorive të konspiracionit. Rreth kësaj dinë diçka familjarët e Elvis Preslit, Kërt Bobein dhe Xhim Morrisonit”, komenton e irrituar Xhejni. “është një lojë mizore, nga e cila nuk mund të dalësh lehtë. Për vite me radhë unë dhe babai im, Al, jemi torturuar për të kuptuar se çfarë kishte ndodhur në Londër, ndërsa dëgjonim duke humbur kohë rindërtimin e çuditshëm të ngjarjeve nga disa të çmendur dhe vizionarë. Pastaj, një ditë, i dhamë fund kësaj historie. Më kujtohet babai i ulur në mes të sallonit të shtëpisë në Siatëll: ‘Nuk kanë ç’na duhen hetimet. Nuk na hyjnë më në punë. Fundja asnjë nuk do të arrijë të ma kthejë tim bir, që tani jam i bindur se fle mes engjëjve, sepse ai vetë ishte një engjëll’”.
Toni profesional i zërit fillon të venitet dhe Xhejni, e mallëngjyer, aktivizon makinën e kohës: “Unë isha 9 vjeçe dhe kam qenë në shkollë. Nga ora e tretë e mësimit një shok klase ngrihet dhe pyet: ‘A është e vërtetë që Xhimi Hendriks vdiq?’. Fillova të ecja me shpejtësi drejt shtëpisë. Oborri ishte mbushur me makina dhe babain e kishin rrethuar qindra njerëz. Si për t’i larguar dhimbjen, e pyeta: ‘Mund të shkoj te festa e ditëlindjes së shoqes sime, sot pasdite’? Dhe ai m’u përgjigj: ‘Jo, Xhimi vdiq dhe jeta jonë nuk do të jetë kurrë më e njëjta’”.
Qëllimi i deklaruar i Xhejnit është që t’i japë botës një imazh për të vëllanë, më afër realitetit. “Para dy netësh po ridëgjoja incizime të vjetra, ku Xhimi hidhte ndonjë batutë mes këngëve. Isha vetëm në shtëpi dhe më ngriu gjaku. ‘Hej çuna, e dini se kemi 10 orë që po këndojmë dhe po luajmë’? Në fakt mua m’u dukën 10 minuta’. Ja, kjo ishte jeta e vëllait tim. Të këndonte, të luante me kitarë, të eksperimentonte. Askush nuk ka incizuar kaq shumë muzikë sa ai. Sapo kishte një mendim në kokë, vraponte ta regjistronte, sikur ta dinte se kishte shumë pak kohë në dispozicion”. Ishte një gjeni, qen i punës, por edhe një njeri i trazuar dhe i ndrydhur. “Xhimi ishte nën presion, ndihej i shfrytëzuar nga të gjithë. Jam e bindur se ai do të dëshironte që babai të kujdesej për punët e tij, që të shkonte nëpër turne me të. Por si mundej një kopshtar të kujdesej për një bandë rroku?”.
Mes shumë zhgënjimeve të një karriere të mrekullueshme, ishte edhe ai i shfaqjes në mëngjes në skenën e Woodstock-ut: “Duhej të kishte mbyllur mbrëmjen e tretë të festivalit, por për mijëra probleme organizative këndoi në orët e para të mëngjesit, kur tashmë publiku ishte jashtëzakonisht i lodhur dhe po largohej. Ata që kishin mbetur, ishin aq të shushatur sa nuk po kuptonin se çfarë po ndodhte. Ai nuk ishte një moment i mirë për të dhe u ndje shumë keq”.
Sipas disa thënieve, një problem tjetër që Xhimi nuk pati kohë ta ndreqte, ishte marrëdhënia jo e mirë me kolegët e tij muzikantë. “Vëllai im nuk kishte probleme kur bëhej fjalë për të biseduar për muzikë, për të luajtur së bashku me bandën e tij, apo për të imagjinuar horizonte të reja për kitarën që e adhuronte më shumë se gjithçka tjetër në botë. Ai nuk ishte VIP, nuk e pëlqente pjesën mondane të punës së tij. Ata që e kuptonin dhe arrinin të hynin në botën e tij, mbeteshin të magjepsur, si Bob Dilan. Në vitin 1980, babai im mori një telefonatë prej tij: ‘Desha t’u ngushëlloja. Kam 10 vjet që përpiqem t’u telefonoj, por vetëm tani gjeta forcën për të ngritur telefonin. Djali juaj ishte një muzikant i madh, por edhe një njeri i jashtëzakonshëm, i vërtetë dhe i ndjeshëm’”.
#