E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrathët, rrethet dhe rrethi i florinjtë

ZëRA FEMëRORë

Në vegjëli kemi rrathë të vegjël që na kufizojnë, me qëllimin e vetëm për të na mbrojtur nga të këqijat. Kështu është rrethi i parë ku ne flemë: një krevat i rrethuar që të mos rrëzohemi. Më pas na vendosin në një kosh të madh plot lodra, por i rrethuar me rrjet nga të katërta anët. Pasi marrim këmbët, rrethimi ynë hapet pak nga pak dhe na lejojnë të shkojmë deri te dera, por jo më shumë, pasi të mëdhenjtë kanë frikë se vritemi dhe ne nuk jemi të përgjegjshëm për sigurinë tonë, apo për hapat që do marrim. Kujdesi prindëror gjatë kalimit të viteve bëhet edhe më i fuqishëm për fëmijët femra, për të cilat rreziqet janë më të mëdha sesa për ata meshkuj. Kështu femrat duhet të jenë të kujdesshme për të folurin, për shoqërinë që zgjedhin, duhet të jenë sa më të mira, të edukuara, sepse nesër do të martohen e do të shkojnë te burri. Kështu paracaktohet rruga femërore, e cila do të jetë një kalim nga rrathët familjarë në rrethin e florinjtë burrëror-martesor, rreth që thuhet se është shpikur për t’u vendosur në kokën e njerëzve si kurorë dhe si shenjë dallimi e kufizimi, por duke parë vështirësinë e të mbajturit përherë në kokë, i ndërruan vendin drejt gishtit të unazës.
Mendohet se me kalimin e viteve rrathët e vegjëlisë sa vijnë e do të zgjerohen, sepse kushdo nga ne, bashkë me rritjen do të fitojë lirinë, e do të ketë mundësinë të marrë përsipër përgjegjësinë për jetën, për zgjedhjet dhe për vendimet e mira apo të gabuara. Por në të vërtetë ndodh e kundërta. Me rritjen, rrathët sa vijnë e bëhen më të ngushtë, dhe duket se realiteti ynë shoqëror nuk e pranon të drejtën e kujtdo për të zgjedhur lirisht. Shembujt e mëposhtëm na tregojnë më shumë.
Rasti i parë: - Një vajzë njëzetepesëvjeçare, mes Tiranës dhe një rrethi jugor të Shqipërisë, duke biseduar me shoqen e saj në kryeqytet.
- Prindërit e mi duan që të kthehem në shtëpi. Të filloj punë atje si mësuese dhe të martohem me një djalë që më kanë gjetur. Ka biznes, - thonë ata.
- Po nuk ua shpjegon dot, që ti nuk mund të martohesh me një njeri pa e njohur më parë, - e pyet shoqja?
- Jam munduar, por ime ëmë më thotë se ashtu është martuar dhe ajo me tim atë, dhe kanë qenë të lumtur gjithë jetën, - thotë vajza dhe psherëtin. – Sikur se kam parë lumturinë e tyre! – shton në fund me një ironi therëse e të dhimbshme njëkohësisht.
- Ti e di, duhet të vendosësh vetë.
- E ç’të vendos. Atyre u thonë se çupa mbeti pa martuar, e nuk e zë më njeri me dorë po i kaloji të njëzetat, e jo më të njëzetë e pestat...
Rasti dytë:
Një vajzë tridhjetëvjeçare, e martuar në kryeqytet. Diskuton me nënën e saj.
- Mama, kam kaq kohë që e mbaj brenda, por nuk mundem më. Burri që ju zgjodhët për martesë, dhe që unë e pranova, nuk është për mua. Më duhet të ndahem.
E ëma e sheh me sytë e shqyer. - Por çfarë do të thonë për ty moj e zezë? Po u ndave nga burri, të mori e përpjeta. Do hysh në gojën e të gjithëve. Pastaj ç’është kjo ndarje? Ku do mbytesh ti?...
Rastet e mësipërme nuk janë as të reja e as të padëgjuara për veshët tanë. Por ajo që tashmë nuk është e re, është indiferenca e pothuajse të gjithëve ndaj këtyre ndodhive, të cilat i dëgjojmë pa na prekur, e pa na ngacmuar për të thënë një fjalë për të mbështetur lirinë e individit, por e lëmë atë të vijë vërdallë në vorbullën e një rrethimi më të madh, që është paragjykimi i shoqërisë.
Këtu në kryeqytet, kemi një sërë rrathësh që na kufizojnë. Kështu është rrethi i familjes, më pas i punës, (me raste i disa punëve që kemi ndërruar), rrethi i lagjes ku jetojmë, i fisit, i shoqërisë sonë (e cila na gjykon në heshtje, ose na mbështet për zgjedhjet tona). E në këtë ngërthim rrathësh kemi mundësinë që të shpëtojmë nga ndonjëri prej tyre, nga ai i fisit dhe apo i familjes, e të gjejmë fillimisht mbështetjen e shoqërisë e ndonjëherë edhe atë të ambientit të punës.
Por, ndërsa në kryeqytet kemi kaq shumë rrathë, në rrethet e Shqipërisë ekziston vetëm një rreth i madh, i bashkuar, i njëjtësuar, i çimentuar, prej të cilit nuk shpëton dot dhe detyrohesh ose të dalësh përfundimisht nga ai rreth e të jetosh e lirë si “delja e zezë e gjykuar”, ose të mbijetosh nën zinxhirët që shoqëria vendos pa të drejtë.
Cila është zgjidhja?! Askush nuk mund të japë zgjidhjen ideale. është e vështirë të jetosh e veçuar në një shoqëri që të paragjykon. Po kaq e pamundur është të jetosh një jetë që të tjerët zgjedhin për ty, siç është e vështirë të ulesh përditë e të hash me lugë e me pirun të njëjtën pjatë të servirur nga shija e botës për stomakun tënd. Dhe kjo ndodh çdo ditë, çdo ditë, çdo ditë, deri sa “vdekja të na ndajë”.
Mendoj se zgjedhja duhet të burojë nga thellësitë tona, pasi të kuptojmë se çfarë është më e rëndësishme për ne: Rrathët që na vendos familja, fisi e shoqëria, apo hapat e vërtetë që duam të ndërmarrim në jetë sipas dëshirave dhe zgjedhjeve tona, të drejta apo të gabuara qofshin?!

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›