E Shtunë, 31 Tetor 2026

Faturat e ujit do të paguhen edhe me ndërhyrjen e policisë

Marrëveshja Ujësjellësi dhe Policia e Tiranës vendosin të bashkëpunojnë për të prerë lidhjet e paligjshme në rrjet

Të gjithë ata që do të refuzojnë të paguajnë faturat e ujit do të përballen edhe me policinë. Po kështu, forcat e rendit do të mbështesin punonjësit e Ujësjellësit për gjetjen dhe prerjen e lidhjeve të paligjshme në rrjetin e shpërndarjes së ujit për konsumatorët kryeqytetas. Kanë qenë këto objekti i një marrëveshjeje të nënshkruar dje mes drejtorit të Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve, Sahit Dollapi, dhe drejtorit të Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj. Kjo marrëveshje garanton se kur punonjësit e policisë, gjatë kryerjes së detyrës për mbështetjen e punonjësve të UKT sh.a. hasin në veprime të kundërligjshme apo të dhunshme nga ana e subjekteve kundërvajtës, sipas rastit, bëjnë shoqërimin e tyre në komisariat për të kryer veprimet e mëtejshme procedurale.

Ndërkohë që ky aksion, i cili është premtuar nga të dy krerët e institucioneve, që të fillojë sa më shpejt në të gjithë kryeqytetin, është dëgjuar edhe shumë herë më parë nga ish-drejtues të Ujësjellësit. Që prej gati 20 vitesh rrjeti i shpërndarjes së Ujësjellësit në Tiranë është goditur vazhdimisht në mënyrë të paligjshme, qoftë nga banorë që kanë tokat e tyre përgjatë gjurmës së tij, ashtu edhe nga biznese që nuk e paguajnë ujin që konsumojnë. Shumë lavazhe në kryeqytet konsumojnë ujin e pijshëm të rrjetit të Ujësjellësit të Tiranës për të larë makinat, ndoshta edhe të vetë drejtuesve të kësaj ndërmarrje. Ndërkohë që gjatë gjithë kësaj periudhe nuk kanë munguar premtimet për prerjen e të gjitha lidhjeve të paligjshme që, sipas drejtuesve të Ujësjellësit janë bërë shkak jo vetëm për një presion të ulët të ujit në rrjet, por edhe për mungesë të plotë të tij në shumë zona.

Po kështu, gjatë nënshkrimit të marrëveshjes së djeshme mes Ujësjellësit dhe Policisë së Tiranës premtimet janë përsëritur sërish. “Me këtë aksion ne do u mundësojmë qytetarëve të Tiranës që paguajnë ujin aq sa konsumojnë, të kenë një furnizim akoma më të mirë", tha Sahit Dollapi, drejtor i Ujësjellës-Kanalizimeve në Tiranë. Lidhur me pjesëmarrjen e policisë në këtë aksion, drejtori i Ujësjellësit tha se “do të na lehtësojë punën, do na mbështesë në aksionin tonë, që do jetë një aksion i vazhdueshëm për pastrimin e linjave të transmetimit, për pastrimin e linjave të shpërndarjes, nga lidhjet e paligjshme dhe nga ata që e keqpërdorin ujin e pijshëm.

Ndërsa Tonin Vocaj, drejtor i Policisë së Tiranës, u shpreh se "të gjithë punonjësit e kësaj ndërmarrjeje do të jenë më të mbrojtur nga çdo veprim i kundërligjshëm i konsumatorëve ilegalë të ujit dhe kuptohet që duke vlerësuar furnizimin me ujë si jetik për Tiranën, policia do të japë mbrojtjen e saj maksimale".

Furnizimi i qytetarëve të Tiranës me ujë të pijshëm, sipas procesit të decentralizimit të kompetencave për pushtetin vendor, i takon këtij të fundit që ta menaxhojë. Por Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës vazhdon të mos bëhet pjesë e strukturës së bashkisë kryeqytetase. Drejtuesit e kësaj të fundit nuk pranojnë ta marrin nën varësi këtë ndërmarrje, me kushtet dhe kuadrin ligjor që i ka ofruar qeveria. Kjo çështje nuk ka gjetur ende një zgjidhje.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›