Të përndjekurit, Musta: Rama, kërko falje për krimet e babait
Ish-të përndjekurit politikë protestuan dje para Bashkisë së Tiranës, duke kërkuar nga kreu i saj, Edi Rama, të kërkojë falje për krimet e komunizmit. "Rama, kërko falje", - ishte kërkesa e të përndjekurve, të cilët mbanin në duar dhe posterat me fytyrën e një prej diktatorëve më mizorë të historisë së njerëzimit, Stalinit, ku data 21 dhjetor përkon me ditëlindjen e tij. Në emër të të përndjekurve, foli Agim Musta, drejtues i shoqatës së intelektualëve të persekutuar "Musine Kokalari", i cili kërkoi që kryetari i bashkisë, njëherësh i Partisë Socialiste, të kërkojë ndjesë për firmën e të atit në dënimin me varje të poetit Havzi Nela. “Të persekutuarit politikë nga diktatura e komunizmit i kërkojnë kryetarit të PS-së dhe Bashkisë së Tiranës, Edi Ramës, të kërkojë falje për krimet e kryera nga babai I tij, Kristaq Rama, për firmosjen e ekzekutimit me litar të poetit Havzi Nela në vitin 1988. Njëherësh, babai i Edit, Kristaqi, është dërguar nga Sigurimi i Shtetit komunist për të nxjerrë jashtë nga ambasada e Republikës Italiane familjen Popa, e para që shënoi nisjen e eksodit të shqiptarëve në ambasadat perëndimore. Ky mision i Kristaq Ramës dështoi me turp”, - deklaroi Musta.