E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma e pronësisë, Berisha: Zgjidhje 8 mijë dosjeve

Në seancën plenare të ditës së mërkurë, e cila mbyll këtë legjislaturë, do të trajtohet ligji për banorët e zonave turistike, por që, sipas Kryeministrit Sali Berisha, në kohën kur turizmi ishte ndaluar, ato ishin ferma dhe që këta qytetarë kanë ngelur faktikisht pa një vlerësim. Para deputetëve të PD-së, Berisha përmendi se dekreti i Presidentit, për fat të keq, ishte një skandal, pasi nuk është votuar në atë kohë në Parlament dhe banorët e këtyre zonave kanë ngelur krejtësisht duarbosh. “Komisioni, dhe unë nuk jam kundër këtij mendimi, propozon që dhënia e tokës të proporcionohet, të ketë një lloj proporcionimi për frymë të familjes. Dhe e kanë propozuar nga 300, minimumi gjer në 750, në varësi të frymëve të familjes. Unë jam dakord me këtë koncept. Pak a shumë mund të shkojë pak më tepër, por unë e vlerësoj këtë ndërhyrje”, - u shpreh z. Berisha. “Sidoqoftë, - informoi ai, - ligji duhet të kalojë, pasi është në kuadër të reformave të premtuara dhe duhet të vazhdojmë të kompletojmë reformën e pronësisë”. Sipas Kryeministrit, të gjitha degët e Agjencisë së Kthimit dhe të Kompensimit të Pronave në qarqe nuk do të funksionojnë më. “Me ligjin që miratoni ju, me amendimin e bërë, ditën e mërkurë autorizoni agjencinë të shqyrtojë të gjitha ankesat e depozituara para datës të skadimit të paraqitjes së ankesave. Natyrisht, qeveria do të bëjë disa riaxhustime, pasi është një numër i madh ankesash, me gjithë punën e madhe që është bërë. Kanë qenë rreth 40 mijë, tani kanë ngelur rreth 8 mijë, në mos gaboj”, - deklaroi z. Berisha. Ai vuri në dukje se është bërë punë voluminoze, por edhe këto 8 mijë do të kërkojnë ripërshtatjen e Agjencisë Kombëtare të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave në përputhje me këtë vëllim të madh pune dhe qeveria sigurisht do të shqyrtojë mundësinë e një strukture të re për agjencinë, për të pasur të gjithë ekipin dhe burimet e mjaftueshme njerëzore për t’iu përgjigjur sa më shpejt shqyrtimit të 8100 dosjeve që janë pa u shqyrtuar. “Pra, edhe dita e fundit e Parlamentit ka një finale në reformë, ndaj edhe një herë dua t’ju falënderoj, t’ju përgëzoj për kontributin e madh që keni dhënë gjatë këtyre muajve, të cilët kanë qenë muaj të një procesi intensiv reformash”, - pohoi Kryeministri Sali Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›