Të përndjekurit: S’mund të mbesim peng i familjes së Edi Ramës
Ish-të përndjekurit politikë kanë dënuar dje zyrtarisht qendrimin e kryetarit të Partisë Socialiste, duke përsëritur se origjina komuniste e të majtëve nuk mund të mbajë peng ligjin që do të zbardhë krimet monstruoze të baballarëve të tyre. Inkurajim për mazhorancën, që projekti të shndërrohet në ligj në seancën plenare të së hënës
Shoqata e ish të përndjekurve politikë i bën thirrje Kuvendit të Shqipërisë që të miratojë sa më parë ligjin “Për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë”. Duke marrë shkas nga qëndrimi dashakeqës i opozitës dhe fanatizmi i thekur për krimet e komunizmit i kreut të PS-së Edi Rama, Shoqata Antikomuniste i kërkon përfaqësimit të së djathtës që të këmbëngulë në mënyrë që ky ligj të miratohet sa më parë, pavarësisht se në të nuk parashikohen sanksione të rënda për krimet monstruoze që ka bërë komunizmi gjatë plot 50 viteve. “Po ndjekim me vëmendje dhe shqetësim të veçantë, deklaratat e ditëve të fundit të drejtuesve të së majtës lidhur me ligjin për dosjet që fatkeqësisht po zvarritet ende nga politika shqiptare. Këta zotërinj, duke pretenduar se ligji shkel kushtetutën shqiptare dhe Rezolutën e KE për dënimin e Krimeve të Komunizmit, po u dalin zot krimeve monstruoze të komunizmit, duke bërë kështu avokaturën më të turpshme, sistemit më çnjerëzor që ka njohur njerëzimi që nga lindja e tij”, tha Sekretarja e Shoqatës Antikomuniste e ish-të përndjekurve politikë, Liljana Ndoci në një deklarim për mediat.
Shoqata e ish të përndjekurve kundërshton me neveri qëndrimet e përfaqësuesve politik të Partisë Socialiste, pasi origjina komuniste e tyre mban peng ndërgjegjen e turbullt që u kanoset. “Ne kundërshtojmë me neveri qëndrimet e këtyre zotërinjve që origjina e tyre komuniste, mban peng ndërgjegjen e tyre të turbullt. Ata kërkojnë të lenë në harresë vuajtjet dhe persekutimin e misionarëve të lirisë dhe demokracisë, duke shtyrë në kalendat greke këtë ligj qenësor për shoqërinë shqiptare që synon të integrohet në Europë”, theksohet më tej në deklaratën e Shoqatës së ish të përndjekurve.
Ata i bënë thirrje të djathtës dhe të majtës në Kuvend, Kryetares Jozefina Topalli, kryeministrit Sali Berisha, të këmbëngulin që ky ligj të miratohet sa më parë, pavarësisht nga fakti se ky ligj duhet të ishte me sanksione më të rënda për ish persekutorët.
”Gjykatësit dhe prokurorët që dënuan me vdekje poetët, deputetët, fjalën e lirë, nuk mund të bëjnë më drejtësi në demokraci”, përfundon deklarata e Shoqatës Antikomuniste e ish-të përndjekurve politik.