Ia mbath Rama, s’pranon të raportojë se si do ta shpërdorojë buxhetin e 2009-s
projektbuxheti i Bashkisë së Tiranës për vitin 2009 është thuajse e sigurtë se nuk do të votëbesohet, për shkak të refuzimit të kryebashkiakut Rama për të dhënë llogari për miliona dollarët që harxhohen pa kriter e shkojnë thjesht për rrogat e të besuarve të tij në administratën e bashkisë. PD e LSI deklarojnë paraprakisht votën e tyre kundër
Bashkia e Tiranës ka prezantuar dje në Këshill një projektbuxhet të hartuar në mënyrë spekullative dhe pjesa dërrmuese e draftit nuk i përgjigjej problematikës së qytetit dhe shqetësimeve të taksapaguesve kryeqytetas, por një draft-buxhet i hartuar nga Edi Rama për hesap të tij dhe hispanikëve që firmosin në në mënyrë antiligjore në borderotë mujore të bashkisë.
Pasi kryebashkiaku prezantoi buxhetin, anëtarët e Këshillit të Bashkisë kërkuan të specifikohen elementët kryesor të buxhetit dhe se cilat ishin objektivat për vitin e ardhshëm. Përballë morisë së pyetjeve të anëtarëve Rama nuk ishte në gjendje të jepte përgjigje, duke treguar se as nuk ekzistojnë objektiva reale për investimet e bashkisë për vitin 2009 dhe se gjithçka e prezantuar nga ai, ishte vetëm një skup për të marrë “ok”-in e anëtarëve të Këshillit Bashkiak, çka do të përbënte entuziazëm për të.
Pikërisht në momentin kur Edi Rama duhet të jepte llogari para anëtarëve të Këshillit Bashkiak, se si është hartuar buxheti i 2009-ës dhe se çfarë plani masash kryesisht në investime parashikohen, gjë që ndezi edhe debatin, ai në mënyrë egoiste dhe tërësisht të papërgjegjshme zgjedh të largohet nga mbledhja, duke mos iu përgjigjur asnjë pyetjeje dhe duke lënë të nënkuptohej se buxheti që ai prezantoi ishte fallso.
Buxheti i hartuar nga Bashkia nuk u mirëprit nga këshilltarët e djathtë dhe përfaqësues të LSI-së, të cilët drejtuan një sërë pyetjesh për kryetarin e Bashkisë, deri në momentin që Rama vendosi të largohet. Këshilltarët Flamur Noka, Ferdinand Poni e Gent Strazimiri e cilësuan skandaloz refuzimin e kryebashkiakut për t’iu përgjigjur pyetjeve të këshilltarëve demokratë dhe atyre të LSI-së. Edhe Monika Kryemadhi, në emër të këshilltarëve të LSI-së përsëriti dje se projekti i ri ishte thjesht një projekt zhvatës dhe që shkonte thjesht për rrogat e të besuarve të tij në administratën e bashkisë.
Mbledhja e Këshillit Bashkiak pas largimit të Ramës ka vijuar me diskutime nga këshilltarët. Në bazë të ligjit buxheti i Bashkisë për vitin 2009 duhet të miratohet brenda muajit dhjetor, për miratimin e tij duhen minimalisht 28 vota “pro” të këshilltarëve nga 55 që ka Këshilli Bashkiak.