E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të përndjekurit, kthehen mbrapsht 7 mijë dosje

11/09/2009  Ligji shkakton anomali në procedura për të pushkatuarit pa gjyq

Ironia, përfitojnë pinjollët e diktaturës, sepse kanë vendime

Trashëgimtarët e të pushkatuarve pa gjyq gjatë regjimit komunist ende nuk u njihet e drejta e dëmshpërblimit nga ana e Ministrisë së Drejtësisë. Burime nga kjo ministri shprehen se deri tani janë kthyer rreth 7000 dosje, që kanë të bëjnë jo vetëm me të pushkatuarit pa gjyq, por edhe me ata që janë internuar pas çlirimit, për të cilët regjimi komunist i asaj kohe nuk nxirrte asnjë lloj vendimi.

Përplasjet

Shkak për këto ecejake të ish-të përndjekurve është bërë pikërisht neni nr. 1 i ligjit “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë”. Ky ligj nuk njeh vendimet e komisioneve trepalëshe të ngritura në vitin 1992, të cilat me anë të dëshmitarëve ose fakteve të tjera vërtetonin datën dhe motivin për të cilin ishte ekzekutuar viktima. Por ligji i miratuar nga Kuvendi shkakton përplasje, pasi njeh vetëm ato dokumente të krijuara si burim arkivor deri në vitin 1991, ndërkohë që komisionet trepalëshe janë ngritur pas vitit 1992. “Objekt i këtij ligji është edhe dëmshpërblimi i familjarëve të viktimave të ekzekutuara apo të pushkatuara padrejtësisht për motive politike, me vendime penale të formës së prerë të gjykatave të zakonshme apo speciale ose me urdhra të organeve të hetuesisë, gjatë periudhës 30.11.1944 deri më 1.10.1991, si dhe dëmshpërblimi financiar për personat e internuar ose të dëbuar, me kusht që humbja e jetës apo periudha e vuajtjes së internimit ose dëbimit të vërtetohen me dokument të krijuar si burim arkivor para datës 1.10.1991. Dëmshpërblimi i viktimave të vrara ose të ekzekutuara gjatë periudhës 30.11.1944 deri më 1.10.1991 jepet vetëm për familjarët e përcaktuar sipas këtij ligji”, - thuhet në ligj.

Dëmshpërblimi

Me pak fjalë, ky paragraf i ligjit ka lënë jashtë dëmshpërblimit me mijëra viktima të komunizmit, të cilëve u mohohet një e drejtë. Por nuk ndodh kështu me ata që kanë qenë pjesë e nomenklaturës, të cilët në bazë të ligjit u takon dëmshpërblimi, dhe kjo për faktin se ata kanë një vendim gjyqi ose dokument arkivor. Kështu, për shembull, jashtë dëmshpërblimit nuk kanë mbetur emra të tillë si Kadri Hazbiu, ish-ministër i Brendshëm, apo Vasko Leci, drejtor i Sigurimit të Shtetit në vitin 1948, i akuzuar për vrasjen e Myzafer Pipës, e shumë emra të tjera si këta. Është e padrejtë që inkuizitorët, që cilët u pushkatuan për shkak të mosmarrëveshjeve që kishte diktatura, të dëmshpërblehen dhe ata patriotë dhe nacionalistë që u morën nga bandat komuniste dhe u pushkatuan vend e pa vend të mos kenë të drejtën e një rehabilitimi.

Disa nga emrat e nomenklaturës që marrin dëmshpërblim

Koçi Xoxe – ish-drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes në vitet 1944-1946 dhe ish-ministër i Brendshëm në vitet 1946-1948

Vasko Leci – drejtor i Sigurimit të Shtetit në vitin 1948, akuzohet për vrasjen e Myzafer Pipës.

Fiqerete Shehu – anëtare e KQPPSH-së

Liri Gega – ka marrë pjesë në vrasjen e Mustafa Gjinishit.

Neni 1 i ligjit:

Objekt i këtij ligji është përcaktimi i përfituesve, masës, kritereve dhe procedurës së përfitimit të dëmshpërblimit financiar për ish-të dënuarve politikë, të cilët kanë vuajtur persekutimin e drejtpërdrejtë në regjimin komunist nëpërmjet kryerjes së dënimeve penale të padrejta, si burgim apo masa mjekësore të detyrueshme, si pasojë e një apo disa vendimeve penale të formës së prerë të gjykatave të zakonshme, gjykatave speciale apo të urdhrave të organeve të hetuesisë gjatë periudhës 30.11.1944 deri më 1.10.1991.

Objekt i këtij ligji është edhe dëmshpërblimi i familjarëve të viktimave të ekzekutuara apo të pushkatuara padrejtësisht për motive politike me vendime penale të formës së prerë të gjykatave të zakonshme apo speciale ose me urdhra të organeve të hetuesisë gjatë periudhës 30.11.1944 deri më 1.10.1991, si dhe dëmshpërblimi financiar për personat e internuar ose të dëbuar, me kusht që humbja e jetës apo periudha e vuajtjes së internimit ose dëbimit të vërtetohen me dokument të krijuar si burim arkivor para datës 1.10.1991. Dëmshpërblimi i viktimave të vrara ose të ekzekutuara gjatë periudhës 30.11.1944 deri më 1.10.1991 jepet vetëm për familjarët e përcaktuar sipas këtij ligji.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›