E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të përndjekurit në Kom. e Venecias për “Dosjet"

Kongresi i 17-të i Shoqatës Ndërkombëtare Antikomuniste miratoi rezoluten: Ndryshim tekstesh, mësuesish dhe jo filma komunistë. "Komunizmi në shkolla mësohet si teori, e jo si realitet. 

TIRANE-Ish-të përndjekurit dhe ish-të persekutuarit do të ankohen zyrtarisht pranë Këshillit të Europës dhe Komisionit të Venecias sa i takon kthimit të ligjit të "Lustracionit" nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Kjo u vendos dje në Kongresin e 17-të të Shoqatës Ndërkombëtare Antikomuniste, e cila zhvilloi dje punimet e ditës së parë në kryeqytet. "Ne do të përgatisim një opinion tonin zyrtar për ligjin e 'Lustracionit' dhe do ta dërgojmë pranë Këshillit të Europës dhe Komisionit të Venecias, që këto institucione ndërkombëtare të kuptojnë realisht qëndrimin e viktimave të komunizmit", - tha dje sekretarja e përgjithshme e Shoqatës së ish-të Persekuruarve Politikë Demokratë Lili Ndoci. Në kongres u miratua një rezolutë ku u pasqyrua qëndrimi i të gjitha vendeve pjesëmarrëse lidhur me regjimin komunist në vendet e Lindjes apo të kampit socialist. "Rishikimi i teksteve shkollore, dënimi real i krimeve të komunizmit si dhe ndryshimi i mendësive të partive politike sa i takon diktaturës komuniste, janë tri pika të rezolutës së djeshme, të propozuara nga pala shqiptare", - theksoi dje Ndoci. Sipas saj, sa i takon realitetit shqiptar ka nevojë shumë ndryshime, madje deri edhe të mësuesit, "pasi ata janë edukuar me frymën e komunizmit dhe nuk mundet që të edukojnë një brez të ri sa i takon faktit se sa i dëmshëm ka qenë regjimi për shoqërinë shqiptare". Ndoci shprehet se është shumë i rëndësishëm fakti i zbatimit real të ligjeve të miratuara nga qeveria dhe Parlamenti sa i takon kësaj shtrese. Ajo theksoi se në kongres u propozua dhe krijimi i një Instituti Europian për dënimin e krimeve të komunizmit, i cili do të zbulojë dhe të evidentojë realisht krimet e këtij regjimi. "Te ne, por dhe të vendet e tjera anëtare që morën pjesë në kongres, shqetësim mbeten dekorimet e njerëzve që kanë kryer krimet gjatë regjimit komunist", - tha Ndoci. Por, ajo ngriti si shqetësim edhe filmat e kohës së regjimit komunist, të cilët nuk janë edukues për brezin që po rritet, madje "glorifikojnë këtë kohë". "Në shkollat tona, për regjimit komunist flitet thjesht si teori, por nuk ka asnjë shembull konkret apo një ndërgjegjësim më të madh të këtij brezi, që duhet të jetë jo vetëm i ndarë krejtësisht nga e kaluara, por nuk duhet të edukohen me idetë e atij regjimi", - shtoi në fjalën e saj, sekretarja e përgjithshme e Shoqatës ish-të Persekutuarve Politikë Antikomunistë.
 Sipas Ndocit, në kongres nuk morën pjesë shumë deputetë, edhe pse autoritetet e larta të shtetit ishin të angazhuara me samitin e NATO-s, shumë deputetë edhe pse të ftuar, nuk morën pjesë. Neritan Ceka, Aldo Bumçi, Arian Madhi ishin disa nga pjesëmarrësit në këtë kongres, ndërkohë që mungonte ministri i Drejtësisë, Alibeaj, i cili së fundmi bëri propozimin, që u miratua në Parlament për zgjerimin e rrethit të përfituesve të dëmshpërblimit.
(s.g/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›