Të pestët e LSI: Ne do të ikim!Nga Lorenc Vangjeli“Jemi në një humnerë politike, shumë thellë jemi futur në humnerë”. Profesor Sabit Brokaj, ish-deputet, drejtues i LSI dhe kardiolog i njohur, nuk ka mëdyshje në identifikimin e asaj çfarë ka ndodhur
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Të pestët e LSI: Ne do të ikim!Nga Lorenc Vangjeli“Jemi në një humnerë politike, shumë thellë jemi futur në humnerë”. Profesor Sabit Brokaj, ish-deputet, drejtues i LSI dhe kardiolog i njohur, nuk ka mëdyshje në identifikimin e asaj çfarë ka ndodhur në politikën shqiptare të paszgjedhjeve dhe mbi të gjitha, në afrimin e papritur të partisë së tij me PD e Berishës. Në murin e klinikës së tij është vendosur një foto e vjetër bardhezi, një foto e disa dekadave më parë, kur Brokaj, atëherë fare i ri, ka dalë brenda nëndetëses së famshme shqiptare me numër 105, në të cilën shërbente si mjek. “Kur je thellë, e di se, nëse bën veprimin e duhur, do të dalësh sërish në sipërfaqe; mjafton besimi dhe forca”, - thotë Brokaj. Me një kujtesë të admirueshme, flet për të shkuarën dhe të sotmen dhe mbi të gjitha, gjykon për të ardhmen; ndryshe nga sa mund të pritet, profesor Brokaj është optimist. Ai është një nga pesë drejtuesit e lartë të LSI, së bashku me Xhufin, Legisin, Klosin e Muçin, që dolën hapur kundër çdo marrëveshjeje bashkëpunimi me PD dhe e konsideruan rrezik për vetë LSI dhe vendin afrimin e partisë së Metës në qeverinë e re. “Me sa duket, degradimi i çdo lloj principi politik është shtrirë aq thellë, jo vetëm në strukturat politiko-shoqërore apo në media kliente e mercenare, por patologjia ka hyrë shumë thellë në shoqërinë shqiptare”, - thotë i dëshpëruar profesor Brokaj.
Po me humnerën e lidh metaforën e tij për atë çfarë ka ndodhur edhe Ndre Legisi, ish-deputet i LSI. “I thashë Ilir Metës, unë në humnerë nuk të shtyj, por nuk vij në humnerë me ty”!
Legisi rikujton miqësinë e tij të gjatë 18-vjeçare me Metën dhe thotë se për hir të saj dhe të skrupujve moralë, do të vazhdojë të heshtë dhe më tej, por natyrisht që do të dëshmojë se çfarë mendon me veprimet e tij. “Kur u krijua LSI, isha një nga ata veprimtarë që mendoja që emri ynë të kishte patjetër fjalën “socialiste” që në sigël. Kështu lindi Lëvizja Socialiste për Integrim. Sot, pas asaj çfarë ndodhi, unë jam socialist. Do të thotë se do të votoj Partinë Socialiste”.
Mustafa Muçi është edhe më i prerë. Ndoshta pakkush e kishte menduar se një nga njerëzit më të afërt më Metës, do të ngrihej kundër vendimit të tij politik; do të ishte qortues dhe kundërshtues. Edhe Muçi, ish-ministër, shpall ndarjen nga LSI, pa dyshim, por me dhembje. Kritika e tij është e ashpër: “LSI, pa asnjë shkak të mirëqenë, po përdoret për të kompromentuar rëndë interesat e vendit dhe të ardhmen e tij, por edhe perspektivën e saj politike. Duke u bërë pjesë e koalicionit të shpëtimit të Berishës dhe qeverisë së tij të Gërdecit, duke e shkëputur, sikurse duket, pakthyeshmërisht, nga spektri i majtë i politikes shqiptare dhe interesat e votuesve të saj”, - thotë ai.
Të enjten, menjëherë pas shpalljes së marrëveshjes për ndarjen e posteve qeveritare me PD, nënkryetari i LSI, Pëllumb Xhufi, gjithashtu shpall divorcin e tij përfundimtar me këtë parti. Një divorc i pakthyeshëm. Po kështu dhe ish-shefi i shërbimeve sekrete, Fatos Klosi.
Revista “Mapo” ka intervistuar Brokajn dhe Muçin duke u drejtuar atyre pothuaj të njëjtat pyetje dhe duke marrë në thelb të njëjtën përgjigje: LSI gaboi! Por në të njëjtën kohë, duke mos kursyer as kritikat për PS dhe mënyrën e saj të të bërit opozitë
Sabit Brokaj:
Tashmë ka një rezultat të dalë për zgjedhjet e 28 qershorit, e prisnit këtë rezultat, jeni i zhgënjyer dhe a mendoni se i përgjigjet ai vullnetit të votuesit shqiptar?
Natyrisht nuk e prisja! Pas një qeverisjeje që u karakterizua nga dështimi i gjithanshëm dhe me një curriculum të mbushur me skandale, korrupsion politik e ekonomik, pas një qeverisjeje që pa portretin e korrupsionit kriminal të Gërdecit, nuk mund të prisja këtë rezultat. Do të mjaftonte qoftë dhe vetëm dështimi i luftës së premtuar kundër korrupsionit që qeverisja e Berishës të ndëshkohej me votë; le të kujtojmë se me këtë premtim të pambajtur ai erdhi në pushtet në vitin 2005. Për të mos shtuar këtu edhe një tjetër problem, po kaq serioz e dramatik sa të parët, cenimin e tërësisë territoriale të vendit, kur me një vendim qeverie, Shqipërisë iu ngushtua hapësira e saj detare. Në çdo shoqëri tjetër një veprim i tillë do të quhej me të vetmin emër që meriton: tradhti kombëtare. Pavarësisht të gjitha këtyre fakteve, Shqipëria duket se do të qeveriset sërish nga i njëjti autor i këtyre veprimeve. Me sa duket, degradimi i çdo lloj principi politik e moral është shtrirë kaq thellë, tashmë jo vetëm në strukturat politiko-shtetërore apo në media kliente ose mercenare të tyre, por patologjia ka hyrë shumë thellë në shoqërinë shqiptare. Me sa duket, zhgënjimi i thellë dhe i vazhdueshëm nga politikat dhe qeverisjet e këtyre viteve në Shqipëri, e ka topitur ndërgjegjen qytetare e demokratike, madje dhe atë patriotike te shqiptarët. Dhe kjo gjë më trishton.
Ajo që prisja dhe e dija se do të ndodhte ishin shkeljet e standardeve në zgjedhje dhe dhunimi i tyre, i cili ndodhi në të vërtetë. Nuk ke si të mos e mendosh këtë, kur përvoja e zgjedhjeve që prej vitit 1991 e në vijim, ka patur një tregues konstant që e ka karakterizuar atë dhe kjo është sjellja e Berishës ndaj zgjedhjeve.
Ai është besnik i konceptit leninist, “pushteti të merret me çdo mjet dhe çdo mënyrë”, pasi në pushtet gjithçka kalon, kundërshtarët nënshtrohen, të huajt konformohen, ata duan apo nuk duan, do të të njohin për partner.
Iluzionet e PS para zgjedhjeve se me bashkëpunimin parlamentar dhe jashtëparlamentar me PD për Kodin Zgjedhor dhe për ndryshimet antidemokratike për Kushtetutën, me shpresën se zgjedhjet do të mund të ishin deri dhe korrekte, ishin investimi më skandaloz dhe më i dëmshëm për demokracinë shqiptare.
E majta dhe e djathta kanë një diferencë mjaft të ngushtë, por ashtu si në 2005, pushteti, pavarësisht numrit të votave, shkon sërish djathtas. Cilat janë shkaqet, sipas jush, që ndodhi një gjë e tillë?
Me gjithë dhunimin e pritshëm të procesit zgjedhor, përsëri nuk mendoja që PD të merrte kaq vota sa mori. Mjerisht, për ashtu siç erdhën rrethanat, përsëri përfaqësues të së majtës i dhanë pushtetin Berishës. Në 2005, Nano, meqenëse nga partia e tij ishte refuzuar për t’u bërë president, i dha pushtetin Berishës që ta merrte prej tij këtë post, edhe pse vetë Partia Socialiste (pa LSI) kishte 130 mijë vota më shumë se PD. Edhe tani përsëri PS dhe e majta kanë rreth 200 mijë vota më shumë se PD, por vendimi politik i Metës e risolli Berishën në pushtet si për të sfiduar popullin e majtë dhe duke vështirësuar ose penguar procesin normal të demokratizimit të shoqërisë shqiptare. Për mendimin tim, shkaqet që na sollën në këtë gjendje, duhen kërkuar edhe përpara veprimit final të Metës, duhen kërkuar te drejtimi i PS, e para së gjithash te Rama, duke mos përjashtuar këtu njëkohësisht edhe drejtuesit e tjerë të kësaj partie. Ata, në momentin që duhet të kundërshtonin Ramën në veprimet e tij, thjesht iu nënshtruan dhe më pas, duke parë efektin negativ të veprimeve të tij, fërkuan duart se kështu do ta hiqnin qafe. Paçka se po linin partinë e tyre në opozitë.
Tani belbëzojnë ca kundërshtime, jo aq sa për të kundërshtuar situatën, se sa për të pështjelluar akoma më tej partinë e tyre të traumatizuar, ndërkohë që janë dhe vetë pjesë e përgjegjësisë. Ata nuk e penguan Ramën, kur ishte i pushtuar nga deliri se do fitonte gjithçka i vetëm, kur në fakt po dëmtohej rëndë demokracia në Partinë Socialiste. I shtruan qilimin kryeministrit-mbret, kur të gjithë njerëzit e arsyeshëm kuptonin se kryeministër, në një të majtë të përçarë, do ishte Berisha.
Përqendrimi i luftës së PS ndaj LSI edhe ne zgjedhjet e fundit, kur dihej përvoja negative e vitit 2005, ishte më shumë se një gabim trashanik. Dhe së fundi, në luftën politike dhe në demokraci ka një ligjësi analoge me luftën për pushtet me ushtri. Fiton forca më e organizuar dhe më e përgatitur teknikisht, qoftë dhe me mjete jodemokratike.
PD mund të krahasohej me një repart ushtarak, por PS funksiononte si një masë amorfe e dominuar vetëm nga kryetari, strukturat funksiononin dobët me individë të pamotivuar, të cilët energjitë kryesore i konsumonin në luftën kundër LSI.
Surpriza e vërtetë ishte pas zgjedhjeve, LSI i bashkohet në mënyrë të rrufeshme shumicës së djathtë. E prisnit një veprim të tillë apo ky ishte një aksion politik që, siç dëshmojnë figura të tjera në partinë tuaj, kishte kohë që ishte programuar?
Pavarësisht se mund të ketë patur apo jo lidhje apo strategji të tilla, unë nuk besoja që LSI të bashkohej me PD e kryesuar me Berishën.
Së pari, pasi, sipas mendimit tim, Berisha nuk është thjesht një problem, por sjellja e tij në procesin demokratik të Shqipërisë, në dhunimin dhe pengimin e saj, përbën një princip që asnjë politikan normal nuk do ta pranonte.
Kushdo që është bashkuar me të, mund të ketë fituar diçka në plan personal, por është asgjësuar si forcë politike. Sjellja e Berishës me kundërshtarët dhe aleatët është tipike makiaveliste në demokraci: me kundërshtarin ka karakter shkatërrues dhe lufton ndaj aleatit që indirekt ta dobësojë sa më shumë për ta përdorur më pas sipas dëshirave të tij. Pra, kërkon t´i dobësojë atij forcën dhe mbështetjen që normalisht do të përbënin presion e problem për të. Shikoni aleatët e Berishës, ku kanë qenë dikur me partitë e tyre, ndërsa tani shkojnë kokulur tek ai për t’u bërë deputetë ose për një copë të turpshme torte pushteti.
Së dyti, karakteri i rreptë dhe demaskues i Metës ndaj Berishës dhe qëndrimi armiqësor i këtij të fundit ndaj LSI, ku bëri çdo gjë që deshi Partia Socialiste, me Kod dhe me ligj për të shkatërruar LSI. Ky fakt më bënte të mendoja se e bënte më pak të mundur kthesën politike 180 gradë në favor të Berishës. E mbi të gjitha, nuk arrija të mendoja kurrë që do të realizohej një lëvizje e tillë që dëmton LSI, elektoratin e saj, e veçanërisht, dëmton edhe autorët e saj në perspektivën e tyre.
Jeni një ndër pesë drejtuesit e lartë të LSI që e kundërshtoni një marrëveshje me Berishën. Çfarë ju bën të jeni skeptik në këtë marrëdhënie të re, të panjohur më parë në këtë përmasë në politikën shqiptare?
Më bën skeptik panatyrshmëria e saj në të gjitha aspektet. Besoj se shpejt drejtuesit përkatës të LSI do ndërgjegjësohen për dëmin që iu kanë bërë zhvillimeve në vend, elektoratit të majtë të LSI, por gjithashtu e në mënyrë të veçantë, edhe vetvetes.
Cilat mendoni se do të jenë hapat tuaja të mëtejshme, hapur, do të vazhdoni ju dhe kolegët tuaj të qëndroni në LSI apo do të ndaheni prej saj?
Lëvizja politike që u bë është e papajtueshme për mua, në kuptimin më të plotë dhe të thellë të saj. Është kundër moralit tim politik e njerëzor. Vetëkuptohet pozicioni im, ai është totalisht jashtë dhe përtej saj.
E mendoni të gjatë koalicionin e LSI me PD?
Nuk mendoj se ky koalicion do të vazhdojë gjatë për arsyet që po jap. Megjithatë, shumëçka do të varet nga principet, karakteri, forca dhe sjellja opozitare e PS. Në qoftë se ajo do mbajë fort iniciativën politike, do të kompaktësohet dhe do të luftojë me objektiv të qartë, nuk e ka të pamundur të realizojë zgjedhje të parakohshme.
Sjellja e saj politike, veçanërisht tani, ka shumë rëndësi, pasi, me sa duket, shoqëria shqiptare mësohet lehtë të bashkekzistojë me të keqen, qoftë dhe kur është në nivelin e baltës.
Mustafa Muçi:
Surpriza e vërtetë ishte pas zgjedhjeve, LSI i bashkohet në mënyrë të rrufeshme shumicës së djathtë. E prisnit një veprim të tillë apo ky ishte një aksion politik që, siç dëshmojnë edhe figura të tjera në partinë tuaj, kishte kohë që ishte programuar?
Për të qenë tërësisht i ndershëm me lexuesit, nuk mund të pohoj se për mua bashkimi LSI-PD ishte tërësisht një surprizë, ashtu sikurse, në asnjë rast, nuk mund të pranoj se ky veprim, apo siç e përcaktoni ju në pyetjen tuaj, aksion politik, ka qenë i programuar, në kuptimin e mirëfilltë politik të këtij termi. Unë dhe shumë kolegë të tjerë, anëtarë të forumeve drejtuese të LSI, për një kohë të gjatë jemi bërë dëshmitarë të tensionimit të marrëdhënieve të lidershipit të LSI dhe PS, por dhe më gjerë, brenda koalicionit të majtë, (megjithëse asnjëherë nuk kuptuam tërësisht pse), të cilat hera-herës kulmonin deri në përbetimet nën zë për ta vendosur LSI në funksion të “penalizimit” të PS dhe drejtuesve të saj me një “raund” tjetër në opozitë. Sigurisht, ne kuptonim shumë mirë se LSI ishte shumë e vogël për të realizuar të tilla sipërmarrje dhe, andaj, për ne ishte e qartë se, ky fjalor në vetvete nënkuptonte aleancë politike me qeverinë e z. Berisha. Në pamje të parë të krijohet përshtypja nga rrjedhja e mëtejshme e ngjarjeve se, unë apo të tjerë kolegë kemi qenë naivë që nuk kemi arritur të kuptojmë se, këto paralajmërime paskan qenë serioze, se ky paska qenë “skenar i parapërgatitur për t’i shërbyer Berishës” etj., etj., siç aludohet rëndom këto ditë prej gjithkujt, por, në fakt, ne ishim qartësisht të bindur se artikulime të tilla kundrejt PS ishin reaksion momental, logjik ndaj situatës politike që kalonte vendi dhe rolit të PS në këto zhvillime dhe, se ato ishin “serioze”, po aq sa ç’ishin edhe deklarimet për 43 deputetët që kjo forcë do të fitonte në zgjedhjet e 28 qershorit apo deklarimet se do të ishim forcë e parë politike në të paktën 5 qarqe etj., etj., etj. Në analizën tonë vetëm një gjë ishte e sigurt se, pavarësisht lojërave politike apo deklaratave për konsum elektoral, LSI do të mbetej përgjithnjë kundërshtare politike e PD dhe Sali Berishës dhe se rezultati i pas 28 qershorit do të shërbente si mjet për të ridimensionuar të majtën (veçanërisht marrëdhëniet LSI-PS) mbi bazën e forcës së tyre reale politike, me qëllimin final, kthimin e së majtës në pushtet. Këtu vërtet gabuam! Kjo ishte surpriza e vërtetë dhe që erdhi kryesisht prej faktit se ne, thirrjen e spotit elektoral “Vota për LSI është votë kundër Sali Berishës!”, në ndryshim nga deklarimet e tjera, disa prej të cilave i citova më sipër, e vlerësuam si serioze!
Jeni një ndër pesë drejtuesit e lartë të LSI që e kundërshtoni një marrëveshje me Berishën. Çfarë ju bën të jeni skeptik në këtë marrëdhënie të re, të panjohur më parë në këtë përmasë në politikën shqiptare?
Është e vërtetë që jam pjesë e një grupi drejtuesish të LSI, të cilët e kanë kundërshtuar këtë marrëveshje, besoj si edhe shumë anëtarë të tjerë të LSI, por i nxitur jo vetëm nga skepticizmi lidhur me këtë marrëdhënie të re apo këtë koalicion të çuditshëm dhe produktin e tij. Jo, aspak! Unë jam i qartë për produktin e pritshëm të këtij bashkëpunimi, e madje edhe vetë ata që e menduan dhe e materializuan këtë marrëveshje, e dinë shumë mirë se çfarë mund të prodhojë një qeveri e kryesuar nga Berisha - vetëm se bëjnë sikur ia kanë harruar bëmat - sepse gjithë jetën e tyre politike kanë folur përditë për autorin e krimit elektoral të ’96-ës e autorin e krimeve të ’97-ës, për qeverinë e Gërdecit e qeverisjen e korruptuar të këtyre viteve etj. Fakti që këtë herë 3 poste, për herë të parë në qeverinë e tij, i ka një forcë e spektrit të majtë politik, nuk ndryshon asgjë! Çka na çoi, më së shumti, drejt qëndrimeve të deklaruara së fundi, është pasojë e një reflektimi të thellë, që ka në themel shqetësimin se forca jone politike, pa asnjë shkak të mirëqenë, po përdoret për të kompromentuar rëndë interesat e vendit dhe të ardhmen e tij, por edhe perspektivën e saj politike, duke e bërë pjesë të koalicionit të shpëtimit të Berishës dhe qeverisë së tij të Gërdecit, duke e shkëputur, sikurse duket, pakthyeshmërisht, nga spektri i majtë i politikës shqiptare dhe interesat e votuesve të saj!
Cilat mendoni se do të jenë hapat tuaja të mëtejshme, hapur, do të vazhdoni ju dhe kolegët tuaj të qëndroni në LSI apo do të ndaheni prej saj?
Përgjigjja është e drejtpërdrejtë dhe pa asnjë ekuivok: ne tashmë nuk jemi më pjesë e LSI.
E mendoni të gjatë koalicionin e LSI me PD?
Pyetja imponon përgjigje hipotetike, gjë të cilën do të dëshiroja ta shmangia, sepse nuk do të më pëlqente të rriskoja në parashikim. Ajo çka mund të them me siguri, është se një koalicion i tillë do t’i bënte shërbimin më të madh vendit, nëse do t´i kishte ditët e numëruara. Në bindjen time, çdo qeveri e “sajuar” vetëm për të shpëtuar një palë në dëm të një pale tjetër, nuk mund t’iu shërbejë interesave të këtij vendi.