E Diel, 1 Nëntor 2026

Pse novelat e botuara të Martin Camajt nuk janë marrë në shqyrtimNga Dr. Yrjet BerishaVijon nga numri i kaluar Tematika e romanit ”Karpa” përfshin materialin tekstor që ndahet në dy kuadro e dy pjesë, brenda të cilave shfaqen edhe disa proza me ti

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Pse novelat e botuara të Martin Camajt nuk janë marrë në shqyrtimNga Dr. Yrjet Berisha

Vijon nga numri i kaluar

Tematika e romanit ”Karpa” përfshin materialin tekstor që ndahet në dy kuadro e dy pjesë, brenda të cilave shfaqen edhe disa proza me tituj të ndryshëm. Romani në fjalë hyn në radhën e tipit të hapësirës kohore; këtë formë të ndërtimit të prozës studiuesi M. Bahtin e ka cilësuar si roman i kronotropit të “qytezës së provincës” , që është i ndërlidhshëm me llojin e romanit të “pragut”. Pikërisht poetika e këtij romani është e gatuar me tekst letrar që arrin hov a nismë për ndryshimin e imazhit të artit të letrave tona. Teksti i kësaj vepre ka vëllim të shtrirë në fantastikë e gjeografi; pozitë kjo jobindëse (por që mbetet në suaza fiktive), që paksa e zbeh fabulën e perspektivës, njësi e veçantë në situata të ndryshme. Bëhet modelimi i tragjedive që u ngjajnë atyre antike greke a shekspiriane. Ky tekst del si strukturim e me digresion rrëfyes të rikonstruktuar në formë postmoderne. Një pjesë e romanit mbështetet në tekstet e kronikës, shënime rasti, ngjarje të ndryshme. Romani lidh indet e segmentet e luhatshme, që fillojnë sipas lidhjeve personale, familjare, shoqërore, profesionale, doknore dhe kështu krijohet ngrehina e madhe e romanit “Karpa”, që është roman i hapësirës, si tip i ri i romanit, që teorikët frëngë e kanë pagëzuar si roman i rrjedhshëm (roman fleuve). Romani sfidon historinë karpase duke ia hequr maskën asaj bote me shtresa të fshehta të strukturës që nisin nga një fabulë me model e strukturë unazore dhe kështu sendërton të rrëfyerit e romanit të logjikshëm. Shkrimi i tillë paraqet këmbëngultësinë e autorit. Paraqet emocione që marrin funksione ekspresive dhe kështu njohuritë e tij marrin ton gnosologjik, ku romani bëhet tërheqës për lexuesit. Në këtë tekst letrar janë të dukshme shenjat e zvetënimit, sociale, etike, morale, etj., që spikaten me alegori e rrëfim komentues. Arti sjell mendime të stërholluara, ku jepet ndriçimi i ndjenjave, por në disa raste fshihen ose i nënshtrohen një rrëfimi sqarues etj. Dy novelat e shkurtra “Shkundullima” e “Katundi me gjuhë të fshehtë” janë një cikël i veçantë i prozës së M. Camajt. Brenda këtyre faqeve jo të vëllimshme shfaqet tematika e strehuar në një pellg të harruar etnikumi me dallesa edhe më të veçanta. Ashtu si e kanë vlerësuar teorikët prozën artistike, veçmas te novela (“termi rrjedh nga italishtja dhe nga Rilindja e saj, kurse “Dekameroni” i Xh. Bokaçios është shembull i novelistikës që më vonë me kënaqësi është imituar qysh në shek. XIX, ku edhe u interpretua shpesh si teoria e novelës.”) është formë e shkurtër dhe e mbyllur e prozës që për arsye të shkurtësisë ka eksistencë më të qëndrueshme se romani. Këto dy novela, shikuar nga prizmi i tematikës, para lexuesit tonë sjellin një hapësirë e një kohë të panjohur, ashtu siç është në të vërtetë opusi dhe bota arbëreshe. Karakteret e këtij sfondi artistik janë dhënë me ngjyra të veçanta të një lokaliteti, në damarët e tyre ruhen indet e qelizave të një gjaku të lashtë; gjak princor skënderbejan e ilirjan. E veçanta e këtyre novelave është ndërtuar në formën e petkut të një pikture me kompozicion abstrakt. Llojllojshmëria e elementeve artistike të këtyre dy novelave është me reflektim nuancash të shtrira në tërë tekstin letrar, arti i ligjërimit derdhet me zhdërvjelltësi nëpër forma e shtresa narrative të këtyre novelave të shkruara me gjuhë të mprehtë, me gjuhën e fshehtë, forma këto stilistike që zbulojnë mençurinë e filozofinë e atij etnikumi karakteristik. Rrëfimi i këtyre teksteve letrare nis nga shpalosja e gjërave të rëndomta që i ka në dispozicion jeta. Dhe dalin me vija të shkathta si të piktorit, diskursi s’harron të bëjë bindshëm portretet e personazheve, pa e lënë anash peizazhin e ambjentin ku zhvillohet fabula e tyre. Etnikumi specifik i këtyre novelave jeton thjesht, në katunde e lokalitete ku rrallë kush shkel.

Ngrehina kompozicionale e këtyre novelave i nënshtrohet narracionit komentues, rrëfyes, por kjo shtresë strukturore bëhet në veta të ndryshme rrëfimi që më mirë sheshohen sjelljet, mendimet, ndjenjat, ëndrrat, dëshirat, vuajtjet, paragjykimet, por edhe sqarohen gjëra të njohura e të panjohura të atyre njerëzve dhe të botës që i rrethonte.

Arti i ligjërimit

Arti i ligjërimit në novela bëhet në formën e retrospektivës. Kur rrëfimi i novelës bëhet në mënyrën e perspektivës, atëherë narracioni futet fshehtësive të jetës së personazheve dhe hapësirës që ata i rrethon. Forma e tillë narrative i lejon autorit të gjurmojë nëpër doke arbëreshe që ruhen me xhelozi. Brenda kësaj bote arkaike shfaqen edhe botëkuptimet e reja që duket se nuk e kanë të lehtë rrugëtimin nëpër shteg të izoluar, ku për të qenë absurdi më i madh, banorët e asaj treve u tremben fjalëve të veta, andaj heshtin mos t’ia bëjnë varrin vetes!

Novelat “Shkundullima” dhe “Katundi...” kanë tematikë të gërshetuar me motive rurale e urbane si edhe një prani të konsiderueshme të tekstit letrar, tipike konservatore; raportet e ftohta njerëzore (dukuri tipike urbane europjane), dhe në anën tjetër rri kultura dhe etnografia etnike arbëreshe, autoktone, që pasqyrojnë botëkuptimet e mentalitetin e tyre. Arti i konsumuar në këto novela shfaqet i fshehtë. Por, një arsye tjetër edhe më e dhimbshme është se arbëreshët ndihen të lënë pas dore. Ata janë të përbuzur nga të afërmit në vend e në mërgatë. Por, pak më keq i kanë punët me pushtetin i cili qëllimisht dhe në mënyrë të heshtur ua kishte hapur “dyert” për të shkuar në mërgatë. Motive arbëreshe gjejmë edhe në romanin “Karpa”, në dramë por edhe në disa vjersha të Martin Camajt. Mirëpo, novelat e ciklit arbëresh janë të shkurtëra si tekst a si shtof letrar, por më të kondenzuara në formën e artit letrar e estetik. Struktura e këtyre teksteve e kthen lexuesin në një botë të panjohur arbëreshe, në një labirint të panjohur malësor. Narracioni i këtyre veprave i mundëson autorit që me lehtësi t’u kthehet mënyrave të ndryshme të rrëfimit të ndërtimit të shtresave të kësaj proze. Fabula e tyre depërton në mbretërinë e jetës oborrtare që del përmes rrëfimit retrospektiv, por edhe të paraqitur me monolog e dialog të kursyer.

Elementet e tilla artistike zbulojnë çaste madhështie a të dobësisë njerëzore. Katundi i ruan dhe i nxjerr në shesh vlerat, fshehtësitë e viseve që i përkasin një ambienti e një bote të proviencës patriakale, arkaike, me përmasa nacionale, por edhe shfaqet modeli i jetës bashkëkohore. Shpërnguljet e mëdha janë plagë të pashërueshme tëjhuajësimi. Harresa e rastit a e qëllimshme është prekëse. Vrasin paragjykimet. Frika tmerron. Pleqëria prek në shpirt. Varfëria është përditshmëri që i duhet dikujt për t’i realizuar eksperimentet e liga me banorët e pafajshëm!

Titujt dhe teksti letrar i novelave ka simbolikën e vet. Kjo formë stukturimi orienton lexuesit në një ambjent që paraqet atmosferë lemerie, jetë modeste, halle personale e shoqërore, marrëdhenie të qarta, krenari të trashëguar, burrëri etj., ku jetojnë banorët e varfër e të harruar, por që në asnjë moment s’ia shtrijnë dorën askujt, as nuk i përkulen. Ata kanë orbitën e vet në të cilën mund të jetojnë. Vuajnë dhe s’ankohen. Nuk u dëgjohet zëri. Kanë botë e jetën e vet modeste. Janë të kënaqur me atë jetë të thjeshtë që e gëzojnë. Pikërisht ky ambient ka ndikuar që ata të ruajnë etnikumin e vet nga të huajt. Shkundullimën, si fenomen natyror, në këtë tematikë e gjejmë të pranishme në fund të tekstit të novelës, me të njëjtin titull. Kur plas ajo, opinioni arbëresh e pranon me një habi të tepruar. Tërmeti (shkundullima) sipas disave u erdhi si pasojë e mëkateve të mëdha që kishin bërë, por edhe si ndëshkim, si nëmë, si pasojë e gabimeve, si përbuzje, si kërcënim që të jenë të kujdesshëm, etj. Pas shfaqjes së katastrofës natyrore, befasisht ndryshon mentaliteti i dikurshëm i arbëreshëve të mbyllur e të heshtur. Atij visi i kthehet gjallëria. Banorët e zymtë dalin nga gjendja e amullisë. Pas fatkeqësisë s’bëjnë jetë të mbyllur, kanë energji të paparë në shpirt, rindërtojnë katundin, janë më të dashur mes vete. Flakin mërinë. I lënë inatet e dikurshme. Fillojnë të flasin e t’ia qajnë hallet njëri-tjetrit, si kurrë më parë. Gjendja e vështirë i kthen arbëreshët të bëhen qytetarë të rëndomtë.

“Katundi me gjuhë të fshehtë”

Ndërkaq novela më karakterisike e ciklit arbëresh “Katundi me gjuhë të fshehtë” është ndërtuar nga një sërë dromcash të shumta me sekuenca tekstore që kanë elemente të theksuara psikologjike e filozofike. Narratori në këtë prozë suksesshëm përpiqet të zbulojë rrënjët, gjenet, gjuhën, kulturën, traditën e valleve, përrallat, legjendat, mitet, historinë e një katundi, që për çudi jeton i izoluar. Ai ka konfigurcion gjeografik të ndryshëm nga të tjerët. Pikërisht për këtë arsye edhe u nënshtrohet eksperimenteve a ekspeditave shkencore, bestytnive, paragjykimeve tendencioze, ku sillen në atë rreth banorët e tij.

Novela ka motive me probleme sociale, prania e “miqve” të katundit, fshetësia gjuhësore e komunikimit, problemi i largimit të njerëzve, humbja e këngëve e valleve popullore, toponimet autoktone e çështje të tjera të rëndësishme për këtë etni. Thënë qartë, autori në këtë novelë pasqyron të qenmen e një qytetërimi të hershëm arbëresh që është buzë greminës, shkatërrimit e shurjes së përhershme.

Tematikë karakteristike i kësaj novele është se banorët e atij visi gëzohen pa masë kur aty vjen një njeri “i huaj” me veshje e pamje, të panjohur që iu flet me gjuhën e tyre. Ky motiv trajton temën e etnikumit të harruar, të brejtur, të shkallmuar nga sindromi i shpërnguljeve të mëdha, nga katundi i tyre në Amerikë, Argjentinë, Europë etj. Ky fenomen tragjik shpie kah zhdukja e traditës autoktone arbëreshe. Andaj, ata ndjehen të lodhur, të sfilitur nga largimi jashtë katundit. Arbërshët kanë mbi shpinë presionin e vazhdueshëm të monotonisë, lodhjes, pasigurisë, pleqërisë, vdekjes. Andaj mu për këtë arsye, ata janë të prirur të fshehin edhe “frymën” e tyre, përkatësinë gati të sosur. Fshehin gjuhën. Jetojnë me punën e tyre që bëjnë në fushë, vreshta. I tremben shuarjes e vdekjes së ngadalshme. Kështu që të gjitha këto “fshehtësi” s’kishte se si të mos quhen ndryshe veçse mbijetesë. Ata janë disi të mbyllur dhe jo gjithkush i kupton e i çmon. Kur e botoi romanin “Djella”, autori provoi të ndërrojë formën e shkrimit, pa iu larguar kohës e hapësirës sonë, të njohur e të panjohur. Fabula e këtij teksti letrar zhvillohet në Ndërsanë (vend fusharak) brenda një rrethi të mbyllur që autori e vë në pah dukuritë e paradokset e ndryshme të një shoqërie që s’pajtohen me realitetin e hidhur, ku autori në mënyrë alegorike e thumbon klikën moniste.

Romani ndërtohet nga një varg dilemash emocionale, abstrakte, shpërthim e ndrydhje ndjenash, fshehje dëshirash, heshtje e arsyeshme, frikë, presion i vazhdueshëm, ndjekje, keqtrajtim, përbuzje, amulli, ikje nga realiteti, hutim, etj. Problem në vete është fatumi i njeriut të thjeshtë i mbetur pa krahë dhe në mëshirën e askujt. Narracioni i romanit evoluon nga rrëfimi i frikshëm nga vlimi i ndjenave të shkallmuara, të nëpërkëmbura, të sfilitura, të pordhosura, të rraskapitura që bën mendja penduese e herë-herë racionale e një heroi, në veten e parë njëjës, me shtresa të mendueshme monologu e dialog të dialogizuar, por edhe ka rrëfim retrospektiv. Motive me inters që vërshojnë në roman janë: intrigat e dashurisë, problemi i cubave, aktet kriminale të dyshimta, urrejtja klasore, krahinore ose kundërthëniet mes vendëseve e ardhësve të dyndur në fushë a Ndërsanë, që shkonin në llogari të pushtetmbajtësve për t’i përçarë e futur në kthetrat e veta. Parë në kontekstin teorik e estetik, arti i shkrimit të romanit është provokues. Uniteti i narracionit në këtë roman u nënshtrohet ligjeve të ligjërimit specifik, që rëndom brenda kapitujve të këtij romani nisin me tekst a strukturë rrëfyese dhe në fund përmbyllen me vargje lirike.

Paradokset e ambientit dalin në formë dromcash kuptimplote pas të cilave fshihen dëshirat, qëllimet, ëndrrat, vuajtjet, gëzimet etj., të një bote kompleksive thurur në një hapësire karakteristike, siç ishte Ndërsana, aty ku ndodhin ngjarje befasuese e tragjike që lënë pa ment njerëzit e rëndomtë që nuk e kanë të qartë se pse bëhen të gjitha ato eksperimente, provokime e sprovokime të pakuptueshme, por pas të gjitha këtyre ekzistonte një regji e një strategji disi ashpër e kontrolluar.

Romani “Rathë”

Tematikë të ngjashme hasim edhe në romanin “Rrathë”, që ka shumë elemente arti; skalitjen e personazheve, fenomenet, paradokset, motivet, idetë. Rrëfimi zhvillohet ndryshe, por edhe ka ngjashmëri tematike me “Djellën”. Është e vërtetë se romani “Rrathë” i Martin Camajt s’është aq i interpretuar në shkencën e letërsisë sonë. Thënë troç, romani ka shtigje të reja e tradicionale të nivelit të kompozicionit. Bota e brendshme e këtij romani ka tension tendosës, ngjallje energjish, botëkuptime të ndyshme të një kohe të pakohë, kur nis zhvillimi i proceseve të një shoqërie që ecën nëpër qelq e absurde të pakuptimta, kur edhe një fjalë e pamatur kushton shtrenjtë. Romani trajton problemet e një periudhe të rëndë e të paqartë. Çështjet e tilla duket se janë strukturë e një pellgu me paperspektivë arti, por ato s’duhen nënçmuar. Përkundrazi. Pikërisht në këtë moçal me sekuenca narrative zbardhin të metat çmendurake të një shoqërie shfernuese që donte të shtypte çdo zë kundërshtues. Në këtë “mal” me njerëz të persekutuar, ndjekjet institucionalizohen, hapen plagët e pashërueshme që çojnë drejt shkatërrimit të menjëhershëm. Tendosja si moment psikologjik del e fshehtë si fenomen mashtrues, banorëve t’iu shitet tru gomerësh. Ka atmosferë tragjike që është pasqyrë e një lebetie e një katastrofe mesjetare. Në këtë gjendje të rënduar s’mbetet kush pa u përfshirë në statistikën e dhunës. Makineria e sistemit në krizë orë e çast shpik armiq, për të mbetur gjallë. Veprimet e tilla synim të vetëm kishin të shuajnë fshehtas zërat kundërshtues.

Kështu, në këtë roman vrasësit vishen me rroba pushteti. Në ekspeditën ndëshkuese disa njësite të fshehta bëjnë “pastrimin” e malit nga Ilegali. Kryejnë krime çnjerëzore dhe shfarosin fizikisht e psikikisht kundërshtarët e sistemit. Ky kalvar i inskenuar tipik ikuzicional s’harron as s’fal dikë as banorët e asaj ane që mendojnë ndryshe. Kishte asish që në mal t’i shfarosë ujqit që bëjnë kërdi në bagëtitë e tyre, mirëpo ndëshkohen me dënim kapital: vrasje në pusi! Megjithëse ky motiv në roman del në kontekst të figurshëm e të fshehtë!

Romani “Rrathë” ka një fabulë që pasqyron disa motive sociologjike, psikologjike, etnike, fantastike, antropologjike etj. Parë në prizmin e këtyre konturave motivore, arti i romanit merr prirjet e të shprehurit modern që, falë vërshimit të sekuencave mitike e legjendave të futura brenda këtij aliteracioni merr pamjen dhe formën e ngrehinës romansore që është fryt i momenteve paradoksale. Vepra ka tematik absurde të përzier me art realfantastikë.

Kontura hapësinore e romanit “Rrathë” është e vendosur kryesisht në Ripë (a Tri Ripa) dhe rrethinën e saj të pas Luftës së Dytë Botërore që autori i përqendruar në këtë hapësirë, eksperimenton me elementet e mundshme të artit dhe problemet e kohës e plotësojnë lajmotivin artistik; estetët këtë material e quajnë roman. Dhe së dyti, këtë çështje biologët e quajnë jetë a ekzistencë. Vërshimi i këtyre nocioneve, biologjike, psikologjike, fizike e shpirtërore, mbetet i shënuar dhe i shkapërderdhur nëpër shumë kategori fiziologjike, estetike, filozofike etj., që mbi të gjitha s’mbetet i pa veçuar e i sforcuar me segemente e kategori semantike të përhapur nëpër nyjat narrative të këtij romani me tematikë antidiktaturë. Në qënder të vëmendjes është kompleksi problemor i viseve të Ripës; nis loja e eksperimenteve që bën pushteti me malësorë. Në këtë vorbull ngjarjesh rrahen dhe trajtohen disa motive kryesore të romanit, doket, kundërshtimi i sistemit, dashuria e ndaluar, zbulimi i kundërshatarit (Cubi), keqtrajtimi i intelektualit Bac, instrumetalizimi i njeriut të thjeshtë si Agoni, etj. Kështu, brenda kësaj hapësire konfliktuoze zbardhen, probleme komplekse, duke pasur si parim metodën hulumtuese a dekoduese të labirinteve.

Trajtim të posaçëm në art zë tematika që u kushtohet çështjeve të letërsisë, kulturës, dokeve, arkitekturës, etonogafisë, folklorit, dramës, lojës etj, që këto çështje zgjidhën përmes elementeve letrare, personazheve, narracionit, shtresave estetike, përmes të cilave autori hedh dritë mbi gjendjen tronditëse, të jashtëzakonshme që “mbiu” në Ripë, me ndërhyrjen e sistemit totalitar që ekperimentonte njeriun! Romani “Rrathë” është stisur përmes sekuencave të vazhdueshme të personazheve. Këta fatkëqinj i nënshtrohen trajtimit tipik orvelian. Ata në mënyra të vazhdueshme kontrollohen, përgjohen, ndiqen, persekutohen, provokohen, instrumentalizohen. Romani në veçanti shquhet me tematikën e jashtëzakonshme. Vepra është shkruar sipas rregullave klasike të shkrimit letar. Fabula ka strukturën e një romani, narracioni i tij është i gërshetuar me tematikë të ndryshme e të pëlqyshme. Arti e tema e këtij romani është me bazë, brumë, me poetikë të veçantë, me shumë intriga, ngjarje, motive, ide, personazhe e disa përmasa modeluese të trasuara qysh nga poetika e romanit të parë “Djella”. Elementet artistike kanë harmoni të dukshme e funksionale. Poetika e romanit sendërtohet përmes rrëfimit perspektiv e retrospektiv, që rëndom bëhet në veten e tretë e të parë. Romani ka polifoni tekstore me peripeci të gjallë, që tërë receptimin e shtron nga një semiotikë e rrallë. Ajo që dominon dukshëm në këtë roman është ironia verbale që i jep forcë shqiptimit të alegorisë, por diskursi rëndësi të posaçme i kushton parodisë (karikaturës) së karaktereve, që dalin në një nivel kompozicional, që s’haset shpesh në letërsinë tonë bashkëkohore. Kjo vepër është roman i personazhit, me karakteristika për romanin realist europian. Edhe në qarqe heterogjene, romani s’ka mbetur pa jehonë. Ai çmohet se është me poetikë e art paraardhës, si dhe formë të ndryshme të romanit modern perëndimor. Fabula e këtij teksti futet në qelizat e personazheve, që autori i pasqyron natyrshëm, herë-herë zbaton monologun e karaktereve. Në këtë formë të artit modern zbërthehen hallet njerëzore, dilemat, problemet fisnore e shoqërore, konfliktet e ndryshme. Autori vizaton edhe episode në disa kapituj të romanit, që ai e di se nga duhet t’i drejtojë shtresat narrative e tematike të thurjes e shthurjes së konflikeve, skenave, fubulës etj., që nisin nga një material i thjeshtë, e që në fund marrin formë të stisur artistike.

Shënim: Titulli dhe mestitujt janë redaksionalë.Dh.H.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›