E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të prekshëm e të paprekshëm

Pardje në darkë, me një mikun tim po pija kafe në një lokal luksoz pranë Gardës. Për të na begenisur erdhi dhe ul në tryezën tonë pronari. Pas pak miku im ju lut të zotit të lokalit të ndërronte stacionet televizive, pasi të dy ekranet që kishim përballë, në mur, qenë  instaluar te kanalet pranë qeverisë. Por pronari nuk pranoi, buzëqeshi me mirëdashje dhe lëshoi këtë frazë të habitshme: Po pse, budalla jam unë që t’i ndërroj? Mesa dukej e priste kundërshtinë tonë se shtoi, pas pak, duke u shfajësuar: -Këtu nuk ka ditë të mos vijnë tatimorët dhe zyrtarë të lartë…Kur shohin ato stacione e kuptojnë, edhe pa ndërhyrjen time, se unë jam “me ne”…Përndryshe, mund të gjesh belanë!

Fillimisht u duk i stisur dhe absurd ky justifikim, pasi me një logjikë normale presupozohej që pronari duhej të kishte më së pari merakun e klientëve të tij. Por edhe këtë ligjësi të “ekonomisë së tregut” na e hodhi poshtë, duke na sqaruar, sigurisht në mirëbesim, se një “goditje” e tatimorëve, -pse, si kujtoni ju,  mund të kesh vetëm një “vizitë” të tyre në muaj?….- të kushton shumë më tepër se sa disa klientë që mund të mbeten të pakënaqur. Që nga polici më i thjeshtë i trafikut e deri te cilido drejtor drejtorie në ministri, kur shohin “me fakte” se ti je “me ne”, automatikisht do të mendojnë: ky që ka këtë lokal luksoz e që i mban ekranet vetëm në “stacionet tona”, jo vetëm është i yni, por me njëmijë për qind do të ketë ndonjë mik të fuqishëm lart…Kjo i bën të frenohen, pasi e dinë që ndërhyrja e tyre, edhe po qe e drejtë dhe e mbështetur në ligj, do t’ju dalë nga hundët!

Kur pa që ne nuk po na pëlqente dhe për më tepër nuk po na i mbushte dot mendjen, pronari u detyrua të sjellë shembuj të tjerë nga jeta jonë mbarëkombëtare. Po të dilni nëpër Shqipëri, jashtë Tirane, kur të shihni majë të çative një flamur të PD-së bashkë me një flamur amerikan, ta dini, pa asnjë diskutim, se aty ndërtimi do të jetë pa lejë…Në lokalet e periferive kanë filluar të vihen foto të kryeministrit dhe të ambasadorit amerikan….Aq më mirë nëse do të ketë kaluar në ato anë dhe të jenë fotografuar duke i dhënë dorën pronarit të kioskës….E dëgjuat kryeministrin se si e kërcënoi atë gruan biznesmene që shoqëroi Ramën te ferma e saj, para ca ditësh? Paguaj borxhet, zonjë, i tha, para se të merresh me politikë! Nuk e kërcënoi atë, jo, se asaj nuk ja mban të bëjë evazion fiskal; se, derisa del hapur, e ka parasysh rrezikun e të mos qenit “me ne”….Por  kryeministri na doli borxhit ne të tjerëve…Gjeti rastin dhe na dërgoi një paralajmërim serioz që ta  vënë vath në vesh të gjithë bisnezmenët, ku janë e nuk janë…Kush nuk është me ne, nuk e do qeverinë, nuk e do Berishën; kuptohet, nuk do as  demokracinë, as NATO-n, as ekonominë e tregut!….Prandaj e ka hak ti venë në derë, sa t’i hanë shpirtin,  tatimorët, taksidarët dhe policët e bashkisë!....E pra, sot veç të jesh budalla të mos i kuptosh këto mesazhe të kohës! Se në Shqipëri nuk ka më vetëm të pasur e të varfër, por ka të prekshëm e të paprekshëm, me ne dhe kundër nesh….Ja, më thoni mua ju: përse Lazarati, prej nga dalin tonelata ton drogë, është  i paprekshëm? Përse edhe Kukësi që nuk i paguan dritat lejohet të bëjë terror në rrugën e Kombit, të sulmojë edhe stacionet e qeveria të mos ndërhyjë,  a thua se këto “bastione të PD-së” i takojnë veriut të Kosovës, ku ka dy shtete paralele? Le të dalin ata të Kombinatit, apo të Patosit të sulmojnë ndonjë stacion elektrik!....Ja përse tani ka popull që është me ne dhe popull kundër nesh…Fieri p.sh që ka votuar për “ata”, le të rijë pa qeverisje vendore….Kini qëndruar ndonjëherë në semafor, te ura e Lanës, jo shumë, por pesë minuta, që të shihni se si edhe policët i diferencojnë njerëzit sipas markave të makinave? Se si i gjobisin vetëm ata shoferë që kanë makina jashtë standardit, të ndryshkura, kurse te kullat, apo te  Kuvendi, edhe kur bosët parkojnë tresh, nuk guxon t’ju afrohet as polici me bllok në dorë dhe as karrotreci? Kini parë ndonjëherë ndonjë karrotrec të ketë marrë ndonjë BMV x 5, apo  Hammer?
E dhashë me kaq hollësi rrëfimin dhe argumentin e pronarit të lokalit, pasi besoj që tek ne, për fat të keq ka mbirë epidemia e paralizës, e pafuqisë, e dorëzimit, e mosbesimit, e mosndryshimit…jo vetëm në Tiranë, po ndoshta ca më tepër në periferi, ku hallet janë më të mëdha.
***
“Kryetari i opozitës...pas vizitës që bëri tek zonja Shkoza, e cila i kishte pa ia dhënë ministrisë 140 milionë lekë nga fondi i 2KR; pas fotos së famshme që mori dhenë,  për  t’i thënë botës se fshati shqiptar përfaqësohet nga kërriçi, me të cilin ai doli  në fotografi....,pas vizitës që i bëri ish kryetarit të komunës, i cili i thoshte se kishte 500 gjela dhe ishte keq se i duheshin një mijë gjela ....u ndal edhe tek Genc  Mita i firmës SEGEA, e cila njëlloj si firma Shkoza, (është) debitore e ndjeshme ndaj kredisë pa interesa që ka marrë. Kjo qeveri i ka dhënë kredi dhe ky tani me borxhe del dhe  mbledh vota. Të dashur qytetarë, ato nuk janë paratë e Sali Berishës as të Genc Rulit. Ato janë paratë tuaja dhe ata që i detyrohen ato para, duhet t’i kthejnë  ato....Por zotëria ...u premton se do t’jua falë dhe u thotë më jepni votën. Nëse blen vota në këtë mënyrë, në kurriz të njerëzve të ndershëm e punëtorë, të cilët punojnë 18 orë në ditë, do të përfundosh forcë e tretë politike”....

Citimi i mësipërm është nxjerrë nga faqja zyrtare e K.M dhe i përket Kryeministrit Berisha. Në fakt stili i tij, gjuha e tij e ashpër, nervi i ligjërimit diaretik, nakatosja e një gegërishteje skajore me një sintaksë të shartuar të gjuhës letrare nuk kanë nevojë për adresim dhe rëndom as për koment, se e folmja e tij në publik është aq i drejtpërdrejtë, bajlozërore, e drunjtë, e rrëmbushur me etiketime e nofka për kundërshtarët, sa nuk ka nevojë të kërkohet nëntekst. Por, në këtë rast pyetja që ja vlen është: a mos janë të vetmit këta dy biznesmenë që kanë rënë në hallin e kredive të këqija, që nuk i lajnë dot kreditë  dhe që rrezikohen të mos i kthejnë ato, duke shkuar drejt falimentit të pashmangshëm?

Sigurisht që janë shumë si ata...Midis tyre ka peshq të mëdhenj, kryesisht kompani të mëdha ndërtimi, të cilat janë mbytur në borxhe, duke ndërtuar rrugë dhe autostrada pa marrë paratë e tenderave të fituara...Shumica e kompanive jo vetëm që i lajnë borxhet e vjetra me borxhe të reja, por detyrohen të operojnë herë si piramidë dhe më shpesh me klering: unë të jap llaç e tulla, ti më jep kaq hyrje, etj, ...Nuk i kanë shpëtuar kësaj amullie as kompanitë që administrohen nga të huajt, si CEZ, KESH, Albpetrol, ndoshta edhe Calik, etj,etj. Borxhet e pashlyera kanë shkuar aq larg sa ditët e fundit po mbyllen edhe bashkitë e qyteteve, si ajo e Përmetit apo e Memaliajt, pasi edhe ato nuk kanë fuqi paguese as për administratën...E megjithatë asnjë nuk ankohet...Të gjithë rijnë e vështrojnë yjet, presin me durim ditë më të mira, bëjnë të urtin, të bindurin, shtiren sikur janë “me ne”, për të mos e zemëruar “qeverinë” e cila, jo vetëm që nuk të jep më tendera, por, po të këmbëngulësh, apo, ca më keq, ta hedhësh në gjyq e të kërkosh detyrimet që nuk t’i ka dhënë, del se ti je armik, je kundër qeverisë, e ke nxjerrë më në fund fytyrën që “nuk je me ne”, prandaj e ke hak të të gjejnë edhe “qimen në qull” me ndihmën e KLSH, me tatimet, me doganat, me policitë e ndërtimit, etj ,etj...apo, më në fund, edhe me ndonjë poshtërim publik nga vetë kryeministri...

Ja pra përse u bënë “shembull” zonja Shkoza dhe zoti Mita. Nuk u qahet hallin biznesmenëve, si po veprojnë të gjithë kryeministrat e Evropës, të cilët po bëjnë të pamundurën të shpëtojnë bizneset e vendeve të tyre për të dalë me sa më pak kosto nga recesioni, kurse tek ne  sulmohen, anatemohen, denigrohen, poshtërohen dhe tremben biznesmenët që të mbyllin gojën e të mos guxojnë të dalin as rastësisht në publik të ankohen që shteti është në borxh me ta, le më pastaj po të dalin në foto me kryetarin e opozitës...
Me hyrjabyrja besohet se do të hidhet lumi deri në zgjedhje. Nëse në 2013-ën fiton përsëri Berisha, askush nuk do të hapë gojën, nëse humbet, borxhet le t’i lajë opozita e sotme!
***
Pas bisedës me pronarin e lokalit afër Gardës, që u bë shkas për këtë përsiatje, kur shkova në shtëpi mora telekomandën dhe hapa lajmet. Më ra në sy kacafytja në Kuvend e zonjës Topalli me zotin Oketa, ish deputet i PD-së, një nga njerëzit më të papërfolur për ndonjë aferë korruptive në këtë parti, edhe pse ka qenë ministër...Kur deputeti u mat të fliste për të ndjerin Lirak, spikerja e Kuvendit, për t’i mbyllur gojën deklaroi që xhaxhai i tij na paska qenë në Durrës shef  i internim-dëbimeve i diktaturës,  gjë që do të thotë se ai, sipas saj, e ka të humbur të drejtën të  flasë dhe të mbrojë të përndjekurit...Dhe nuk e la të flasë...Madje e vuri në pozicion të shëmtuar dyluftimi me një ministër minoritar...Një deputet socialist mori shkas dhe i kujtoi më pas Topallit “dizenjatoren”....E gjitha kjo parodi në të vërtetë nuk habit asnjë shqiptar, të madh e të vogël, të mençur a injorant, partiak e të pavarur.. .

Por pyetjet që duhet të marrin përgjigje janë: përse i kujtohet ky “cen” në biografi Oketës pas ikjes nga PD? Përse luhet me biografitë edhe pas 22 vitesh në demokraci? Si nuk e kuptojnë që dalin bllof kur i venë emrit të tyre një pamje kaq të pështirë. E cila nuk do të harrohet në vite, brez pas brezi? Se, edhe sikur të jetë e vërtetë që xhaxhai i Oketës të ketë qenë në atë post, përse duhet të përgjigjet nipi i tij që asokohe ishte fëmijë? I kujtohet, do të më thonë militantët, për t’i mbyllur gojën: Se iku në partinë e Topit dhe këtë nuk ka të drejtë ta falë Berisha dhe të tijtë. Por nuk mjafton kjo, jo! Sepse ata e dinë që Oketën dhe ata si ai që kanë dinjitet dhe integritet të mjaftueshëm nuk do të tremben e nuk do të tërhiqen, përkundrazi! Por ofensiva e pandërprerë, 22- vjeçare, me fyerje e poshtërime publike të pasosura të kundërshtarit nuk bëhet vetëm për ta denigruar e skualifikuar vetëm atë, si person, por hidhen në popull për të llahtarisur e shushatur ata që nesër mund të dalin kundër, ata që kanë cene e gjynahe të vetat, por edhe ata që nuk i dinë me saktësi të metat, cenet, gjynahet, mëkatet apo edhe krimet e gjyshërve, xhaxhallarëve a baballarëve të tyre! Këtë efekt “çudibërës”, që nuk e ka njohur populli ynë as në ditët e tij më të vështira ( kujtoni psh  si u sollën shqiptarët me ebrejtë gjatë luftës), kur pati lufta klasash e diktaturë...Ky efekt kërkohet të përcillet, sigurisht me mjete të tjera, më “demokratike”, edhe sot.
Ja pra ky qëndron “sekreti” i jetëgjatësisë së pushtetit okult të Berishës!

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›