E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komunistët, si kundërshtues të modeleve perëndimore

10-11-2012 / Nga Ilirian Dahri

Si ka mundësi që ky vend u shndërrua në një vend komunist dhe tashmë synon të kthehet çdo ditë dhe më shumë në një superfuqi të vetme? Është një pyetje kjo që ka “torturuar” dhe vazhdon të habisë shumë njerëz. Çudia qëndron në faktin se kjo shoqëri është shumë larg teorive komuniste por në thelb të saj ka egërsinë e sistemeve më gjakatare komuniste sipas shumë analistëve. Duket larg teorive marksiste – leniniste sepse parimet e vetme të komunistëve (krahas krimeve sigurisht) tashmë janë tek paraja dhe pasuria. Në fakt janë ata që përbëjnë klasën komuniste të vendit aziatik, janë ata që qeverisin vendin, janë ata që komandojnë ushtrinë e madhe të këtij vendi të madh. Në të njëjtën kohë janë edhe pasanikët më të mëdhenj. Natyrisht në Pekin është kaluar nga ekonomia e përbashkët në një sistem të mirëfilltë kapitalist sepse partia komuniste përfaqëson elementin e vetëm të vazhdimësisë mes të vjetrës dhe të resë. Nuk dihet (nga ata dihet sigurisht) se kush do të jenë në Komitetin e Politbyrosë që komandon politikën kineze e cila tashmë përbëhet prej 9 anëtarësh dy prej të cilëve do të duhet të lënë vendin për shkak të moshës. Dihet që do të udhëheqin vendin e madh për dhjetë vite të tjera deri në vitin 2022, kur do të mbahet kongresi i ardhshëm. Ndërkaq kongresi  ka filluar mes flamujve gjigandë dhe gotave të shumta të çajit të vendosura në tavolinat e panumërta. Por problemet ekzistojnë, siç janë ato mes konservatorëve dhe reformatorëve apo hendeqet e mëdha ekonomike mes rajoneve të ndryshme të Kinës. Por idetë e komunistëve - pasanikë janë të qarta. Duan të luftojnë korrupsionin, duan të reformojnë sistemin politik, duan të transformojnë sistemin ekonomik, duan të krijojnë një fuqi të marinës botërore, duan të krijojnë zhvillim dhe demokraci por nuk duan ta bëjnë nëpërmjet modeleve perëndimore. Presidenti ka folur nga kongresi i tetëmbëdhjetë i partisë komuniste duke deklaruar se: “Reforma e strukturës ekonomike paraqet  një pjesë të rëndësishme për planin e reformave globale që i nevojiten vendit tonë”. Kërkojnë të inaugurojnë një model të ri zhvillimi që sipas tyre do të dyfishonte prodhimin e brendshëm të superfuqisë brenda vitit 2020. Njëkohësisht do të kërkojnë që të bëjnë të mundur që “e gjithë popullsia të mbulohet me asistencë shëndetësore publike”. Një tjetër udhëheqës ka deklaruar se “duhet të vazhdojmë të jemi aktivë por të matur për të vazhduar reformat e strukturës politike por duke vazhduar me përhapjen e demokracisë popullore”. Por një gjë mbetet ende e shenjtë dhe e paprekshme për komunistët, partia e vetme e cila nuk duhet të preket kurrsesi. Është folur shumë për këtë aparat burokratik komunist madje vetë  komunistët kinezë kanë evidentuar edhe të këqiat e tyre. “Korrupsioni rrezikon të përhapë një krizë të thellë në parti: nëse nuk do të jemi në gjendje ta luftojmë kjo e fundit rrezikon të rrokullisë shtetin dhe gjithë vendin”. Në të njëjtën kohë liderët historikë komunistë kanë folur edhe për teorinë e ndryshimit pragmatik. “Kina duhet të përcaktojë një model rritje që të dijë t’i përgjigjet lëvizjeve ekonomike të brendshme dhe atyre ndërkombëtare, duke synuar akoma dhe më tepër në cilësi[…]”-  ka deklaruar Hu. Analistët e kanë përkthyer shpejt fjalimin në para. Para që të nxisin industrinë e manifakturës së brendshme dhe të synojnë për më tej në mënyrë që të ulin peshën e eksporteve në formimin e prodhimit të brendshëm në favor të konsumit të brendshëm. Kishte vite që krerët komunistë flisnin papushim për paqen edhe në kohën kur Parlamenti aprovonte dyfishimin e buxhetit ushtarak, ndërsa gjatë kongresit është folur hapur. “Kina duhet të shndërrohet në një fuqi të marinës për të mbrojtur të drejtat e saj dhe interesat e e saj territoriale”. Në këtë rast janë të freskëta problemet me vendin e tyre fqinj të Japonisë për ishujt që pretendohen nga të dyja palët. Sidoqoftë brenda një jave, kongresi i tetëmbëdhjetë i partisë komuniste duhet të rinovojë gjysmën e komitetit qendror të përbërë prej 320 anëtarësh, dhe një pjesë të mirë të Politbyrosë (25 por që tashmë pas  përjashtimit të Bo Xilai në 24) dhe 7 nga 9 anëtarët që janë aktualisht në  Komitetin e Politbyrosë kineze.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›