Të prera me një gërshërë
AQSHF publikon "Aktoret e filmit shqiptar". Një formë hibride ndërmjet enciklopedisë dhe albumit fotografik. Asnjë kriter zgjedhjeje për aktoret në gjysmë shekulli histori të kinemasë shqiptare
Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit ka nderuar aktoret e kinemasë shqiptare nëpërmjet një albumi fotografik. Ideja është shumë e mirë por realizimi i tij ngre disa pikëpyetje. Që prej fillimit të viteve '90 kur revista "Skena dhe ekrani" reshti së qëni, e deri më sot nuk do të kemi më asnjë botim që të tregojë se çfarë ka ndodhur dhe çfarë ndodh në skenë dhe ekran, në teatrin dhe në kinemanë shqiptare.
Publikimi i këtij albumi ngjalli një farë entusiazmi se mos ndoshta do të kishim një lloj historie të kinemasë shqiptare rrëfyer nëpërmjet portreteve të aktoreve. Por nuk ishte kështu. Ajo që serviret është një katalog me kartolina, portrete bardhë e zi të aktoreve, në disa prej roleve të tyre, jo domosdoshmërisht më të spikaturat.
Në kopertinën e albumit janë vendosur portretet e Yllka Mujos, Tinka Kurtit, Margarita Xhepës, Roza Anagnostit dhe Luiza Xhuvanit, të gjitha fotografi që i përkasin roleve të interpretuara më shumë se dy dekada më parë.
Në brendësi gjenden portretet e 52 aktoreve të njohura dhe të panjohura, në role si protagoniste dhe joprotagoniste. Parada nis me Marie Logorecin dhe përfundon me aktoren nga Kosova Arta Dobroshi.
Pothuajse të gjithave iu është rezervuar e njëjta hapësirë në album. Të gjitha të prera me një gërshërë: dy faqe të cilat mbajnë nga dy portrete për secilën, me role që përfaqësojnë fillimet e karrierës.
Duke shfletuar albumin kërkon për portretin e Roza Anagnostit, Margarita Xhepës apo Pavlina Manit por nuk gjen asgjë të ngjashme me figurat që ke në mendje. Në faqet që shënojnë emrat e tyre sheh vajza shumë të reja dhe të duhet të picërrosh sytë për të dalluar ndonjë tipar karakteristik të portretit për të njohur aktoren.
Në krye të çdo faqeje prezantohet emri i aktores dhe më poshtë katër ose pesë radhë që tregojnë në vija shumë të përgjithshme jetën e saj. Për hartuesit e albumit ndoshta mjaftojnë pesë radhë për të treguar vendin që zë të themi Marie Logoreci në kinemanë shqiptare, por për publikun janë shumë pak.
Në hapësirën kushtuar kësaj aktoreje shkruhet: Marie Logoreci u lind në Shkodër në 23 shtator 1920. Interpretoi shumë role me peshë në teatër dhe në kinematografi, ku shkëlqeu sidomos në rolin e Lokes, tek filmi "Toka jonë" i H.Hakanit. Vdiq në Tiranë më 20 qershor 1988. Është nderuar me titullin "Artiste e Popullit" .
Në fund të faqes në një mënyrë aspak të përshtatshme për syrin (duhet të kthesh albumin 45 gradë për të lexuar) janë radhitur titujt e dhjetë filmave ku ajo ka interpretuar. Kaq.
Ky është pak a shumë modeli i prezantimit të aktoreve në këtë album. Në disa raste mungon datëlindja, vendlindja dhe të dhënat mbi karrierën e aktores.
Duke e shfletuar albumin është e vështirë të kuptosh se çfarë po mban në duar, një minienciklopedi, një album fotografik apo diçka që si gjen një emër. Çdo informacion jepet në mënyrë të përgjithshme.
Të thuash se Tinka Kuri është vlerësuar me shumë çmime dhe medaljone duhet të paktën të përmendësh në mos të gjithë, të paktën një çmim a medaljon për aksh rol. Arkivi në këtë pikë mban një qëndrim të ftohtë ndaj kontributit të aktoreve duke i përkufizuar me terma shumë të përgjithshme.
Të gjitha i ilustron profili i aktores Tinka Kurti në të cilin shkruhet: Tinka Kurti u lind në Sarajevë më 17 dhjetor 1932. "Artiste e Popullit". Një nga aktoret më të shquara të skenës dhe ekranit shqiptar.
E filloi karrierën artistike si aktore në teatrin e Shkodrës që në vitin 1949. Në kinematografi u angazhua që në fillimet e saj në filmin e parë shqiptar "Tana", 1958 në rolin e Tanës. Krijoi shumë personazhe të dashura nënash dhe gjyshesh. Është nderuar me shumë çmime e medaljone në Festivalet e Filmit Shqiptar.
Hapësira që i kanë kushtuar aktoreve duhet thënë se është "e pabarabartë". Vetëm dy fotografi për të ilustruar gjithë kontributin që kanë dhënë aktoret si Roza Anagnosti, Pavlina Mani, Hajrie Rondo, Yllka Mujo dhe po aq hapësirë i është lënë edhe aktoreve që kanë realizuar vetëm role dytësore apo kanë luajtur qoftë edhe vetëm një rol apo episodik. Përballë listës së gjatë të filmave të tyre sigurisht që stonojnë tre filmat ku ka marrë pjesë Edi Luarasi, apo më pak Mariana Kondi, Suela Konjari, Monika Lubonja apo Luljeta Bitri (në album një herë shkruhet Luljeta e njëherë Lul).
Madje aty ka edhe aktore si Melpomeni Çobani, e cila nuk ka interpretuar asnjëherë rol protagonist por në kujtesën e publikut ruhet me batutën e saj si fatorino, "iii plak zevzek" në filmin "Kapedani".
Nëse logjika e vendosjes së fotografive është thjesht pjesëmarrja në filma shqiptarë dhe jo numri i roleve të realizuara apo niveli i figurave dhe karaktereve artistike, përse nuk janë përfshirë në këtë album aktoret si Ornela Kapedani, e cilësuar aktorja më e mirë në Festivalin e Durrësit 2008 (edhe pse filmi është një prodhim grek me temë shqiptare) apo Luçiana Vata protagoniste e filmit të shkurtër "Busulla"?
Diçka të tillë do të kenë qenë duke menduar aktorja Yllka Mujo e cila nuk qëndroi deri në fund të prezantimit të albumit. Ajo u largua në mënyrë demonstrative nga salla të premten, në Teatrin Kombëtar. Rasti i Mujos e cila paraqitet në album me rolet e Almës (I teti në bronz) dhe Lilo Labes (Malet me blerim mbuluar) vlen për të vënë në dukje një të metë tjetër të madhe: albumi djeg etapa të evoluimit të karrierës së aktoreve si Mujo, e cila do të realizonte role më të arrirë se të përmendurit më sipër.
Në këtë mënyrë aty mbeten jashtë disa profile femërore të njëzet viteve të fundit. Meqë jemi tek Mujo, përmendim personazhin e Liljanës tek "Lule të kuqe lule të zeza", apo personazhin e Anës (Elia Zaharia) e cila është lënë jashtë.
Ndërsa aktore dhe gazetarë po ndiqnin një kolazh me pjesë nga filmat nga ku ishin marrë dhe këto foto, aktorja u shpreh se hartuesit e këtij katalogu nuk kanë ditur të vlerësojnë vërtetë njerëzit që kanë kontribuar në kinema.
Personeli që ka hartuar këtë katalog mund të ketë njohuri të mjaftueshme për detaje filmike dhe të dhëna teknike apo një kujtesë të mirë se ku ndodhen kuadrot më domethënëse të aktoreve, por kjo trupë punonjësish nuk mund të marrë në mungesë, rolin e studiuesit apo historianit të kinemasë.